Skip to content

Gjykata Themelore në Prishtinë përsëri ka aprovuar propozimin e GLPS dhe OJQ ‘Gjethi’ për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimeve për Leje Ujore dhe Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) njofton se Gjykata Themelore në Prishtinë përsëri ka aprovuar propozimin e GLPS dhe OJQ ‘Gjethi’ për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimeve për Leje Ujore dhe Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3

Oganizatat GLPS dhe Gjethi, në fund të vitit 2021, kanë paraqitur nëpërmjet Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike padi me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit për Lejen Ujore dhe të Vendimit për lëshimin e Lejes Mjedisore të lëshuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik.

Lidhur me kërkesën e palës paditëse për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve të kontestuara, Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Administrative përsëri ka vërtetuar se paditëset kanë ofruar prova të besueshme, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm paditësve, i cili dëm vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara nuk është në kundërshtim me interesat e publikut. Andaj, Gjykata ka vendosur që të aprovojë shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara deri në vendosjen përfundimtare të çështjes.

Gjykata e Apelit kishte prishur Aktvendimin e parë të Gjykatës Themelore për këtë çështje, pas ankesave të parashtruara nga e paditura dhe pala e interesuar duke e kthyer lëndën në gjykatën e shkallës së parë për rivendosje, me qëllim të eleminimit të dilemave e afatshmërisë së padisë. Në këtë drejtim Gjykata Themelore kishte kërkuar nga paditëset të paraqesin prova për të vërtetuar afatshmërinë e padisë dhe pas paraqitjes së provave Gjykata Themelore konstatoi se padia është paraqitur brenda afatit ligjor.

GLPS dhe Gjethi mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike.