Padi për konflikt administrativ kundër vendimit për refuzimin e trajtimit mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore

Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës, të cilës i është refuzuar trajtimi mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore kanë paraqitur padi për konflikt administrativ. Kjo padi është paraqitur kundër Ministrisë së Shëndetësisë.

Në muajt e fundit është raportuar për keqpërdorime në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, e sidomos në programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore që funksionon në kuadër të këtij Fondi. Në rastin tonë, paditëses së dëmtuar i është refuzuar përfitimi nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, përkundër faktit që ajo i kishte plotësuar të gjitha kushtet dhe kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm. Paditësja, edhe pas kontrolleve dhe analizave të shumta në institucionet shëndetësore publike dhe private në vendin tonë, nuk kishte arritur të gjejë shërim e as të marrë ndonjë diagnozë të duhur. Pas pranimit të vendimit për refuzim, Paditësja kishte dorëzuar ankesë kundër këtij vendimi, të cilën Komisioni i ankesave për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike e refuzoi.

Në bazë të provave të siguruara nga qytetarja në lidhje me vendimin e nxjerrë për refuzim të ankesës së saj kundër vendimit për refuzim të përfitimit nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, kemi gjetur disa shkelje ligjore. Fillimisht, paditësja është diskriminuar dhe nuk i është ofruar qasje për trajtim mjekësor. Pra, Institucionet publike shëndetësore kanë dështuar t’i ofrojnë paditëses kujdes të barabartë shëndetësor, pa e diskriminuar në asnjë formë, si dhe nuk kanë arritur që ta respektojnë të drejtën e marrjes së shërbimeve në fushën e shëndetit, e drejtë kjo e garantuar edhe me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut.