Dorëzohet kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për hidrocentralet e Deçanit

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), OJQ “Pishtarët” dhe tre qytetarë të Deçanit – Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi – sot, datë 17 korrik 2024, kanë parashtruar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (ARJ. Nr. 212/2023, i datës 5 mars 2024).

Si palë pretendojmë që ky Aktgjykim që i ka vlerësuar të ligjshme procedurat dhe vendimet për lejet ujore dhe mjedisore për Hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II”, është marrë në shkelje të dispozitave kushtetuese, në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në kundërshtim me gjendjen faktike.

Pas shfrytëzimit të të gjitha mjeteve juridike në procedurë administrative dhe në gjykatat e rregullta kundër vendimeve për Hidrocentralet e Deçanit, si palë i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të konstatoj se Aktgjykimi i Supremes është marrë në kundërshtim me nenet 31, 32, 52 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kundërshtimi i lejeve përkatëse ujore dhe mjedisore në rastin e njohur si “Rasti i hidrocentraleve të Deçanit,” nuk motivohet nga pikëpamje ideologjike dhe nuk shpërfaqë qëndrim kundër ndërtimit të hidrocentraleve nga kompani private, të huaja apo vendore. Për më tepër, kur bëhet fjalë për energji të ripërtëritshme.

Por, si OJQ që angazhohemi për mbrojtjen e interesit publik, nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj betejës ligjore të inicuar nga disa banorë të Komunës së Deçanit, për të mos lejuar dëmet mjedisore nga ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve që operojnë me leje të marra në kundërshtim me ligjin. Pra, kundërshtimi ynë mbështetet në faktin se lejet ujore dhe mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor.

Konkretisht, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë bërë interpretime qartazi të gabuar të neneve 72 dhe 78 të Ligjit për Ujërat. Sikundër që këto gjykata kanë shpërfillur tërësisht faktin se dëmet e dukshme mjedisore në këtë rast janë konstatuar edhe nga vet komisioni gjegjës i MMPHI. Por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të adresuar gjetjet e komisionit të vet. Ndërsa Gjykata Supreme, në mënyrë krejtësisht arbitrare, ka arsyetuar se nuk ka tagër të veprojë kundrejt mosveprimit të MMMPHI për të ndaluar një dëm mjedisor, të konstatuar nga vet MMPHI.

Për këto arsye, ne kemi paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me të cilin kemi kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ. Nr. 212/2023, të datës 5 mars 2024. Në kërkesë kemi paraqitur fakte dhe argumente bindëse se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është marrë me shkelje të neneve kushtetuese në vijim:

– Neni 32:  E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

– Neni 32 i ndërlidhur me nenin 54:  E drejta për mjete juridike në ndërlidhje më mbrojtjen gjyqësore të të drejtave

– Neni 52: Përgjegjësia për mjedisin jetësor

Jemi me shpresë se Gjykata Kushtetuese do ti trajtojë me seriozitet dhe profesionalizëm argumentet tona që shpërfaqin shkeljet kushtetuese në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, ARJ. Nr. 212/2023, të datës 5 mars 2024, të kthejë çështjen në rivendosje në Gjykatën e Apelit dhe të urdhërojë këtë gjykatë që të vendosë rastin në pajtim me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Me respekt,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike