Refuzimi i kërkesës për kompensimin e trajtimit mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore

GLPS dhe një qytetare ushtrojnë padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë

Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të marrin shërbime adekuate shëndetësore dhe është obligim i shtetit që të sigurojë kujdes mjekësor dhe mirëqenie të individit. Në rastet kur kujdesi apo shërbimet shëndetësore nuk mund të sigurohen nga ana e institucioneve vendore, ligjet kanë paraparë të drejtën e qytetarëve që të marrin trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore. Për këtë qëllim, vendi ynë më kuadër të Ligjit për Fondin e Sigurimit Shëndetësor  ka paraparë programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, në vend dhe jashtë tij. Legjislacioni që e rregullon këtë program parasheh që çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të aplikojë për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP) kur shërbimi i caktuar nuk ofrohet në institucionet publike shëndetësore, dhe për këtë duhet të kompensohet shuma e shërbimeve që janë marrë nga qytetar në institucionet e tjera shëndetësore jo publike të vendit.

Pavarësisht bazës së qartë për përfitim nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, në vend dhe jashtë tij, qytetarët në vendin tonë po përballën me refuzim të kërkesës për kompensim financiar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë edhe pse ata kanë pranuar shërbime mjekësore të cilat nuk mund të ofrohen nga institucionet shëndetësore publike.

Rast i ngjashëm ka ndodhur edhe me qytetaren e cila ka pranuar mbështetje juridike pa pagesë nga ana e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) në kuadër të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Kjo qytetare, nga viti 2016 e deri në vitin 2022 kishte marrë trajtime mjekësore jashtë institucioneve publike shëndetësore, trajtime këto që nuk ofroheshin në kuadër të sistemit tonë shëndetësor. Duke e shfrytëzuar të drejtën për aplikim në programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, ajo me 18 mars 2022 kishte dorëzuar aplikimin duke i bashkëngjit edhe raportet konziliare për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike. Por, Komisioni për TMJIShP më datë 21 prill 2022, kishte marrë vendim për refuzimin e aplikimit të kësaj qytetareje me arsyetimin që raportet konziliare nuk e kishin rekomanduar trajtimin mjekësor jashtë vendit.

Kundër vendimit të Komisionit për TMJIShP, qytetarja më 6 maj 2022, ka parashtruar ankesë në Komisionin e Ankesave për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike në Ministrinë e Shëndetësisë, duke arsyetuar se refuzimi i aplikimit të saj është bërë në kundërshtim me gjendjen faktike dhe legjislacionin në fuqi.

Duke mos i aprovuar pretendimet e ankesës së qytetares, Komisioni i Ankesave në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë me vendimin e datës 13 qershor 2022, ia kishte refuzuar ankesën kundër vendimit për refuzimin e kërkesës për përfitim nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Duke qenë se qytetarja i kishte shfrytëzuar mjetet e rregullta juridike për të gëzuar të drejtën për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore dhe shkeljeve që janë bërë me rastin e refuzimit të aplikimit për këtë program, GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe qytetarja më datë 13 korrik 2022, kanë parashtruar padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Ministrisë së Shëndetësisë.

Në këtë padi, CSL dhe qytetarja kanë bashkëngjitur prova me të cilat vërtetohet se refuzimi i aplikimit në programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore është në kundërshtim me parimin e drejtësisë sociale të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Ligjin për Shëndetësi, Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve të Kosovës në sistemin shëndetësor, Ligjin për Sigurimin Shëndetësor dhe Udhëzimin Administrative për TMJIShP, Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore si dhe Kartën Sociale Evropiane.

Mbi këto pretendime, CSL dhe qytetarja kanë kërkuar nga gjykata që ta aprovojë në tërësi padinë, që ta anulojë vendimin e mbi refuzimin e ankesës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe që të aprovohet kërkesa e qytetares për kompensim financiar për shërbimet mjekësore që i ka pranuar nga institucionet tjera e që nuk mund të ofrohen nga institucionet shëndetësore publike.

Më datë 22 shkurt 2023, pala e paditur – Ministria e Shëndetësisë – ka parashtruar përgjigje në padi, ku e ka kontestuar në tërësi padinë e CSL dhe të qytetares me arsyetimin se vendimi i Ministrisë është i ligjshëm dhe i drejtë.

Më pas, më 27 prill 2023 bashkëpaditësit kanë precizuar padinë ashtu që i kanë kërkuar gjykatës që të anulohen dy vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë që i kishin mohuar qytetares kompensimin financiar për shërbimet mjekësore që asaj i takojnë sipas kritereve ligjore. Po ashtu, është propozuar që si provë të dorëzohet Raporti Konziliar që mbështet pretendimin që diagnoza e qytetares duhet të trajtohet jashtë institucioneve shëndetësore në vend.

22 maj 2023, CSL dhe qytetarja kanë paraqitur parashtresën për precizim të kërkesëpadisë në kuptim të lartësisë së kompensimit, ashtu që kanë kërkuar nga gjykatë që ta detyrojë Ministrinë e Shëndetësisë që kompensimi ndaj qytetares të bëhet në shumë të caktuar në emër të shpenzimeve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 26 maj 2023, Gjykata mori vendim që të aprovojë propozimin e qytetares që të nxirret prova me ekspertizë mjekësore, ashtu që caktoi tre ekspertë gjyqësorë me detyrë që të përpilojnë ekspertizën mjekësore rreth diagnozës dhe se trajtimet për këtë diagnozë mund të trajtohen në institucionet shëndetësore publike.

8 dhjetor 2023, gjykata mbajti seancën tjetër të shqyrtimit gjyqësor në të cilën mori vendim që të aprovohet propozimi i palës paditëse që ekspertizën mjekësore ta bëjnë tre mjekë të tjerë, pasi që ekspertët paraprak nuk kishin arritur të përpilonin dokumentin në fjalë.

14 shkurt 2024, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dëgjimin e ekspertëve mjekësor lidhur me ekspertizën e përpiluar përkitazi me diagnozat e qytetares – paditëses – dhe për mundësinë që trajtimi i kësaj diagnoze ka mundur të bëhet në kuadër të institucioneve shëndetësore publike. Më pas, kjo ekspertizë është kundërshtuar nga pala paditëse me arsyetimin që ajo bie në përfundime jo të drejta në raport me provat  dhe gjendjen faktike. Në këtë rrethanë, Gjykata aprovoi propozimin që të plotësohet ekspertiza duke përfshirë edhe ekzaminimin e drejtpërdrejtë të qytetares – paditëses.

Aktualisht, CSL dhe paditësja janë në pritje të plotësimit të kësaj ekspertize dhe në caktimin e seancës së radhës në këtë çështje gjyqësore.

Kundërligjshmëria e publikimit të të dhënave personale në rastet e vetëvrasjeve

GLPS ofron ndihmë juridike për mbrojtjen e të dhënave personale

Qytetarëve të Republikës së Kosovës u garantohet e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale përmes Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Sipas këtij ligji, të dhënat personale përkufizohen si çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose që mund të identifikohet në bazë të një emri, një numri identifikimi, të dhënave rreth vendndodhjes, identitetit fizik, psikologjik, gjenetik, mendor, ekonomik, kulturor ose social të atij personi fizik.

Por, pavarësisht mbrojtjes së garantuar nga ana e ligjit, në praktikë janë të shpeshta rastet kur këto të dhëna publikohen në portale të ndryshme të mediave online përfshirë këtu edhe të dhënat personale të qytetarëve që kanë kryer aktin e vetëvrasjes. Një rast i tillë ka ndodhur edhe më portalin “Sinjali”, i cili nga qershori i vitit 2022 deri më 13 shtator 2022, kishte publikuar të dhënat personale për 11 persona që kishin kryer vetëvrasje. Në këto raportime, ky portal kishte publikuar emrat e personave, fotografi të tyre, vendbanimet, moshën dhe mënyrën e kryerjes së aktit të vetëvrasjes etj, Për më tepër, “Sinjali” brenda kësaj periudhe kohore kishte publikuar lajme edhe për 11 raste të tentim vetëvrasjeve, duke ofruar edhe të dhëna mbi lokacionin e vendngjarjes, vendbanimin e personit, moshën etj.

Duke vlerësuar se publikimi i të dhënave personale në rastet e vetëvrasjes apo tentim vetëvrasjes bie në kundërshtim me Ligjin dhe me kodin e mediave të shkruara,  Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) ka kërkuar nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) që t’i ofrojë ndihmë juridike në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

CSL ka ofruar ndihmë juridike ashtu që më datë 22 shtator 2022, përmes organizatës QIPS ka dërguar Ankesë për shkelje të të dhënave personale në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. Duke vlerësuar së është në interes të familjeve të prekura nga raportimet e tilla, është kërkuar që kjo Agjenci të obligojë portalin që të largohen lajmet e tilla që përmbajnë të dhëna personale dhe të kërkohet që në të ardhmen të mos publikohen të dhëna të ngjashme.

Në këtë ankesë, ndër të tjera është arsyetuar që publikimet e tilla, përveç se janë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, me Kodin e mediave të shkruara, gjithashtu paraqesin rrezik real që të nxisin stigmatizimin dhe përsëritjen e veprimeve vetëvrasëse. Në psikologji kjo njihet si efekti “Werther” apo “Copycat Suicide” ku persona të cilët glorifikohen apo polemizohen, nëpërmjet raportimeve të mediave shpijnë drejt një rritjeje të dukshme të vetëvrasjeve duke përdorë mënyrat e njëjta të vdekjes.

Identiteti i personit që ka kryer vetëvrasje nuk është në interes të publikut dhe publikimi i këtyre të dhënave mund të shkaktojë dëm, jo vetëm familjarëve të personit që ka kryer vetëvrasje, por edhe personave që gjejnë ngjashmëri me situatën e personit dhe kjo mund të bëjë që ai person të imitojë. Për këtë arsye, mediat duhet të kenë kujdes të shtuar në raportimin e këtyre ngjarjeve dhe të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me kodin gazetaresk.

CSL dhe QIPS përmes kësaj ankese kanë kërkuar që të merren masa ndaj portalit duke krijuar precedent, në mënyrë që portalet të veprojnë në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke mbrojtur të drejtën e privatësisë dhe të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë ankesë ende nuk është pranuar ndonjë vendim nga ana e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Mohimi i të drejtës për pension kontributdhënës dhe kompensim material për verbëri

GLPS i ofroi mbështetje ligjore personit të verbër për të gëzuar edhe të drejtën në pension kontributdhënës

Ligji për persona të verbër përcakton që qytetarët me humbje të plotë të të pamurit, qoftë me lindje apo më vonë, kanë të drejtë në përfitim material për shkak të verbërisë pavarësisht nga mosha. Por, në praktikë nuk janë të rralla rastet kur personat e kësaj kategorie me arritjen e moshës 65 vjeçare janë të detyruar që të vendosin mes kompensimit material për verbëri dhe pensionit kontributpagues të moshës që njihet me ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Një ndalesë e tillë vlerësohet e kundërligjshme për faktin se asnjëri nga ligjet e lartcekura nuk përmbajnë dispozitë më të cilën kufizohet e drejta qoftë në pension kontributdhënës apo në kompensim material për verbëri, si dhe vendimi i Gjykatës Supreme ku është njohur e drejta në pension sipas Ligjit për statusin e të drejtave të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK, të viktimave civile dhe familjeve të tyre, si dhe e drejta në pension kontributpagues të moshës.

Edhe në rastin tonë, qytetarit të cilit i është ofruar mbështetje ligjore nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), pa ndonjë vendim të shkruar i është thënë që duhet të zgjedh nëse dëshiron të vazhdojë të përfitojë nga kompensimi material për verbëri apo që më rastin e mbushjes së moshës 65 vjeçare të përfitojë vetëm nga skema pensionale e moshës.

CSL duke vlerësuar të kundërligjshme mohimin e së drejtës në dy pensione, atë për pension kontributdhënës dhe atë për kompensim material për verbëri më datë 18 dhjetor 2023, në emër të tij ka parashtruar kërkesë në Departamentin e Pensioneve – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që këtij qytetari t’ia njeh të drejtën e përfitimit nga këto dy skema pensionale.

Në këtë kërkesë janë bashkëngjitur edhe provat që vërtetojnë se ai më 10 mars 2023 ka mbushur moshën 65 vjeçare, librezën e punë si dhe vendimin mbi gjendjen e tij shëndetësore si person i verbër që nuk ka ndryshuar.

Parashtruesi i kërkesës kërkon trajtim të barabartë me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke ju njohur e drejta në pension kontributpagues të moshës meqë plotëson kushtet e përcaktuara ligjore. Në të njëjtën kohë kërkon që të mos i ndërpritet e drejta në kompensim material të verbërisë duke e respektuar dispozitën ligjore që përcakton se ky kompensim ju njihet pavarësisht moshës, e po ashtu për arsye se gjendja e tij nuk ka ndryshuar.

Në fund, parashtruesi i kërkesës ka paralajmëruar Departamentin e Pensioneve – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që do t’i shfrytëzojë mjetet juridike në rast se përgjigjja do të mungojë (heshtje administrative) apo do të merret një përgjigje negative përkitazi me pretendimet e tij.

Duke qenë se nga Departamenti i Pensioneve nuk është pranuar asnjë përgjigje në kërkesën e parashtruar, CSL ka dërguar një kërkesë te re ku ka kërkuar që me nxjerrjen e aktit të shkruar për miratim në heshtje personit të verbër t’i njihet e drejta në pension kontributdhënës pa iu mohuar e drejta në kompensim material për verbëri.

Heshtja e  Departamentit të Pensioneve – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në raport me kërkesat e qytetarit, ka detyruar CSL-në që në emër të tij të parashtrojë kërkesë për qasje në dokumente publike, përkatësisht në vendimin për miratim në heshtje të së drejtës për  pension kontributdhënës.

Moskthimi i përgjigjes në kërkesën për qasje në dokumente zyrtare sipas afatit dhe procedurave ligjore, ka detyruar parashtruesin e kërkesës të parashtroj ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) për mos lejim të qasjes në dokumentin e kërkuar nga ana e Departamentit të Pensioneve.

AIP ka konfirmuar që e ka pranuar ankesën dhe momentalisht parashtruesi është në pritje të vendimit të Agjencisë dhe të përgjigjeve eventuale të Departamentit të Pensioneve.