Më 26 shkurt 2021, organizatat paditëse GLPS dhe GAIA kanë paraqitur padi kundër Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica në Komunën e Shtërpcës, të lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Hidrocentrali Brezovica është një nga katër hidrocentralet (HC Shtërpca, HC Sharri dhe HC Viça) të ndërtuara nga kompania Matkos Group Sh.p.k. në Komunën e Shtërpcës. Procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për këto 4 hidrocentrale ka qenë jotransparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja. Pavarësisht kërkesave të shumta të organizatave paditëse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk u ka dërguar dokumentet e kërkuara që kanë të bëjnë me mbajtjen e debateve të publike dhe procedurave të tjera ligjore. GLPS dhe GAIA kanë potencuar me padi shkeljet si në vijim: (i) mungesa e debatit publik apo njoftimit adekuat të publikut për të, (ii) mohimi i të drejtës së banorëve të Shtërpcës për ujë të pijshëm dhe të ujitjes, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) ndërtimi i kundërligjshëm në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharr. Organizatat paditëse synojnë të anulojnë të gjitha lejet ujore/mjedisore dhe vendimet tjera të lëshuara në këtë proces si dhe të shtyjnë ekzekutimin e të gjitha këtyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e tërë procesit.
Më 25 mars 2021, organizatat paditëse kanë pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin është aprovuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për hidrocentralin Brezovica, duke vlerësuar se “paditësit/propozuesit kanë ofruar argumente të besueshme, dhe atë fotot të protestave të mbajtura ndër vite të qytetarëve lidhur me mos ndërtimin e hidrocentralit, foto të dëmtimit të natyrës, raporte të organizatave të ndryshme lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm banorëve të pjesës në të cilën parashihet të operojnë këto Hidrocentrale, dëm ky i cili vështirë do të riparohej.”
Në konferencë për media, Alba Dushi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka theksuar se sa i përket mos-informimit të qytetarëve për mbajtjen e debatit publik, është pranuar nga vetë kompania ndërtuese se asnjë qytetar i Shtërpcës nuk ka marrë pjesë në debat. Sapo kanë kuptuar që në lumin e tyre po ndërtoheshin hidrocentralet, qytetarët kanë dalur menjëherë në protesta pa u ndalur me vite të tëra, por ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga askush. Kjo dëshmon se qytetarët nuk janë njoftuar për debatin publik si duhet, dhe rrjedhimisht janë lënë tërësisht jashtë procesit, i cili ka qenë jotransparent që nga fillimi. E vetmja gjë që i ka ndalur protestat e qytetarëve ka qenë pandemia, se ata edhe sot do të kishin qenë duke protestuar. Një shkelje tjetër është edhe ndërtimi në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharri, një zonë në të cilën nuk mund të ndërtohet sepse dëmtohet flora, fauna e biodiversiteti. Ky aktvendim me të cilin është aprovuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica është një hap pozitiv për qytetarët e Kosovës. Natyra jonë na takon të gjithëve ta mbrojmë, dhe ne nuk duhet të lejojmë më që për interesa private të degradohet kjo natyrë. Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është e përkushtuar që të luftojë praktikën e lëshimit të lejeve për hidrocentrale kur kriteret ligjore nuk plotësohen si dhe në fund të largojë këto hidrocentrale që po shkatërrojnë lumenjtë tanë.
Gjithashtu, Mevlude Skuroshi nga GAIA ka theksuar se jemi të vetëdijshëm që ky është një hap i vogël në një proces shumë të gjatë, megjithatë është hap i mirëpritur. I bëjmë thirrje Qeverisë së re, bashkë me Ministrinë e Mjedisit, dhe Ministrin e saj të ri, me ndërmarrë masa të menjëhershme për çështjen e hidrocentraleve, i bëjmë thirrje për me marrë përgjegjësi edhe mos me leju projekte tjera të cilat kërcënojnë zonat e mbrojtura, ujin e pijshëm dhe ujin e ujitjes. Gjithashtu i’a kujtojmë Qeverisë së re që komuniteti lokal në Shtërpcë, në Sharr, i mbështet fortë shpresat e tyre në premtimet që i keni dhënë, prandaj presim që ato premtime të përmbushen e mos të jenë të kota. Lumenjtë tonë kanë qenë viktima të një procesi që nuk është menduar mirë, por ka ende shpresë dhe ne besojmë në rivendosjen e drejtësisë për natyrën. Rrjedhat edhe lumenjtë duam ti shohim më të lirë andaj kemi me e vazhdu luftën për ta.