Gjykata Themelore në Prishtinë përsëri ka aprovuar propozimin e GLPS dhe OJQ ‘Gjethi’ për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimeve për Leje Ujore dhe Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) njofton se Gjykata Themelore në Prishtinë përsëri ka aprovuar propozimin e GLPS dhe OJQ ‘Gjethi’ për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimeve për Leje Ujore dhe Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3

Oganizatat GLPS dhe Gjethi, në fund të vitit 2021, kanë paraqitur nëpërmjet Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike padi me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit për Lejen Ujore dhe të Vendimit për lëshimin e Lejes Mjedisore të lëshuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik.

Lidhur me kërkesën e palës paditëse për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve të kontestuara, Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Administrative përsëri ka vërtetuar se paditëset kanë ofruar prova të besueshme, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm paditësve, i cili dëm vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara nuk është në kundërshtim me interesat e publikut. Andaj, Gjykata ka vendosur që të aprovojë shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara deri në vendosjen përfundimtare të çështjes.

Gjykata e Apelit kishte prishur Aktvendimin e parë të Gjykatës Themelore për këtë çështje, pas ankesave të parashtruara nga e paditura dhe pala e interesuar duke e kthyer lëndën në gjykatën e shkallës së parë për rivendosje, me qëllim të eleminimit të dilemave e afatshmërisë së padisë. Në këtë drejtim Gjykata Themelore kishte kërkuar nga paditëset të paraqesin prova për të vërtetuar afatshmërinë e padisë dhe pas paraqitjes së provave Gjykata Themelore konstatoi se padia është paraqitur brenda afatit ligjor.

GLPS dhe Gjethi mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike.

GLPS dhe Gjethi për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit për Leje Ujore dhe të Vendimit për Leje Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ju njofton se:

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar propozimin e GLPS dhe Gjethi për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit për Leje Ujore dhe të Vendimit për Leje Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 – Kaçanik, të lëshuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës deri në vendosjen meritore të çështjes

Më 30 dhjetor 2021, organizatat GLPS dhe Gjethi kanë paraqitur nëpërmjet Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike padi me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit për Lejen Ujore me Nr. Prot. 6724-2/19 dhe të Vendimit për lëshimin e Lejes Mjedisore me nr. Prot 1948-4/19 të lëshuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative ka aprovuar si të bazuar propozimin e GLPS dhe Gjethi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të cekura deri në vendosjen meritore të çështjes. Gjykata ka vlerësuar se ekzekutimi i këtyre vendimeve do t’i sillte dëm natyrës, i cili vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e tillë nuk është në kudërshtim me interesin publik e as nuk do t‘i sillte dëm të madh palës kundërshtare. GLPS dhe Gjethi mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike.

Siç kanë theksuar organizatat paditëse në padi, procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore dhe Lejes Mjedisore për Hidrocentralin Lepenci 3 në Kaçanik, ka pasur shkelje ligjore si:

(i) mos-zbatimi i procedurës së koncesionit

(ii) mungesa e debatit publik apo mungesa e njoftimit adekuat të publikut për të,

(iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj,  si dhe

(iv) mohimi i të drejtës së banorëve të Kaçanikut për ujë të pijshëm dhe të ujitjes,

Rikthehet masa pezulluese mbi punën e Hidrocentralin Brezovica – HC Brezovica në Shtërpcë

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues te mediave,

Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e Hidrocentralit në Brezovicë.

Gjykata Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentralit ishte kundër interesit publik!

Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i gjykatës së Apelit, pasi që nuk ka arritur t’i vlerësojë dhe peshojë të gjitha rrethanat që parashihen në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative në mënyrë kumulative, si dhe ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës mbi faktet vendimtare.

Sipas Gjykatës Supreme, paditësit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralin në Brezovicë nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Ojq ‘GAIA’ kanë dërguar padi në këtë rast përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike. Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Shtërpcës! Sepse do të thotë që me pezullimin e lejes ujore për HC Brezovica, kompania ndërtuese nuk mund të aplikojë për leje mjedisore, lëshimi i të cilës është parakusht për të operuar hidrocentrali. GLPS dhe GAIA kanë dërguar padi vetëm kundër lejes ujore për Hidrocentralin Brezovica, sepse është e vetmja që kanë pranuar deri më tani nga Ministria e Mjedisit, edhe pse që gati një vit kërkojnë lejet ujore për hidrocentralet tjera në Shtërpcë, pra hidrocentralet Sharri, Shtërpca dhe Viça.

Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta! E të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme!

Aktgjykimi i Gjykatës Supreme në Rastin e Hidrocentraleve në Deçan

KOMUNIKATË PËR MEDIA:

“Aktgjykimi i Gjykatës Supreme në Rastin e Hidrocentraleve në Deçan”

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues te mediave,

Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e Hidrocentraleve në Deçan.

Gjykata Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentraleve ishte kundër interesit publik! Gjykata Supreme ka konstatuar se paditësit, zt. Selmanaj dhe banorët tjerë të Deçanit, kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralet në Deçan nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Ojq ‘Pishtarët’ janë palë të interesuara në proces, dhe për të njëjtën çështje kanë dërguar gjithashtu padi përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit! Sepse do të thotë që hidrocentralet në Deçan nuk do të mund të operojnë më ligjshëm derisa gjykata të nxjerr një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e lejeve.

Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta! E të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme!

Konferencë mbi kërkesën e aprovuar nga GLPS dhe GAIA për shtyrjen e ekzekutimit të Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica

Më 26 shkurt 2021, organizatat paditëse GLPS dhe GAIA kanë paraqitur padi kundër Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica në Komunën e Shtërpcës, të lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Hidrocentrali Brezovica është një nga katër hidrocentralet (HC Shtërpca, HC Sharri dhe HC Viça) të ndërtuara nga kompania Matkos Group Sh.p.k. në Komunën e Shtërpcës. Procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për këto 4 hidrocentrale ka qenë jotransparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja. Pavarësisht kërkesave të shumta të organizatave paditëse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk u ka dërguar dokumentet e kërkuara që kanë të bëjnë me mbajtjen e debateve të publike dhe procedurave të tjera ligjore. GLPS dhe GAIA kanë potencuar me padi shkeljet si në vijim: (i) mungesa e debatit publik apo njoftimit adekuat të publikut për të, (ii) mohimi i të drejtës së banorëve të Shtërpcës për ujë të pijshëm dhe të ujitjes, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) ndërtimi i kundërligjshëm në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharr. Organizatat paditëse synojnë të anulojnë të gjitha lejet ujore/mjedisore dhe vendimet tjera të lëshuara në këtë proces si dhe të shtyjnë ekzekutimin e të gjitha këtyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e tërë procesit.

Më 25 mars 2021, organizatat paditëse kanë pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin është aprovuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për hidrocentralin Brezovica, duke vlerësuar se “paditësit/propozuesit kanë ofruar argumente të besueshme, dhe atë fotot të protestave të mbajtura ndër vite të qytetarëve lidhur me mos ndërtimin e hidrocentralit, foto të dëmtimit të natyrës, raporte të organizatave të ndryshme lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm banorëve të pjesës në të cilën parashihet të operojnë këto Hidrocentrale, dëm ky i cili vështirë do të riparohej.”

Në konferencë për media, Alba Dushi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka theksuar se sa i përket mos-informimit të qytetarëve për mbajtjen e debatit publik, është pranuar nga vetë kompania ndërtuese se asnjë qytetar i Shtërpcës nuk ka marrë pjesë në debat. Sapo kanë kuptuar që në lumin e tyre po ndërtoheshin hidrocentralet, qytetarët kanë dalur menjëherë në protesta pa u ndalur me vite të tëra, por ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga askush. Kjo dëshmon se qytetarët nuk janë njoftuar për debatin publik si duhet, dhe rrjedhimisht janë lënë tërësisht jashtë procesit, i cili ka qenë jotransparent që nga fillimi. E vetmja gjë që i ka ndalur protestat e qytetarëve ka qenë pandemia, se ata edhe sot do të kishin qenë duke protestuar. Një shkelje tjetër është edhe ndërtimi në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharri, një zonë në të cilën nuk mund të ndërtohet sepse dëmtohet flora, fauna e biodiversiteti. Ky aktvendim me të cilin është aprovuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica është një hap pozitiv për qytetarët e Kosovës. Natyra jonë na takon të gjithëve ta mbrojmë, dhe ne nuk duhet të lejojmë më që për interesa private të degradohet kjo natyrë. Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është e përkushtuar që të luftojë praktikën e lëshimit të lejeve për hidrocentrale kur kriteret ligjore nuk plotësohen si dhe në fund të largojë këto hidrocentrale që po shkatërrojnë lumenjtë tanë.

Gjithashtu, Mevlude Skuroshi nga GAIA ka theksuar se jemi të vetëdijshëm që ky është një hap i vogël në një proces shumë të gjatë, megjithatë është hap i mirëpritur. I bëjmë thirrje Qeverisë së re, bashkë me Ministrinë e Mjedisit, dhe Ministrin e saj të ri, me ndërmarrë masa të menjëhershme për çështjen e hidrocentraleve, i bëjmë thirrje për me marrë përgjegjësi edhe mos me leju projekte tjera të cilat kërcënojnë zonat e mbrojtura, ujin e pijshëm dhe ujin e ujitjes. Gjithashtu i’a kujtojmë Qeverisë së re që komuniteti lokal në Shtërpcë, në Sharr, i mbështet fortë shpresat e tyre në premtimet që i keni dhënë, prandaj presim që ato premtime të përmbushen e mos të jenë të kota. Lumenjtë tonë kanë qenë viktima të një procesi që nuk është menduar mirë, por ka ende shpresë dhe ne besojmë në rivendosjen e drejtësisë për natyrën. Rrjedhat edhe lumenjtë duam ti shohim më të lirë andaj kemi me e vazhdu luftën për ta.