Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dorëzon padi kundër lëshimit të lejeve për Hidrocentralin Deçani dhe Belaja

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike do të dërgojë padi për konflikt administrativ kundër këtyre dy institucioneve publike për lëshimin e lejeve mjedisore, lejeve ujore dhe licencave për Hidrocentralet HC Deçani dhe HC Belaja të ndërtuara dhe operuara nga Kelkos Energy Sh.p.k.

Kjo për arsye se CSL konsideron se procesi i lëshimit të vendimeve të lartpërmendura është karakterizuar me një numër të shkeljeve ligjore, të cilat përfshijnë por nuk limitohen në mungesën e mbajtjes së debatit publik dhe mungesën e përfshirjes së qytetarëve në vendimet për mjedisin ku jetojnë.

Me këtë padi synojmë të anulojmë ato vendime të cilat janë lëshuar në kundërshtim me ligjin si dhe të shtyjmë ekzekutimin e të gjitha këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e tërë procesit.

Sipas Arbër Fetahut, lëshimi i këtyre lejeve ka qenë jotransparent. “Kelkos Energy” nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç e kërkon ligji dhe e ka degraduar mjedisin. Prandaj mbi këtë bazë ne kemi kërkuar nga gjykata anulimin e këtyre vendimeve për licenca, si dhe kemi kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e procesit”, ka deklaruar Fetahu.

Në bazë të provave të siguruara nga paditëset OJQ Pishtarët dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, si dhe nga qytetaret e Deçanit, ne kemi gjetur se procesi i lëshimit të këtyre lejeve është karakterizuar me një numër të shkeljeve ligjore. Kështu, ne kemi gjetur se:

(1) gjatë procesit të lëshimit të lejeve, qytetarëve të Deçanit u është shkelur e drejta e tyre themelore e garantuar me Kushtetutë, u është mohuar e drejta për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë. Pra, zhvillimi i një projekti kaq të madh si ndërtimi i Kaskadës së Hidrocentraleve në Deçan, me pasoja shumë të rënda në jetën e qytetarëve që jetojnë aty, është mbajtur pa zhvilluar debat publik siç kërkohet nga ligji:

(2) Gjithashtu, ne kemi gjetur se procesi i lëshimit të këtyre lejeve ka qenë jo-transparent dhe se është vërtetuar gjendja e gabuar faktike gjatë lëshimit të vendimeve. Përkatësisht, nga provat që kemi siguruar, kompania Kelkos Energy Sh.p.k. nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç kërkohet nga ligji dhe ka degraduar mjedisin. Prandaj, mbi këtë bazë, ne kemi kërkuar nga gjykata Anulimin të gjitha këtyre vendimeve për leje dhe licenca, si dhe kemi kërkuar Shtyrjen e Ekzekutimit të këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e tërë procesit”.