Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka marrë aktgjykim për aprovimin në tërësi si të bazuar padinë në rastin e hidrocentraleve në Deçan

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka kënaqësinë t’ju njofotjë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktgjykim për aprovimin në tërësi si të bazuar padinë në rastin e hidrocentraleve në Deçan kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), si dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Me këtë Aktgjykim janë anuluar nëntë (9) vendimet e kundërshtuara përmes padisë të lëshuara nga dy të paditurat, MMPHI dhe ZRRE.

Pas një pune tre vjeçare para gjykatës, drejtësia fitoi dhe u vërtetua që pretendimet janë të bazuara në tërësi të palës paditëse z. Selmanaj dhe të tjerët, si dhe të palës ndërhyrëse, Grupi për Studime Juridike dhe Politike përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe të tjerët.

Gjykata gjeti se MMPHI ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale duke zbatuar nenin 71 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe kështu në mënyrë të paligjshme ka lëshuar Lejet Ujore për prodhimin e energjisë elektrike dhe po ashtu gjeti se MMPHI nuk ka arritur të dëshmojë se pala e interesit – Kelkos Energy Sh.p.k ka zbatuar masën e duhur për rehabilitim ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit. Gjithashtu, Gjykata vërtetoi se lejet mjedisore janë dhënë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit për arsye se nuk janë zbatuar dispozitat, të cilat do të mundësonin rehabilitimin e mjedisit rreth së cilit janë ndërtuar hidrocentralet. Në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës, u theksua se “Gjykata i fali besimin e plotë Raportit të Grupit Punues për shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentralet dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis të 30 qershorit 2021”, ku konstatohet se eksploatimi i zhavorrit dhe rërës në lokacionin “Zalli i Rupës” është bërë në kundërshtim me ligjin.

Me këtë Aktgjykim Gjykata detyroi të paditurën – MMPHI që të krijojë mekanizma ad-hoc për të identifikuar, raportuar dhe sanuar të gjitha dëmet mjedisore të shkaktuara nga pala e interesit, dëme të cilat janë provuar para Gjykatës përmes dyzet e pesë (45) fotografive të dorëzura nga ana e paditësit dhe palës ndërhyrëse. Më tutje, Gjykata gjeti se edhe vendimet e të paditurës së dytë – ZRRE janë marrë me aplikim jo të drejtë të dispozitave ligjore dhe me këtë rast ka vendosur që t’i anulojë, si dhe duke theksuar se këto vendime bazohen tërësisht në akte të paligjshme.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit. Gjykata vërtetoi se lejet dhe licencat e nxjerra për operimin e hidrocentraleve në Deçan janë të jashtëligjshme dhe të njëjtat kjo Gjykatë i anuloi.

Vendosja e ligjshmërisë në të drejtën mjedisore nuk është kërkesë e vetëm një paditësi, por mbi të gjitha mbrojtje e interesit të përgjithshëm. Prandaj, për raste të tilla Qendra bën thirrje që të gjithë qytetarët që konsiderojnë se ju është shkelur ndonjë e drejtë duke cënuar të drejtat mjedisore, të paraqesë rastin në Qendër në www.gravitasllc.site. Së bashku, ne do të luftojmë probleme kolektive nëpërmjet rasteve individuale!

Ju faleminderit!

CSL parashtron ankesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kundër të licencuarit KESCO për moskryerjen e oligimeve ligjore.

Të nderuar qytetarë,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (#CSL) ju njofton se ka parashtruar ankesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (#ZRRE) kundër të licencuarit KESCO për moskryerjen e oligimeve ligjore. Qendra ka pranuar kërkesën e një qytetareje për t’i ofruar ndihmë juridike në fushën e gëzimit të së drejtës së saj për qasje në shërbime publike. CSL ka marrë rastin e saj për arsye se ka vërejtur se #KESCO ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren e ZRRE-së për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë.

Në këtë rast, qytetares/konsumatores së energjisë elektrike i është shkelur e drejta në vazhdimësi të furnizimit me energji elektrike, për arsye se KESCO ka vepruar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ZRRE duke e shkyçur pa e njoftuar në mënyrë të duhur, si dhe duke mos e rikyçur brenda afatit të përcaktuar pa asnjë njoftim parprak. Konsumatorja e energjisë elektrike është shkyçur nga furnizimi me energji, për arsye të mospagesës së një fature. Shkyçja e konsumatores nga sektori i energjisë kishte ndodhur në kundërshtim me rregullat e përcaktuara, sepse neni 14, paragrafi 5 i Rregullës për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë, përcakton se njoftimi për shkyçje duhet të bëhet të paktën tre (3) ditë kalendarike para datës për shkyçje. Në këtë rast kjo nuk ka ndodhur dhe konsumatorja e ka pranuar njoftimin për shkyçje vetëm pasi kishte ndodhur shkyçja.

Për më tepër, as rikyçja nuk ka ndodhur sipas rregullave të përcaktuara nga ZRRE, sepse edhe pas pagesës së borxhit të mbetur, rikyçja në furnizimin me energji elektrike nuk ka ndodhur. Rregullorja për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë përcakton se: “Një ndërmarrje e energjisë do ta rikyçë objektin e një konsumatori të shkyçur jo më vonë se 24 orë pasi të jenë plotësuar kushtet për rikyçje (…)”. Edhe pse konsumatorja ka njoftuar me kohë për përmbushjen e kushteve për rikyçje, të cilin email KESCO ka konfirmuar që e ka pranuar, rikyçja nuk është bërë as pas 48 orëve. Kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të konsumatores , për arsye se konsumatorët kanë të drejtë të kenë qasje jodiskriminuese në sistemet e transmetimit, shpërndarjes dhe të interkoneksionet dhe të kenë vazhdimësi të furnizimit.

Qendra (CSL) me ankesën e parashtruar kërkon që të merren masa ndaj të licencuarit KESCO, në mënyrë që në të ardhmen KESCO të jetë më e përgjegjshme dhe të veprojë çdo herë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga ZRRE.

CSL mbetet e përkushtuar në luftimin e problemeve kolektive përmes rasteve individuale.CSL fton të gjithë ata që konsiderojnë se ju është shkelur ndonjë e drejtë nga institucionet publike të na kontaktojnë duke na treguar për rastin e tyre.

Aplikoni përmes emailit [email protected] dhe vizitoni faqen tone: APLIKO . CSL ka për qëllim që t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve, përfshirë të drejtat e tyre në shërbime publike dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut përmes padive strategjike dhe mjeteve tjera ligjore

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dorëzon padi kundër lëshimit të lejeve për Hidrocentralin Deçani dhe Belaja

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike do të dërgojë padi për konflikt administrativ kundër këtyre dy institucioneve publike për lëshimin e lejeve mjedisore, lejeve ujore dhe licencave për Hidrocentralet HC Deçani dhe HC Belaja të ndërtuara dhe operuara nga Kelkos Energy Sh.p.k.

Kjo për arsye se CSL konsideron se procesi i lëshimit të vendimeve të lartpërmendura është karakterizuar me një numër të shkeljeve ligjore, të cilat përfshijnë por nuk limitohen në mungesën e mbajtjes së debatit publik dhe mungesën e përfshirjes së qytetarëve në vendimet për mjedisin ku jetojnë.

Me këtë padi synojmë të anulojmë ato vendime të cilat janë lëshuar në kundërshtim me ligjin si dhe të shtyjmë ekzekutimin e të gjitha këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e tërë procesit.

Sipas Arbër Fetahut, lëshimi i këtyre lejeve ka qenë jotransparent. “Kelkos Energy” nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç e kërkon ligji dhe e ka degraduar mjedisin. Prandaj mbi këtë bazë ne kemi kërkuar nga gjykata anulimin e këtyre vendimeve për licenca, si dhe kemi kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e procesit”, ka deklaruar Fetahu.

Në bazë të provave të siguruara nga paditëset OJQ Pishtarët dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, si dhe nga qytetaret e Deçanit, ne kemi gjetur se procesi i lëshimit të këtyre lejeve është karakterizuar me një numër të shkeljeve ligjore. Kështu, ne kemi gjetur se:

(1) gjatë procesit të lëshimit të lejeve, qytetarëve të Deçanit u është shkelur e drejta e tyre themelore e garantuar me Kushtetutë, u është mohuar e drejta për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë. Pra, zhvillimi i një projekti kaq të madh si ndërtimi i Kaskadës së Hidrocentraleve në Deçan, me pasoja shumë të rënda në jetën e qytetarëve që jetojnë aty, është mbajtur pa zhvilluar debat publik siç kërkohet nga ligji:

(2) Gjithashtu, ne kemi gjetur se procesi i lëshimit të këtyre lejeve ka qenë jo-transparent dhe se është vërtetuar gjendja e gabuar faktike gjatë lëshimit të vendimeve. Përkatësisht, nga provat që kemi siguruar, kompania Kelkos Energy Sh.p.k. nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç kërkohet nga ligji dhe ka degraduar mjedisin. Prandaj, mbi këtë bazë, ne kemi kërkuar nga gjykata Anulimin të gjitha këtyre vendimeve për leje dhe licenca, si dhe kemi kërkuar Shtyrjen e Ekzekutimit të këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e tërë procesit”.