CSL: Gjykata Supreme konfirmon pezullimin e “Parkut të Aventurave” në Gërmi

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ju njofton se: Gjykata Supreme ka konfirmuar pezullimin e “Parkut të Aventurave” në Gërmi!

Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur përfundimisht që të mbetet në fuqi pezullimi i projektit “Parku i Aventurave” në Gërmi deri në vendosjen përfundimtare të rastit sipas padisë.

Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën e të paditurës Komuna e Prishtinës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, duke lënë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin gjithashtu ishte refuzuar si e pabazuar ankesa e Komunës së Prishtinës kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore me të cilin ishte shtyrë ekzekutimi i Vendimit të Komunës së Prishtinës, konkretisht lejes mjedisore komunale.Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat instancave më të ulëta kanë vepruar drejtë kur kanë vendosur që të aprovojnë kërkesën tonë dhe të Qytetarëve Aktivë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të organit administrativ deri në vendosjen përfundimtare të rastit. Gjykata e shkallës më të lartë konfirmoi se, vendimet e gjykatave kanë dalë nga provat që vërtetojnë se ekzekutimi i vendimit të kontestuar paraqet rrezik për shkaktim të dëmit paditësve, i cili vështirë do të riparohej, duke marrë parasysh dëmin që mund t’i shkaktohet një parku të mbrojtur mjedisor dhe degradimit të natyrës. Po ashtu, është vërtetuar se kompanisë nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje e madhe, gjë që do të thotë se janë plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

Flutra Zymi nga OJQ ‘Qytetarët Aktivë’ dhe dhe Valbonë Mustafa eksperte mjedisore, e konsideruan këtë vendim një fitore shumë e madhe për të gjithë qytetarët! Sepse do të thotë që projekti nuk do të mund të zhvillohet dhe se Parku i Gërmisë nuk do të rrezikohet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga ana e gjykatës. Ato bënë thirrje që ambienti të mbrohet dhe që aktivizmi qytetar të mos ndalet kur shkelje të tilla janë evidente.