Padi për Konflikt Administrativ kundër Vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)  ka  dorëzuar:
“Padi për Konflikt Administrativ kundër Vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë”

Organizatat paditëse GLPS, Instituti GAP dhe INDEP, më datë 26 dhjetor 2023 kanë paraqitur Padi për Konflikt Administrativ për të kontestuar Vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Në të njëjtën kohë, paditësit kanë paraqitur kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të kontestuar.

Ky rast është vazhdimësi e rasteve strategjike të cilat Qendra i dërgon në Gjykatë, të cilat dëmtojnë interesin e qytetarëve dhe nëpërmjet padive dhe mjeteve tjera juridike synon t’i rregullojë këto shkelje, si dhe në të njëjtën kohë, synon të ngrisë vetëdijen qytetare për probleme të caktuara në sistemin tonë.

Paditësit konsiderojnë se vendimi për refuzimin e ankesës si të pabazuar nga bordi i OSHP-së dhe lënia në fuqi e vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). MMPHI nënshkroi kontratat me operatorët ekonomik fitues përkundër faktit se ishin në dijeni se njëri nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet kishte paraqitur ankesë pranë OSHP-së. Ky veprim i MMPHI është në kundërshtim me nenin 112, pika 1 e LPP-së që përcakton që dorëzimi i ankesës obligon autoritetin kontraktues që automatikisht t’a pezullojë aktivitetin e prokurimit. Edhe pse OSHP e ka identifikuar këtë shkelje, e njëjta ka lënë në fuqi kontratën me arsyetimin se OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik.

Paditësit konsiderojnë që ky arsyetim është i paqëndrueshëm, madje marrja e një vendimi të tillë në fakt dëmton interesin e përgjithshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit shtetëror, dhe lejon që të vazhdohet një proces i kundërligjshëm.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike

Luftimi i Problemeve Kolektive Përmes Rasteve Individuale

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është një platformë që synon të forcojë sundimin e ligjit në Kosovë përmes procesit gjyqësor strategjik. Procesi gjyqësor strategjik është dërgimi në gjykatë i rasteve nga të cilat mund të përfitojnë shumë qytetarë; raste të cilat përveç se i shërbejnë interesit të paditësit individual mund t’i shërbejnë edhe interesit të publikut. Procesi gjyqësor strategjik njihet si një mjet i fuqishëm për reforma ligjore, politike dhe sociale, sepse qëllimi i vet është që të arrihet një ndryshim i gjerë dhe afatgjatë, e jo vetëm që të fitohet rasti në fjalë. Ky proces po ashtu përfshin përdorimin e mediave, avokimit, trajnimeve dhe instrumenteve të tjera, në mënyrë që të rritet vetëdija e publikut për probleme të caktuara që duhet të rregullohen, si dhe të ushtrohet presion në autoritetet përgjegjëse që të marrin vendime të drejta dhe në kohë.

Si e para e llojit të saj në Kosovë, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike identifikon rastet strategjike, apo rastet nga të cilat mund të përfitojnë shumë qytetarë, dhe pastaj i përgatit dhe i dërgon ato para gjykatave apo administratës publike. Përfaqësimi i palëve në këto raste bëhet nga avokatët apo juristët e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike, një grup i dedikuar për të mbrojtur të drejtat e personave të përfaqësuar si dhe për të bërë ndryshimin për të gjithë ata që gjenden në pozitë të njëjtë.

Vlerat Themelore të punës së Qendrës përfshijnë vlerat si mbizotërimi i drejtësisë, mbrojtja e interesit publik, integriteti, dinjiteti, respektimi i ligjit dhe gjykatës, llogaridhënia, diversiteti, barazia, drejtësia sociale dhe ndalimi i gjuhës së urrejtjes.

Misioni i Qendrës

Misioni i Qendrës është që të vihen në pah dhe të rregullohen problemet ekzistuese me:

(1) përmbajtjen e akteve juridike në Kosovë, siç janë zbrazëtitë apo paqartësitë në ligje, si dhe me

(2) implementimin apo interpretimin e këtyre akteve juridike nga institucionet publike.

Duke qenë se në shumë raste institucionet publike në Kosovë shkelin të drejtat e qytetarëve duke mos zbatuar aktet juridike si duhet, misioni i Qendrës është që këto shkelje të dalin në pah e të mos përsëriten më, apo së paku, të ndëshkohen si duhet.

Gjithashtu, misioni i Qendrës është që të krijohen precedentë, të ngritet vetëdija e popullit, të vihen në pah padrejtësitë, të promovohen të drejtat e njeriut si dhe të nxiten ndryshime aty ku nevojiten. Qendra punon t’i arrijë këto përmes dërgimit të rasteve strategjike në gjykatë apo administratë, si dhe duke i futur ato në agjendën publike përmes përdorimit të mediave, avokimit të vazhdueshëm, trajnimeve dhe shpërndarjes së analizave tek qytetarët.

Fusha e Shërbimit Tonë

Fusha e Shërbimit të Qendrës përfshin vetëm rastet ku institucionet publike në Kosovë kanë shkelur të drejtat e qytetarëve. Qendra synon të mbështesë ata të cilët janë dëmtuar nga veprimet apo mosveprimet e administratës publike dhe gjykatave. Qendra fokusohet në, ndër të tjera, shkeljet e institucioneve publike të të drejtave të njeriut, të ligjit për mbrojtjen e mjedisit, të ligjit të punës dhe të ligjit për qasje në dokumente publike.

Qendra i vlerëson rastet në bazë të këtyre kritereve:

  • Interesi Publik: A ndikon shkelja e bërë nga institucionet publike negativisht në interesin publik? Nga një vendim i drejtë i gjykatës në rastin në fjalë, apo edhe vetëm nga ngritja e vetëdijes kolektive për problemin e caktuar, a mund të përfitojnë një numër i madh i qytetarëve?
  • Reformë: A ka potencial rasti që të sjellë reforma ligjore, politike dhe sociale aty ku nevojiten?
  • Zhvillim: A mund të sjellë rasti përfitime në zhvillimin, interpretimin apo implementimin e akteve juridike në Kosovë?
  • Standarde Ndërkombëtare: A ka potenical rasti të sjellë standarde ndërkombëtare në legjislacionin vendor?

Rastet Strategjike

Rastet Strategjikeidentifikohen në dy mënyra:

(1) nëpërmjet hulumtimeve të bëra në Qendër, dhe

(2) nëpërmjet pranimit të aplikacioneve nga personat e interesuar të sjellin rastin e tyre në Qendër.

Qendra është e hapur për publikun dhe të gjithë mund të aplikojnë në të. Për më shumë informata se si të aplikoni dhe se si është procesi i vlerësimit kliko Si të Aplikoni.