Rasti i kategorizimit të gabuar për personin paraplegjik dhe tetraplegjik

GLPS dhe një qytetare ushtrojnë padi kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve

Personat paraplegjik dhe tetraplegjik përkufizohen si persona që, si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor qendror apo periferik, kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme, respektivisht ekstremiteteve të poshtme dhe të sipërme. Duke qenë se personat paraplegjik dhe ata tetraplegjik nuk janë në gjendje që të përkujdesen për vete në mënyrë të pavarur, ata për të kryer nevojat elementare duhet të kenë shoqërues. Pavarësisht që statusin dhe të drejtat e këtyre dy kategorive e rregullon Ligji nr.05/L -067 për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, i cili ndër të tjera parasheh të drejtën në kompensim mujor si dhe të drejtën për kujdestar që u takon këtyre personave, në praktikë institucionet ua mohojnë këto drejta personave në bazë të vendimeve të paarsyetuara dhe duke mos i marrë parasysh raportet mjekësore që e vërtetojnë gjendjen shëndetësore të tyre.

Një fat të tillë e kishte edhe një qytetare nga Prishtina, të cilës i ishte refuzuar ankesa për rishqyrtim të vendimit, me të cilin është kategorizuar në Grupin e Dytë dhe i është mohuar e drejta për shoqërues. Me këtë rast, qytetarja dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (Qendra), më datë 8 shkurt 2023, dorëzuan si bashkëpaditës padinë për konfliktin administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

Në këtë Padi, CSL dhe qytetarja pretendojnë kundërligjshmërinë e vendimit të Divizionit të Skemave Pensionale – Departamenti i Pensioneve në kuadër të MFPT-së (Vendimi i Kontestuar), i datës 28 dhjetor 2022, për refuzimin e ankesës për rishqyrtim të vendimit me të cilin ajo është kategorizuar në Grupin e Dytë dhe i është mohuar e drejta për shoqërues.

Bashkëpaditësit vlerësojnë se vendimi i kontestuar është marrë në kundërshtim me parimin kushtetues të mos diskriminimit, dispozitat e Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), Rregulloren (QRK) nr. 07/2017 për përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë e komisionit vlerësues dhe përcaktimin e procedurave për njohjen e statusit dhe të drejtave të personave paraplegjik dhe
tetraplegjik (Rregullorja nr. 07/2017).

Se vendimi për vendosjen në grupin e dytë të personit paraplegjik dhe tetraplegjik dhe refuzimi i ankesës së bashkëpaditëses është i përfshirë në shkelje të parimit kushtetues të mos diskriminimit argumentohet me faktin se organi vendimmarrës duke e larguar nga Grupi i Parë, ia ka mohuar të drejtën në kujdestar personal. Me mosdhënien e një përshtatje/akomodimi të arsyeshëm e në përputhje me nevojat specifike të bashkëpaditëses, vlerësohet se organi vendimmarrës nuk e ka trajtuar në mënyrë të barabartë përkatësisht e ka diskriminuar qytetaren në bazë të aftësisë së saj të kufizuar.

Vendimi i atakuar pretendohet se bie në kundërshtim me ligjin bazik që rregullon statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, për arsye se në procedurën e rivlerësimit kjo qytetare ishte vlerësuar se i takon Grupit të Dytë e jo Grupit të Parë, pavarësisht se raportet mjekësore dëshmojnë se ajo i takon Grupit të Dytë. Rrjedhimisht, vendosja e bashkëpaditëses në Grupin e Dytë nënkupton heqjen e të drejtës së saj për të pasur shoqërues, përkundër faktit që ajo ka pasoja të përhershme në shëndetin e saj si dhe nuk mund të kryej nevojat elementare ditore pa ndihmën e një personi tjetër.

Tutje, mos arsyetimi i vendimit mbi refuzimin e ankesës së bashkëpaditëses, mos përfshirja e raportit të Komisionit Konziliar si dhe e raporteve tjera mjekësore, më të cilat vërtetohet diagnoza dhe gjendja shëndetësore e bashkëpaditëses,paraqesin bazë tjetër mbi të cilën bashkëpaditësit thirren se vendimi i atakuar është marrë në kundërshtim me LPPA, Rregulloren nr.07/2017 si dhe nga mos ekzaminimi i duhur nga Komisioni Vlerësues.

Të gjitha këto pretendime janë argumentuar me prova dhe arsyetime në Padi, përmes së cilës, bashkëpaditësit kanë kërkuar nga ana e Gjykatës që ta aprovojë në tërësi këtë padi dhe që ta anulojë vendimin e atakuar. Gjithashtu, është kërkuar që të aprovohet kërkesa që qytetarja të vendoset në Grupin e Parë dhe që të detyrohet MFPT-ja t’ia kompensojë pensionin në mënyrë retroaktive nga data 31 korrik 2022.

Lidhur me këtë padi, MFPT më datë 13 prill 2023, ka dorëzuar në Gjykatë përgjigje në padi përmes së cilës i kanë kundërshtuar pretendimet e paditësve dhe kanë kërkuar që të hedhet poshtë kërkesëpadia Vendimi i Kontestuar.

Më datë 26 korrik 2023, Gjykata ka mbajtur seancën përgatitore. Në këtë seancë, përfaqësuesi ligjor i bashkëpaditësve ka deklaruar se mbesin në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe ka kërkuar nga ana e gjykatës që të caktohet ekspertizë mjekësore për vlerësimin e gjendjes. Këtë propozim e kishte aprovuar gjyqtarja e çështjes dhe kishte vendosur që seanca e radhës të mbahej pas përpilimit të kësaj ekspertize.

Në anën tjetër, përmes parashtresës së datë 27 korrik 2023, përfaqësuesi ligjor i bashkëpaditësve e kishte njoftuar gjykatën se paditësi Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) tërhiqet nga padia për faktin se me Ligjin për Konfliktet Administrative është vështirë e argumentueshme që organizatat e shoqërisë civile mund të jenë mund të jenë paditës edhe në raste të tjera përveç kur është në pyetje interesi i drejtpërdrejt apo i tërthortë i atij subjekti. Andaj, i është propozuar gjykatës që kjo çështje gjyqësore të procedohet tutje vetëm me paditësen-qytetaren e cila ka interes direkt nga vendimi i atakuar.

Tutje, më datë 22 dhjetor 2023, gjykata caktoi dhe mbajti seancën e radhës në këtë çështje gjyqësore. Fillimisht, gjyqtarja e rastit vendosi që të aprovohet propozimi që GLPS të tërhiqet si paditës kurse më pas gjykimi vazhdoi me prezantimin e të gjeturave nga ekspertiza mjekësore dhe me dëgjimin e tre ekspertëve mjekësor. Këta ekspertë konstatuan se  paditësja i takon grupit të personave paraplegjik, ka dëmtime të përhershme të ekstremiteteve dhe se është e domosdoshme të ketë kujdestar, pasi që e ka të pamundur që në mënyrë të pavarur të përkujdeset për nevojat personale.

Gjykata i administroi provat që janë pjesë e lëndës, duke vazhduar më tutje me fjalën përfundimtare të palëve. Përfaqësuesi i paditëses kërkoi nga gjykata që paditëses t’ia njoh të drejtën në pension si person paraplegjik i Grupit të Parë dhe ta obligojë MFPT-në që të bëjë kompensimin retroaktiv të këtij pensioni për periudhën e përcaktuar në padi e deri në plotfuqishmëri të vendimit gjyqësor.

Pavarësisht argumenteve dhe ekspertizës mjekësore që vërtetojnë bazën e padisë, Gjykata  më datë 22 nëntor 2023, e refuzoi si të pabazuar padinë. Vendimi gjyqësor i shkallës së parë u arsyetua me faktin se provat e prezantuara nga paditësja nuk janë me ndikim për vërtetuar se paditësja i takon Grupi të Parë të personave paraplegjik dhe tetraplegjik.

Kundër vendimit të Gjykatës më të cilin u refuzua padia, përfaqësuesi i të paditurës më datë 23 nëntor 2023, dorëzoi ankesë në Gjykatën e Apelit me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë është nxjerrë përmes vërtetimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike si dhe përmes aplikimit të gabuar të dispozitave të së drejtës materiale. Andaj, përmes argumentimit të këtyre shkeljeve të vendimit të Gjykatës Themelore, përfaqësuesi i palës paditëse ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të ndryshojë këtë vendim,duke vendosur në mënyrë meritore për anulimin e vendimit të MFPT-së dhe për njohjen e të drejtës së pensionit të qytetares sipas kërkesëpadisë.

Deri më tani, ende nuk është pranuar ndonjë vendim nga Gjykata e Apelit lidhur me këtë ankesë.

Refuzimi i kërkesës për qasje në dokumente publike

GLPS ushtron padi kundër Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK)

Institucionet publike në Republikën e Kosovës e kanë për obligim që secilit person fizik dhe juridik, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, në bazë të kërkesës, t’i japin qasje në dokumentet e mbajtura, hartuara apo të pranuara nga këto institucione. E drejta e qytetarëve për qasje në dokumente publike edhe në rrafshin ndërkombëtarë është vlerësuar jo vetëm si e drejtë subjektive e palës kërkuese por edhe detyrim pozitiv mbi sistemin qeverisës që t’i bëjë të njohur publikut informacionet që janë të rëndësishme për interesat e përgjithshme shoqërore. Për më tepër, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur që e drejta në qasje në dokumente zyrtare është funksion bazik i lirisë së shprehjes sipas Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke e shfrytëzuar të drejtën për qasje në dokumente publike, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) më datë 11 korrik 2019, ka dërguar kërkesë për qasje në dokumentet publike në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që lidhen me procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve në kuadër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit. Por, pavarësisht që kërkesa i përmban të gjitha elementet dhe është parashtruar në formën e përcaktuar me ligj, KGJK nuk kishte kthyer përgjigje, pavarësisht obligimit për t’u përgjigjur brenda afateve që i përcakton Ligji për Qasje në Dokumente Publike.

Heshtja e KGJK-së në kërkesën tonë, shërbeu si arsye që GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (Qendra), më datë 2 shtator 2019, të iniciojë padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative.

Në këtë padi, Qendra ka kërkuar nga ana e Gjykatës që të vërtetojë që KGJK-ja, në kundërshtim me ligjin për qasje në dokumente publike, ka refuzuar qasjen në dokumentet publike që kanë të bëjnë me procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve në kuadër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit. Ky proces është parë si një nga proceset më të rëndësishme në sistemin gjyqësorë, marrë parasysh që këta gjyqtarë do të gjykojnë raste shumë të rëndësishme, ndër to lëndët që kanë të bëjnë me korrupsionin e profilit të lartë dhe ato të shenjëstruara si krime të rënda.

Po ashtu, Paditësi ka kërkuar që Gjykata Themelore të obligojë KGJK-në që të lejojë GLPS-në të ketë qasje në të gjitha dokumentet sipas kërkesës së datës 11 korrik 2019, informata këto që lidhen me procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Departamenteve Speciale.

Pas më shumë se katër vite nga dorëzimi i padisë, Qendra ka marrë ftesë për seancën gjyqësore të caktuar për datën 6 dhjetor 2023. Në këtë seancë, Gjykata Themelore mori vendim që padia të kthehet në plotësim. Sipas udhëzimeve të Gjykatës Themelore, Qendra brenda afateve ligjore (më 14 dhjetor 2023) plotësoi padinë në bazën ligjore dhe kërkesëpadinë.

Pavarësisht fakteve të pakontestueshme të bashkëngjitura në Padi, të cilat vërtetojnë që KGJK nuk e ka respektuar obligimin ligjor që t’i lejojë qasje GLPS-së në dokumentet publike, Gjykata Themelore më 27 dhjetor 2023, mori vendim që të hedhë poshtë si të parakohshme padinë.

Më pas, më datë 11 janar 2024 Qendra i është drejtuar Gjykatës së Apelit me ankesë, sepse nuk pajtohej më këtë vendim të Gjykatës Themelore. Qendra në këtë ankesë ka argumentuar se i vendimi i Gjykatës Themelore është nxjerrë përmes konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.

Gjykatës së Apelit  i është kërkuar që ose çështjen ta kthejë në rivendosje ose ta aprovojë në tërësi Padinë, duke anuluar vendimin e gjykatës së shkallës së parë. Aktualisht Qendra është në pritje të vendimit të Apelit për këtë ankesë.

Leja mjedisore dhe leja ujore për Hidrocentralin “Lepenci 3”

GLPS dhe OJQ Gjethi ushtrojnë padi kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI)

Në vitin 2005, me nënshkrimin e Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë (tutje: Traktati i Energjisë), Kosova kishte marrë për obligim që deri në vitin 2020, të prodhonte 25% të energjisë së saj të tërësishme nga burimet e ripërtërishme. Kjo gjë ishte konfirmuar edhe me Ligjin për Energjinë ku është përcaktuar se Qeveria miraton planin për arritjen e kësaj përqindje të energjisë së ripërtërishme. Por, me Udhëzimin Administrativ për caqet e energjisë nga burimet e ripërtërishme, ky cak ishte caktuar edhe më i lartë përkatësisht 29.89% e konsumit bruto të energjisë në Kosovë. Në përpjekje për të përmbushur obligimin nga Traktati i Energjisë, administrata e Republikës së Kosovës ka shkelur parimet ndërkombëtare dhe ligjet vendore, ndër to edhe të drejtat themelore të qytetarëve në vend duke lejuar (e në disa raste edhe ka inkurajuar) kompani private që të ndërtojnë hidrocentrale në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të ambientit. Procedurat që i kanë paraprirë ndërtimit të këtyre hidrocentraleve në shumë lumenj të Kosovës, e sidomos ato në Komunën e Kaçanikut, kanë pasur një numër të shkeljeve në faza të ndryshme të procesit.

Në këtë komunë, më datë 5 qershor 2020, nga ana e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ishte lëshuar Vendimi për Leje Ujore për ndërtimin e  Hidrocentralit “Lepenci 3”, kurse më 6 qershor 2020, ishte marrë edhe vendimi për lëshimin e Lejes Mjedisore për këtë hidrocentral.

Këto dy vendime të MMPHI-së janë kundërshtuar përmes padisë nga Qendra dhe OJQ Gjethi, të cilët më datë 30 dhjetor 2021, i janë drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, duke kërkuar që të shtyhet ekzekutimi i vendimeve të MMPHI-së dhe që pas shqyrtimit gjyqësor të bëhet edhe anulimi i tërësishëm i tyre.

Pretendimet e Qendra dhe OJQ Gjethi janë se lëshimi i Lejes Ujore dhe Lejes Mjedisore për HC Lepenci 3, ka pasur së paku katër shkelje ligjore. Së pari, Procedura e Koncesionit nuk është zbatuar; së dyti, nuk ka pasur debat publik apo ka pasur mungesë të njoftimit adekuat të publikut për të; së treti, është bërë degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj; së fundmi, banorëve të Kaçanikut u është mohuar e drejta për ujë të pijshëm dhe të ujitjes.

Së bashku më padinë, Qendra dhe OJQ Gjethi kanë dorëzuar edhe prova më të cilat vërtetohet: se leja mjedisore dhe leja ujore për Hidrocentralin “Lepenci 3” ishte lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës; efekti negativ mbi planifikimin dhe ndërtimin e hidrocentraleve në pellgun e lumit Lepenc; mungesa e debatit publik; degradimi i zonës së lumit dhe pjesëve rreth tij; kundërshtimi i qytetarëve; kundërligjshmëria e lejes për operim; mungesa e rehabilitimit të natyrës dhe e mbikëqyrjes së operimit të hidrocentralit “Lepenci 3”; si dhe mos-zbatimi i Procedurës së Koncesionit.

Gjykata Themelore, më datë 14 janar 2022, aprovoi propozimin e Qendrës dhe OJQ Gjethi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të MMPHI-së për lejen mjedisore dhe lejen ujore për ndërtimin e Hidrocentralit “Lepenci 3”, deri në vendosjen meritore të çështjes. Gjykata ka vlerësuar se ekzekutimi i këtyre vendimeve do t’i sillte dëm natyrës, i cili vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e tillë nuk është në kundërshtim me interesin publik e as nuk do t‘i sillte dëm të madh palës kundërshtare.

Më pas, MMPHI-ja dhe pala me interes juridik “Hidroenergji Sh.P.K Lepenci 3” përmes ankesave të dorëzuara në Gjykatën e Apelit më 21 janar 2022 dhe 1 shkurt 2022, kërkuan që të anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore me të cilin u vendos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve të MMPHI-së për lejen mjedisore dhe lejen ujore për ndërtimin e Hidrocentralit “Lepenci 3”.

Pas shqyrtimit të ankesës, Gjykata e Apelit më 21 shkurt 2022, mori Aktvendim me të cilin aprovoi pretendimet e  MMPHI-së dhe palës më interes juridik, duke vendosur që ta anulojë vendimin e Gjykatës Themelore dhe ta kthejë në rivendosje këtë çështje.

Pas kthimit në rivendosje, Gjykata Themelore përmes aktvendimit të datës 1 mars 2021, kishte kërkuar nga Qendra dhe OJQ Gjethi të deklarohen rreth afatshmërisë së padisë së parashtruar më 30 dhjetor 2021.

12 prill 2022, Gjykata Themelore sërish aprovoi propozimin e Qendra dhe OJQ Gjethi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për lejen mjedisore dhe lejen ujore për ndërtimin e Hidrocentralit “Lepenci 3”, deri në vendosjen meritore të çështjes. Gjykata ka vlerësuar se ekzekutimi i këtyre vendimeve do t’i sillte dëm natyrës, i cili vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e tillë nuk është në kundërshtim me interesin publik e as nuk do t‘i sillte dëm të madh palës kundërshtare.

Më pas, MMPHI-ja dhe pala me interes juridik “Hidroenergji Sh.P.K Lepenci 3” përmes ankesave të dorëzuara në Gjykatën e Apelit më 20 prill 2022 dhe 27 prill 2022, kërkuan që të anulohet ky aktvendim i Gjykatës Themelore me të cilin u vendos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve të MMPHI-së për lejen mjedisore dhe lejen ujore për ndërtimin e Hidrocentralit “Lepenci 3”.

Gjykata e Apelit refuzoi ankesat e dorëzuara nga MMPHI-ja dhe pala me interes juridik më 26 maj 2021, duke vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore, më të cili u vendos që të pezullohen vendimet për lejen mjedisore dhe lejen ujore të Hidrocentralit “Lepenci 3”.

Çështja e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit për lejen mjedisore dhe lejen ujore të Hidrocentralit “Lepenci 3” ishte adresuar edhe në Gjykatën Supreme, përmes kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor. Kjo kërkesë ishte parashtruar më datë 10 qershor 2022 nga pala me interes juridik “Hidroenergji Sh.P.K Lepenci 3”. Por, Gjykata Supreme me aktgjykimin e datës 19 korrik 2022, e refuzoi këtë kërkesë dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore për këtë çështje.

Pas këtij vendimi, pala me interes juridik “Hidroenergji Sh.P.K Lepenci 3” i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese më 20 shtator 2022. Pala i ka kërkuar kësaj gjykate që të vendosë masë të përkohshme, t’i shpallë të pavlefshme vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për leje ujore dhe leje mjedisore, si dhe të kthejë për rishqyrtim vendimin e Gjykatës Themelore të datës 12 prill 2022.

Qendra dhe OJQ Gjethi më datë 20 dhjetor 2022, dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen në njoftimin për regjistrimin e kërkesës së iniciuar nga pala me interes juridik. Në këtë përgjigje, Paditësit kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që ta refuzojë në tërësi kërkesën për masë të përkohshme, duke argumentuar se operimi i Hidrocentralit “Lepenci 3” sjellë dëm dhe cenon interesin publik.

Gjykata Kushtetuese më datë 23 janar 2023, nxjerr Aktgjykim për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në rastin e Hidrocentralit “Lepenci 3” në Kaçanik. Gjykata Kushtetuese përmes këtij Aktgjykimi ka vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke konstatuar se Gjykata Supreme, përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm për kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve. Mbi këtë bazë Gjykata e ka kthyer çështjen për rivendosje në Gjykatën Themelore.

Edhe në vendimin e datës 6 prill 2023, Gjykata Themelore aprovoi propozimin e Qendrës dhe OJQ Gjethi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të MMPHI-së për lejen mjedisore dhe lejen ujore për ndërtimin e Hidrocentralit “Lepenci 3”, deri në vendosjen meritore të çështjes. Gjykata ka vlerësuar se ekzekutimi i këtyre vendimeve do t’i sillte dëm natyrës, i cili vështirë do të riparohej dhe se shtyrja e tillë nuk është në kundërshtim me interesin publik e as nuk do t‘i sillte dëm të madh palës kundërshtare.

Më pas, MMPHI-ja dhe pala me interes juridik “Hidroenergji Sh.P.K Lepenci 3” përmes ankesave të dorëzuara në Gjykatën e Apelit më 13 prill 2023 dhe 24 prill 2022, kërkuan që të anulohet aktvendimi i Gjykatës Themelore me të cilin u vendos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve të MMPHI-së për lejen mjedisore dhe lejen ujore për ndërtimin e Hidrocentralit “Lepenci 3”.

Pas shqyrtimit të ankesave, Gjykata e Apelit më 12 maj 2023, mori aktvendim me të cilin vendosi që ta anulojë vendimin e Gjykatës Themelore dhe të refuzohet propozimi i Qendrës dhe OJQ Gjethi që të shtyhet ekzekutimi i vendimeve për leje mjedisore dhe leje ujore për Hidrocentralin “Lepenci 3”, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor për padinë.

Kundër këtij vendimi më 23 qershor 2023, Paditësit kanë dorëzuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor.

Pavarësisht që kanë kaluar më shumë se 7 muaj, deri më tani paditësit nuk kanë pranuar asnjë vendim nga Gjykata Supreme lidhur me këtë kërkesë. (Nëse kemi dokumente shtesë, kjo pjesë përditësohet)

Rasti i Hidrocentralit “Brezovica”

GLPS dhe GAIA ushtrojnë padi kundër Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit

Në vitin 2005, me nënshkrimin e Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë (tutje: Traktati), Kosova kishte marrë për obligim që deri në vitin 2020, të prodhonte 25% të energjisë së saj të tërësishme nga burimet e ripërtërishme. Kjo gjë ishte konfirmuar edhe me Ligjin për Energjinë ku është përcaktuar se Qeveria do të miratonte planin për arritjen e kësaj përqindje të energjisë së ripërtërishme. Me Udhëzimin Administrativ për caqet e energjisë nga burimet e ripërtërishme, ky cak ishte caktuar edhe më i lartë përkatësisht 29.89% e konsumit bruto të energjisë në Kosovë. Në përpjekje për të përmbushur obligimin nga Traktati, institucionet në vendin tonë, me veprime ose mos veprime, kanë lejuar ndërtimin e hidrocentraleve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe në dëm të mjedisit. Kjo kishte ndodhur edhe me vendimin e lejes ujore për ndërtimin e Hidrocentralit “Brezovica” në Komunën e Shtërpcës, e lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (tutje: Autoriteti) për kompaninë Matkos Group SH.P.K, më datë 18 shtator 2020.

Hidrocentrali Brezovica është një nga katër hidrocentralet (HC Shtërpca, HC Sharri dhe HC Viça) të ndërtuara nga kompania Matkos Group SH.P.K. në Komunën e Shtërpcës. Procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për këto katër hidrocentrale ka qenë jotransparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja. Pavarësisht kërkesave të shumta të organizatave paditëse, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk u ka dërguar dokumentet e kërkuara që kanë të bëjnë me mbajtjen e debateve publike dhe të procedurave të tjera ligjore.

Të gjendur para kësaj situate, Qendra dhe GAIA më datë 26 shkurt 2021, kanë dorëzuar Padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative kundër Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Me këtë padi, Qendra dhe GAIA kërkuan nga ana e Gjykatës që të merr vendim për shtyrjen e ekzekutimit të lejes ujore për ndërtimin e Hidrocentralit “Brezovica”, si dhe pas shqyrtimit gjyqësor të çështjes mbi ligjshmërinë e procedurës, të anulohet vendimi për leje ujore si dhe të urdhërohet kompania Matkos Group që të ndalë ndërtimin në katër hidrocentralet në Komunën e Shtërpcës.

Pretendimet e Qendrës dhe GAIA-së që leja ujore për Hidrocentralin “Brezovica” ishte dhënë në kundërshtim me ligjin argumentohen me tri fakte. E para, qytetarët nuk janë njoftuar për mbajtjen e debatit publik pavarësisht që ky është kusht i përcaktuar në Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. E dyta, nga punimet e kompanisë Matkos Group në ndërtimin e hidrocentraleve është shkatërruar ambienti si dhe i është mohuar qytetarëve e drejta për ujë të pijes dhe të ujitjes. E treta, ndërtimet e këtyre hidrocentraleve janë bërë në Zonën e Parkut të Mbrojtur “Sharri”, ku me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës ndalohet çfarëdo ndërtimi që ndikon negativisht në mjedis.

Qendra ka bashkëngjitur edhe disa prova në këtë padi, si p.sh: dokumentet e siguruara përmes kërkesave për qasje në dokumente publike, deklarata e qytetarëve të Shtërpcës, peticioni dhe ankesa e qytetarëve të Shtërpcës, fotografi që tregojnë degradimin e ambientit nga ndërtimi i hidrocentraleve gjatë viteve, raportimet në media, raportet e shoqërisë civile etj.

Gjykata Themelore me vendimin e datës 22 mars 2021, ka aprovuar kërkesën e Qendrës dhe GAIA-së për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për hidrocentralin Brezovica, duke vlerësuar se “paditësit/propozuesit kanë ofruar argumente të besueshme, dhe atë fotot të protestave të mbajtura ndër vite të qytetarëve lidhur me mos ndërtimin e hidrocentralit, foto të dëmtimit të natyrës, raporte të organizatave të ndryshme lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm banorëve të pjesës në të cilën parashihet të operojnë këto Hidrocentrale, dëm ky i cili vështirë do të riparohej.”

Kundër këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit kishte parashtruar ankesë Autoriteti (26 mars 2021) si dhe pala me interes juridik Matkos Group (13 prill 2021). Ndaj kësaj ankese, Qendra dhe GAIA dorëzuan përgjigje më datë 6 prill 2021 dhe 26 prill 2021 duke i kërkuar që të hedhë poshtë pretendimet e tyre dhe që ta lë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore.

Pas shqyrtimit të pretendimeve nga ana e paditësve, të paditurit dhe palës me interes juridik, Gjykata e Apelit më datë 17 maj 2021, vendosi që të anulojë vendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të lejes ujore për Hidrocentralin “Brezovica” si dhe të kthejë çështjen për rigjykim dhe rivendosje në gjykatën e shkallës së parë.

Gjykata Themelore pasi shqyrtoi vendimin e Apelit, më datë 17 qershor 2021, sërish aprovoi kërkesën e Qendrës dhe GAIA-së për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për hidrocentralin Brezovica. Kjo gjykatë, ashtu si edhe herën e parë vlerësoi se paditësit kanë ofruar argumente të besueshme për dëmin i cili vështirë do të riparohej.

Në procedurën ankimore, kundër këtij vendimi pala e paditur dhe pala me interes juridik me 8 korrik 2021, parashtruan përsëri ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kërkuan që të anulohet vendimi i Themelores. Në anën tjetër, Qendra dhe GAIA me përgjigjen e datës 21 korrik 2021, kërkuan nga Gjykata e Apelit që të hedhë poshtë pretendimet e tyre dhe që ta lë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore.

Pavarësisht argumenteve të ofruara nga Qendra dhe GAIA që shtyrja e ekzekutimit të lejes ujore për Hidrocentralin “Brezovica” duhet të mbetet në fuqi, Gjykata e Apelit, sërish,  më datë 30 korrik 2021, ndryshoi vendimin e Gjykatës Themelore si dhe refuzoi kërkesën e paditësve që të vendoset shtyrja e ekzekutimit të lejes mjedisore të lartcekur.

Më datë 17 shtator 2021, Qendra dhe GAIA parashtruan kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm në Gjykatën Supreme, me pretendimin që vendimi i Gjykatës së Apelit ishte i përfshirë me shkelje të së drejtës materiale dhe shkelje të dispozitave procedurale.

Kërkesa e Qendra dhe GAIA u aprovua nga Gjykata Supreme, e cila me vendimin e datës 28 tetor 2021, anuloi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore më të cilin ishte shtyrë ekzekutimi i vendimit për lejen ujore të Hidrocentralit “Brezovica”.

Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i Gjykatës së Apelit, pasi që nuk ka arritur t’i vlerësojë dhe peshojë të gjitha rrethanat që parashihen në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative në mënyrë kumulative, si dhe ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës mbi faktet vendimtare. Sipas Gjykatës Supreme, paditësit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralin në Brezovicë nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore për qytetarët e Shtërpcës sepse do të thotë që me pezullimin e lejes ujore për HC Brezovica, kompania ndërtuese e HC Brezovica nuk mund të aplikojë për leje mjedisore, lëshimi i të cilës është parakusht për të operuar hidrocentrali.

Pavarësisht që kanë kaluar rreth 3 vite që nga dorëzimi i padisë në Gjykatë, Qendra dhe GAIA ende nuk kanë pranuar ndonjë vendim apo ftesë për seancë gjyqësore për shqyrtimin e kërkesëpadisë.

Leja mjedisore për projektin “Parku i Aventurave” në Gërmi

GLPS dhe Qytetarët Aktivë ushtrojnë padi kundër Komunës së Prishtinës

Sipas klasifikimit të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), zona e mbrojtur e parkut të Gërmisë që gjendet në Komunën e Prishtinës bënë pjesë në kategorinë V të mbrojtjes (Peizazh i Mbrojtur) të zonave me rëndësi të veçantë për mbrojtje. Po ashtu, në vitin 2016, Kuvendi Komunal i Prishtinës bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës me vendim ka shpallur Gërminë si kategori “Peizazh i Mbrojtur” me sipërfaqe prej 1949 hektarë. Neni 15, paragrafi 2 i këtij Ligji parasheh se “në peizazhin e mbrojtur nuk lejohen ndërhyrjet dhe punët të cilat prishin karakteristikat për shkak të të cilave është shpallur i mbrojtur”. Pavarësisht kësaj ndalese ligjore, Komuna e Prishtinës më datë 15 tetor 2020, ka lëshuar leje mjedisore për ndërtimin dhe realizimin e projektit “Parku i Aventurave” pikërisht në kuadër të peizazhit të mbrojtur të Gërmisë.  Po kjo pjesë është konsideruar si zona më e pasur dhe më e rëndësishme e biodiversitetit në Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë si dhe zonë ku gjenden pyjet e ahut më të vjetra dhe më të ruajtura në Kosovë nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (Instituti)

12 shkurt 2021 – Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (Qendrës) së bashku me OJQ “Qytetarët Aktivë”, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative (Gjykata) për inicimin e konfliktit administrativ dhe propozimin për pezullimin e vendimit për rastin e lejes mjedisore për projektin “Parku i Aventurave”.

Baza ligjore për dorëzimin e kësaj padie për konflikt administrativ ishte heshtja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) përkitazi me ankesën e datës 25 nëntor 2020, (e përsëritur më datë 7 janar 2021) ndaj Vlerësimit të Pranueshmërisë për Zonën e Rrjetit Ekologjik të lëshuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (Agjencia) në kuadër të MEA-së si dhe ndaj Lejes Mjedisore Komunale të lëshuar nga Komuna e Prishtinës. Padia bazohej në tri pika kryesore. E para, Leja Mjedisore Komunale ishte lëshuar në mënyrë të jashtligjshme. E dyta, qytetarët nuk ishin përfshirë në vendimin i cili kishte të bënte me mjedisin jetësor në të cilin jetojnë, edhe pse Kushtetuta ua garanton këtë të drejtë. E treta, dhënia e lejes ishte bërë pa pasur plan për menaxhimin e peizazhit.

Sa i përket pikës së parë, paditësit në këtë padi kanë bashkëngjitur prova më të cilat vërtetohet se Leja Mjedisore Komunale për realizimin e Projektit “Parku i Aventurave” në Gërmi është dhënë në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke mos përfillur obligimin ligjor për mbajtjen e diskutimit publik për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrjen për projekte në natyrë. Paditësit pretendojnë se Komuna e Prishtinës ka vepruar jashtë autorizimeve që i njeh Udhëzimi Administrativ për dhënien e lejes mjedisore komunale dhe në kundërshtim me procedurat për projekte të tilla që njihen me Ligjin për Ndikim në Mjedis dhe Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës. Me këtë padi pretendohet se Komuna e Prishtinës, duke vërtetuar gabimisht gjendjen faktike dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ka nxjerrë Lejen Mjedisore Komunale pa i analizuar pasojat juridike si dhe pa i përfillur konstatimet dhe rekomandimet e Institutit.

Po ashtu, së dyti, paditësit vlerësojnë se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit “Parku i Aventurave” ka shkelur një ndër garancitë kushtetuese të qytetarëve që obligon institucionet e pushtetit publik të angazhohen për t’i garantuar qytetarëve mundësinë që të ndikojnë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata  jetojnë [Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 52, par.2] dhe obligimin ligjor për përfshirjen dhe lajmërimin publik të qytetarëve me rastin e planeve për shfrytëzimin e të mirave të natyrë [Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, neni 151]

Së treti, dhënia e Lejes Mjedisore për “Parkun e Aventurave” pa pasur Plan për Menaxhimin e Peizazhit të Mbrojtur “Gërmia” është një shqetësim tjetër që e kanë ngritur Paditësit sepse sipas tyre kërkesat ligjore janë që të përfshihet pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje por edhe planifikimi i shfrytëzimit proporcional të natyrës. [Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, neni 81, par,1: “Menaxhimi me rezervatin strikt, parkun kombëtar, parkun e natyrës, zonën e veçantë, peizazhin e mbrojtur kryhet në bazë të planit të menaxhimit”].

Nga pretendimet e lartcekura, Paditësit kanë kërkuar nga ana e gjykatës që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Komunës së Prishtinës për Lejen Mjedisore Komunale si dhe të aprovohet në tërësi padia dhe të anulohet vendimi i kontestuar.

16 shkurt 2021 – Përmes aktvendimit, Gjykata ka kërkuar nga Paditësit që të bëjnë plotësimin e padisë duke bashkëngjitur ankesën drejtuar organit administrativ të shkallës së dytë, si dëshmi se i ka shfrytëzuar mjetet e brendshme juridike pranë organeve administrative.

25 shkurt 2021 – Paditësit, përmes përfaqësuesit ligjor, kanë plotësuar padinë me provën e kërkuar.

2 mars 2021 – Gjykata aprovoi si të bazuar kërkesën e Paditësve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për Leje Mjedisore për Projektin “Parku i Aventurave”, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me kërkesëpadinë.

17 mars 2021Komuna e Prishtinës – Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës.

29 mars 2021 – Paditësit, përmes përfaqësuesit ligjor, dorëzuan në Gjykatën e Apelit përgjigje në ankesën e të paditurës. Përmes përgjigjes, i është kërkuar kësaj gjykate që në tërësi të refuzohet ankesa e palës së paditur si dhe të vërtetohet Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

1 prill 2021 – Gjykata e Apelit anuloi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për Leje Mjedisore dhe vendosi që lënda të kthehet në riprocedurë dhe rivendosje.

29 prill 2021 – Përmes Aktvendimit, Gjykata Themelore i kërkoi paditësve që ta plotësojnë padinë duke bashkëngjitur vendimin e organit të shkallës së dytë në kuadër të Lejes Mjedisore Komunale të lëshuar më 15 tetor 2020.

26 maj 2021 – Gjykata Themelore sërish aprovoi si të bazuar kërkesën e Paditësve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për Leje Mjedisore për Projektin “Parku i Aventurave”, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me kërkesëpadinë.

4 qershor 2021 – Komuna e Prishtinës ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore me të cilin është shtyrë ekzekutimi i vendimit për Leje Mjedisore.

16 qershor 2021, Paditësit, kanë dorëzuar në Gjykatën e Apelit përgjigje në ankesën e të Paditurës ku i kërkojnë kësaj gjykate që në tërësi të refuzohet ankesa e palës së paditur si dhe të vërtetohet Aktvendimi i Gjykatës Themelore.

22 qershor 2021 – Gjykata e Apelit anuloi vendimin e Gjykatës së shkallës së parë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për Leje Mjedisore për Projektin “Parku i Aventurave” të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, dhe vendosi që lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

29 korrik 2021 – Gjykata Themelore sërish aprovoi si të bazuar kërkesën e Paditësve për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për Leje Mjedisore për Projektin “Parku i Aventurave”, derisa gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me kërkesëpadinë.

5 gusht 2021 – Komuna e Prishtinës sërish ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Gjykatës Themelore.

6 shtator 2021 – Paditësit, përmes përfaqësuesit ligjor, përsëri kanë dorëzuar në Gjykatën e Apelit përgjigje në ankesën e të paditurës ku i kërkuan kësaj gjykate që në tërësi të refuzohet ankesa e palës së paditur si dhe të vërtetohet Aktvendimi i datës 29 korrik 2021.

9 shtator 2021 – Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e Komunës së Prishtinës dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për Leje Mjedisore për Projektin “Parku i Aventurave” të lëshuar nga Komuna e Prishtinës.

11 tetor 2021 – Komuna e Prishtinës paraqiti kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor në Gjykatën Supreme përkitazi me aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

2 nëntor 2021 – Paditësit dorëzuan në Gjykatën Supreme përgjigje në kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të Komunës së Prishtinës duke i kërkuar kësaj gjykate që në tërësi të refuzohet kjo kërkesë dhe të vërtetohet aktvendimi i Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për Leje Mjedisore.

10 nëntor 2021 – Gjykata Supreme refuzoi kërkesën e të paditurës , duke lënë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme ka konstatuar se gjykatat instancave më të ulëta kanë vepruar drejtë kur kanë vendosur që të aprovojnë kërkesën e Qendrës dhe të Qytetarëve Aktivë për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të organit administrativ deri në vendosjen përfundimtare të rastit. Gjykata e shkallës më të lartë konfirmoi se, vendimet e gjykatave kanë dalë nga provat që vërtetojnë se ekzekutimi i vendimit të kontestuar paraqet rrezik për shkaktim të dëmit paditësve, i cili vështirë do të riparohej, duke marrë parasysh dëmin që mund t’i shkaktohet një parku të mbrojtur mjedisor dhe degradimit të natyrës. Po ashtu, është vërtetuar se kompanisë nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje e madhe, që do të thotë se janë plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

27 shtator 2023 – Komuna e Prishtinës ka paraqitur përgjigje në padi, ku ka kërkuar nga gjykata që Padinë e Paditësve ta hedhë poshtë si të palejuar, ose të parakohshme ose të jashtë afatshme.

12 janar 2024 – Në Gjykatën Themelore është mbajtur seanca gjyqësore përgatitore. Në këtë seancë, paditësit kanë mbetur në tërësi pranë padisë duke e konsideruar të kundërligjshëm vendimin për Leje Mjedisore për Projektin “Parku i Aventurave” të lëshuar nga Komuna e Prishtinës më datë 15 tetor 2020. Në anën tjetër, përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës kërkoi nga gjykata që të hedhë poshtë padinë në bazë të pretendimeve të theksuara në përgjigjen në padi.

Shënim: Për seancat e radhës, gjykata do t’i njoftojë palët përmes ftesave të rregullta.

Rasti i pirjes së duhanit në hapësira të mbyllura

GLPS dhe një qytetare kundër MSH dhe ZKM

Pirja e duhanit në hapësira publike është shprehimisht e ndaluar me Ligjin për Kontrollin e Duhanit në Kosovë (më tej: Ligji). Sipas ligjit hapësirë e mbyllur është çdo hapësirë e mbuluar me kulm ose tavan, të lëvizshëm apo të palëvizshëm, dhe të rrethuar me dy apo më shumë anë, pa marrë parasysh llojin e materialit të përdorur dhe pa marrë parasysh nëse struktura është e përhershme apo e përkohshme. Sipas këtij definimi, edhe nëse hapësira ka dyer apo dritare në së paku dy anë, përsëri konsiderohet si hapësirë e mbyllur. Ndërsa, për qëllim të ligjit, hapësirë publike konsiderohet hapësira e mbyllur, e cila i dedikohet qëndrimit të dy apo më shumë njerëzve dhe përfshin hapësirat në të cilat kryhen aktivitetet nga lëmi i shëndetësisë, sociale, edukative, arsimore, sportive dhe rekreative, kulturore, artistike, lokaleve hoteliere e shërbyese, hapësirave për pritje, mbledhje e takime, vende të punës me pronësi publike ose private, të gjitha sallat për tubimin e njerëzve dhe mjetet e transportit publik. Pra, qytetarët gëzojnë mbrojtje nga ekspozimi ndaj tymit të duhanit.

Sidoqoftë, situata në terren deri tani ka dëshmuar që këto dispozita ligjore nuk po zbatohen. Në shumë hapësira të mbyllura ende lejohet pirja e duhanit. Në anën tjetër, moszbatimi i Ligjit rrezikon rëndë shëndetin dhe jetën e qytetarëve, duke përbërë kështu edhe shkelje të të drejtave të tyre themelore.

24 dhjetor 2020 –  Për arsye të moszbatimit të Ligjit, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (Qendra) dhe një qytetare që vuan nga astma kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm kundër Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) dhe Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës (ZKM).

Së bashku me padinë, Qendra ka bashkëngjitur prova, në formë të fotografive, lajmeve e raportimeve në media që vërtetojnë se nuk po respektohet ndalesa ligjore e pirjes së duhanit në vendet e mbyllura apo hapësirat publike. Këtë fakt e mbështetë edhe deklarata e bashkëpaditëses, e cila tregon për vështirësitë e saj për të kaluar kohë me familjen e shoqërinë në vende publike dhe lokale të mbyllura, sepse nga pirja e duhanit në këto hapësira i rrezikohet shëndeti dhe jeta.

Me këtë padi, CSL-ja dhe bashkëpaditësja kishin tri kërkesa. Së pari, kanë kërkuar nga Gjykata që të konstatojë se MSH  dhe ZKM, si dy institucionet më të larta që kanë për obligim të mbikëqyrin zbatimin e këtij ligji,  kanë shkelur të drejtat themelore në jetë dhe shëndet të qytetarëve të Kosovës me mos sigurimin për implementim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Së dyti, kanë kërkuar që të aprovohet kërkesa e bashkëpaditëses që këto dy institucione të paguajnë kompensimin e dëmit material dhe jomaterial në bazë të shumës së përcaktuar nga eksperti. Së treti, për shkak të interesit publik dhe me qëllim të implementimit të tërësishëm të bazës ligjore ndaj duhanit, i është kërkuar gjykatës që të detyrojë MSH-në dhe ZKM-në që, në bashkëpunim me organet e tjera publike, të krijojë mekanizma për zbatimin e plotë të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe për ndëshkimin e personave që shkelin dispozitat e këtij ligji.

3 mars 2022 – Të mbetur pa përgjigje nga Gjykata për më shumë se një vit, Qendra dhe bashkëpaditësja, përmes një parashtrese, i janë drejtuar përsëri Gjykatës me kërkesën që të përshpejtojë shqyrtimin e kësaj lënde. Përmes parashtresës, Gjykatës i është rikujtuar rëndësia dhe urgjenca e shqyrtimit të kësaj lënde. Qendra dhe bashkëpaditësja kanë konsideruar se vonesat në trajtimin e lëndës vazhdojnë të rrezikojnë shëndetin e bashkëpaditëses e qytetarëve të tjerë nga pirja e duhanit në vende publike, pavarësisht që kjo është e ndaluar shprehimisht me Ligjin për Kontrollin e Duhanit.

19 janar 2023 – Pavarësisht se Padia është dorëzuar më datë 24 dhjetor 2020 dhe parashtresës së datës 3 mars 2022, për përshpejtimin e shqyrtimit të kësaj lënde, nga Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm ende nuk është pranuar asnjë njoftim për veprim procedural apo ftesë për seancë përgatitore. Andaj, kërkesa e Qendrës është përsëritur duke kërkuar që rasti të shqyrtohet me urgjencë. Sidoqoftë, as pas parashtresës së dytë palët nuk kanë pranuar asnjë njoftim për veprim procedural apo ftesë për seancë përgatitore për këtë rast.

Rasti i Hidrocentraleve në Deçan

GLPS dhe Pishtarët kundër MMPHI dhe ZRRE

Rasti i Hidrocentraleve në Deçan i dërguar në Gjykatë nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është rasti i parë strategjik i dërguar në Gjykatë. Hidrocentralet në Kosovë, në dekadën e fundit janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin. Shkelja e parë që është bërë është se atyre u është dhënë leje ujore, në vend se të përdorej procedura e koncesionit, sipas ligjit, pra procedura e konkursit publik ku edhe buxheti i Kosovës do të gjeneronte të hyra. Ky rast është dërguar për arsye se përmes shkeljeve të shumta ligjore është cënuar e drejta e qytetarëve për ambient të pastër dhe të shëndetshëm.

Pas një pune tre vjeçare para gjykatës, drejtësia fitoi dhe u vërtetua që pretendimet janë të bazuara në tërësi të palës paditëse z. Selmanaj dhe të tjerët, si dhe të palës ndërhyrëse, Grupi për Studime Juridike dhe Politike përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe të tjerët. Në këtë rast edhe pse vendimi i shkallës së parë u anulua nga shkalla e dytë, rasti është ende në procedurë në Gjykatën Supreme.

Vendimi pozitiv i shkallës së parë shënoi një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit. Gjykata Themelore arriti t’i vërtetojë shkeljet ligjore në procedurën e nxjerrjes së lejeve dhe licencave për operimin e hidrocentraleve në Deçan dhe kështu i anuloi ato. Qendra konsideron se vendosja e ligjshmërisë në të drejtën mjedisore nuk është kërkesë e vetëm një paditësi, por mbi të gjitha mbrojtje e interesit të përgjithshëm.

4 dhjetor 2020 – Qendra përmes GLPS dhe Pishtarët ka dorëzuar në gjykatë Padinë për Konflikt Administrativ kundër Vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji për Lëshim të Lejeve Ujore, Mjedisore dhe Licencave për Hidrocentralet HC Deçani dhe HC Belaja të kompanisë Kelkos Energy Sh.p.k. Nga rasti i ndërtimit të hidrocentraleve në Grykën e Deçanit janë dëmtuar një numër i madh i qytetarëve. Andaj, përmes këtij rasti Qendra synon që t’i rregullojë këto shkelje, si dhe në të njëjtën kohë, synon të ngrisë vetëdijen qytetare për probleme të caktuara në sistemin tonë

Në bazë të provave të siguruara nga paditëset në këtë rast, organizatat jo-qeveritare Pishtarët dhe Grupi per Studime Juridike, si dhe nga deklaratat e shumta të qytetarëve të Deçanit në lidhje me procesin e lëshimit të këtyre vendimeve, ne kemi gjetur se:

(1) gjatë procesit të lëshimit të këtyre lejeve, qytetarëve të Deçanit u është shkelur e drejta e tyre themelore e garantuar me Kushtetutë, u është mohuar e drejta për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë. Pra, zhvillimi i një projekti kaq të madh si ndërtimi i Kaskadës së Hidrocentraleve në Deçan, me pasoja shumë të rënda në jetën e qytetarëve që jetojnë aty, është mbajtur pa zhvilluar debat publik siç kërkohet nga ligji;

(2) gjithashtu, ne kemi gjetur se procesi i lëshimit të këtyre lejeve ka qenë jo-transparent dhe se është vërtetuar gjendja e gabuar faktike. Përkatësisht, nga provat që kemi siguruar, kompania Kelkos Energy Sh.p.k. nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç kërkohet nga ligji dhe ka degraduar mjedisin. Prandaj, mbi këtë bazë, ne kemi kërkuar nga gjykata anulimin e të gjitha këtyre vendimeve, si dhe kemi kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të tyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e tërë procesit.

8 dhjetor 2020 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative përmes Aktvendimit ka kërkuar që brenda 3 ditësh të dorëzojë njërin nga vendimet e atakuara, konkretisht vendimin për Leje Ujore për Hidrocentralin “Belaja”. Përmes këtij Aktvendimi Paditësit janë paralajmruar se në rast se nuk bëhet plotësimi i padisë atëherë Gjykata do të merr aktvendim, me të cilin do ta hudh poshtë padinë e paditësit si të pa plotësuar.

11 dhjetor 2020 – Përmes plotësimit të padisë për konflikt administrativ dhe kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ, paditëset kanë dërguar vendimin e kërkuar duke e bashkëngjitur si shtojcë, Vendimin për Leje Ujore për Hidrocentralin “HC Belaja”.

23 dhjetor 2020 – Për arsye se Ligji për konfliktin administrativ përcakton se afati për vendosjen e kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit është tre (3) ditë nga marrja e kërkesës, Qendra i është drejtuar gjykatës me kërkesë për përshpejtim të procedurës. Paditëset me respekt kanë kërkuar që të përshpejtohet procedura e vendosjes mbi kërkesat e paditëseve për shkak të dëmit të pariparueshëm që po i shkaktohet mjedisit dhe për shkak se një shtyrje e tillë nuk do t’i sillte dëm të madh palës së paditur apo personit të interesuar ashtu siç është arsyetuar në padinë e 4 dhjetorit 2020.

12 janar 2021 –  Gjykata Themelore në Prishtinë përmes Aktvendimit ka hedhur poshtë padinë e paditësve GLPS dhe Pishtarët për shkak të ekzistimit të gjyqvarësisë (litispendencës). Kjo me arsyetimin se pas pranimit të përgjigjes me shkrim nga palët e paditura dhe palës me interes juridik, shqyrtoi lejueshmërinë e padisë dhe vërtetoi se për çështjen e njëjtë është marrë aktvendim për vendimet e njëjta që kontesohen me padinë e GLPS dhe Pishtarët. Gjykata hodhi poshtë padinë përkundër faktit se palët paditëse nuk janë të njëjta (edhe pse ky është kusht sipas Ligjit për procedurën kontestimore), me arsyetimin se gjykata zbatoi përshtatshmërisht këto dispozita, pasi që vendimet kanë karakter të përgjithshëm, si dhe nuk pohojnë apo mohojnë të drejta të drejtpërdrejta vetëm për paditësin.

3 shkurt 2021 – Pas pranimit të Aktvendimit të Gjykatës Themelore, Qendra dorëzoi Ankesë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për hedhje poshtë të padisë së organizatave GLPS dhe Pishtarët kundër lëshimit të lejeve mjedisore dhe licencave për hidrocentralet Deçani dhe Belaja në Grykën e Deçanit.

GLPS dhe Pishtarët kanë konsideruar se Aktvendimi i Gjykatës është i pa bazuar dhe i pa drejtë sepse në këtë rast nuk janë përmbushur dy kushtet kumulative të gjyqvarësisë (litispendencës), pra kushtet (1) kërkesëpadia e njëjtë dhe (2) palët e njëjta, sepse në këtë rast palët paditëse janë të ndryshme. Po ashtu, me hedhjen poshtë të padisë, organizatave GLPS dhe Pishtarët u janë shkelur të drejtat themelore në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, në qasje në gjykatë dhe në mjete efektive juridike. Paditëset përmes ankesës kanë theksuar se Gjykata ka dështuar të konsiderojë mundësi të tjera ligjore që do t’ia garantonin Paditëseve pjesëmarrjen në procedurë gjyqësore dhe kontestimin e vendimeve të paligjshme përmes rrugës gjyqësore. Prandaj, është kërkuar që ky aktvendim të anulohet nga Gjykata e Apelit pasi që është nxjerrë në shkelje të ligjit dhe u ka kufizuar padrejtësisht paditëseve të drejtat fundamentale njerëzore të garantuara me Kushtetutë. Për më tepër, paditëset kanë kërkuar nga Gjykata që të shqyrtohet mundësia e bashkimit të dy rasteve dhe në këtë mënyrë t’ju ofrohet paditëseve GLPS dhe Pishtarët e drejta në qasje në Gjykatë.

25 mars 2021 – Paditëset janë drejtuar me kërkesë për përshpejtim të procedurës në Gjykatën e Apelit duke kërkuar që lënda të shqyrtohet sa më shpejtë duke ndryshuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore apo të kthehet çështja në rivendosje për shkak se nuk janë plotësuar kushtet për ekzistimin e litispendencës sepse palët nuk janë të njëjta. Paditëset kanë kërkuar që të shqyrtohet mundësia e bashkimit të lëndëve duke kërkuar që Gjykata e Apelit të merr një vendim në kohë sa më të shkurtër.

18 maj 2021 – Paditëset kanë përsëritur kërkesën për përshpejtim të procedurës duke kërkuar me respekt dhe konsideratë që të përshpejtohet shqyrtimi i rastit sepse palët paditëse, GLPS dhe Pishtarët nuk mund të ushtrojnë të drejtat e tyre si paditëse në këtë rast.

9 qershor 2021 – Paditëset kanë vërejtur që rastet të pranuara më vonë nga Gjykata e Apelit janë shqyrtuar më herët në krahasim me ankesën e paditëseve. Andaj, paditëset i janë drejtuar përsëri Gjykatës me kërkesë për përshpejtim të procedurës.

15 qershor 2021 – Gjykata merr vendim në ankesën e GLPS dhe Pishtarët, mirëpo pala paditëse këtë vendim nuk e pranon deri më 16 shkurt 2022 nga Institucioni i Avokatit të Popullit. Përmes këtij Aktvendimi Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e paditëseve duke kthyer lëndën në rivendosje në shkallën e parë. Gjykata e Apelit nuk e ka pranuar vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së parë dhe nuk e ka pranuar përfundimin e saj, për shkak se ka shkelje thelbësore të dispozitave kontestimore e po ashtu për shkak se gjykata nuk e ka arsyetuar në masë të mjaftueshme përfundimin e saj për hedhjen poshtë të padisë së paditëseve për shkak të gjyqvarësisë (litispendencës). Gjykata e Apelit ka udhëzuar Gjykatën Themelore që të shqyrtojë mundësinë e bashkimit të padisë.

4 maj 2023 – Paditëset i janë drejtuar Gjykatës Themelore me kërkesë për përshpejtim të procedurës dhe vendosje në rastin e paditëseve GLPS dhe Pishtarët. Paditëset i kanë rikujtuar Gjykatës Themelore gjetjet e gjykatës ankimore, e cila ka vlerësuar se qëndrojnë pretendimet ankimore të paraqitura në ankesë, për shkak se përkundër faktit se palët paditëse në këtë konflikt administrativ dhe në çështjen tjetër nuk janë të njëjta duhet të shikohet mundësia e bashkimit të lëndëve.

1 nëntor 2023 – Gjykata Themelore merr Aktvendim në rastin A.nr.2089/20, me të cilin hedh poshtë si të palejuar padinë e paditëseve Pishtarët dhe GLPS, me arsyetim se kjo çështje është e gjykuar me aktgjykim të formës së prerë.

Rasti A.nr. 2081/20 – Paditës Faton Selmanaj dhe të tjerë

4 dhjetor 2020 – Padia është dorëzuar në Gjykatë, të njëjtën ditë kur GLPS dhe Pishtarët kanë dorëzuar padinë, ku gjithashtu janë atakuar vendimet e njëjta. Ndërkohë, në këtë rast është marrë vendimi për aprovimin e masës së përkohshme. Pra, Gjykata Themelore ka vendosur që të shtyjë ekzekutimin e vendimeve të kontestuara me padi.

5 mars 2021 – GLPS dhe Pishtarët përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike ka paraqitur kërkesë për të ndërhyrë në procesin gjyqësor administrativ që është duke u zhvilluar në lëndën A.nr. 2081/20. Kjo për shkak të interesit juridik për të kontestuar vendimet e kontestuara duke  të mbështetur dhe ndihmuar palët paditëse  duke u bazuar në Ligjin për procedurën kontestimore. Interesi juridik i palëve ndërhyrëse, në këtë rast i organizatave joqeveritare është dëshmuar edhe nga Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, i cili i njeh organizatat joqeveritare, të cilat promovojnë mbrojtjen e mjedisit si publik i interesuar.

12 mars 2021 – Gjykata Themelore merr Aktvendim për lejimin e GLPS dhe Pishtarët si ndërhyrës në çështjen juridike të konfliktit administrativ për kundërshtimin e lejeve dhe licencave për hidrocentralet në Deçan. Ky Aktvendim edhe pse është marrë në muajin mars, palët ndërhyrëse e kanë pranuar më 18 qershor 2021. Pra, përmes këtij aktvendimi është aprovuar kërkesa e Qendrës dhe organizatave GLPS dhe Pishtarët ju është njohur statusi i ndërhyrësve, që nënkupton se ju lejohet qasja në shkresat e lëndës dhe që do të njoftohen për të gjitha parashtresat e Gjykatës.Gjithashtu, palës ndërhyrëse i njohet e drejta që t’i shfrytëzojë mjejtet juridike për të ndërhyrë në proces.

7 prill 2021 – Qendra i drejtohet Gjyqtarit të çështjes me njoftim se Kelkos Energy vazhdon operimin pavarësisht pezullimit të lejeve dhe licencave të hidrocentraleve. Përmes kësaj shkrese Qendra ka bashkëngjitur një video incizim me të cilën dëshmohet puna e Hidrocentralit Deçani. Kjo për arsye se në video vërehet se uji i lumit Lumbardh derdhet nga gypat e hidrocentralit në afërsi të Hidrocentralit Deçani. Kjo gjë nënkupton se uji është futur në gypat e hidrocentraleve më lartë, e që automatikisht aktivizon turbinat dhe prodhohet rrymë. Po ashtu, ka dorëzuar dëshminë – emailin nga ZRRE nga e cila kuptohet se Kelkos Energy në atë kohë ka qenë duke prodhuar rrymë. Mbi këtë bazë është kërkuar që Gjykata të udhëzojë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ZRRE-në dhe Kelkos Energy që të veprojnë në harmoni me Aktvendimin e Gjykatës për aprovimin e kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve.

26 prill 2021 – Gjykata e Apelit aprovon si të bazuara ankesat e të paditurave, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe të Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe refuzuar propozimin e paditësve për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve të kontestuara. Gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar gabimisht të drejtën materiale dhe se paditësit “në asnjë rrethanë nuk e kanë bërë të besueshëm kushtin e parë të kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të kontestuara, se cili është dëmi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë që do t’i shkaktohej paditësve.”

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike e ka konsideruar skandaloz se si Gjykata e Apelit ka dështuar të identifikojë dëmin e qartë të pariparueshëm që hidrocentralet e kundërligjshme i shkaktojnë Deçanit, natyrës, banorëve paditës dhe të gjithë neve. Me një vendim të tillë, Gjykata e Apelit abuzon diskrecionin gjyqësor dhe mbështet kompanitë që dëmtojnë interesin publik, ato që shkatërrojnë ambientin në formë kriminale. Kështu, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar më të rëndësishëm interesin financiar të Kelkos Energy Sh.p.k. se sa interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Me largimin e masës ndaj hidrocentraleve shkatërruese të natyrës në Deçan, Gjykata e Apelit ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka formuar dyshim të bazuar në paanshmërinë dhe pavarësinë e saj. Vendime të tilla e vënë edhe më shumë në pah nevojën urgjente për një veting të gjyqtarëve në Kosovë, ata të cilët po e humbin të ardhmen e këtij vendi, duke u shëndërruar në klientë të kompanive private me qasje keqpërdoruese ndaj ligjit.

Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën për pezullim të lejeve dhe licencave për hidrocentralet në Deçan, dhe kështu ka hequr masën e cila ua ndalonte operimin hidrocentraleve Deçani, Belaja dhe Lumbardhi II deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se tre banorët paditës të Deçanit nuk kanë dëshmuar se po u shkaktohet dëm i pariparueshëm, banorë të cilët tërë jetën kanë gëzuar bukurinë e Lumbardhit dhe natyrës përreth tij përpara se ajo të shkatërrohej për interesa private. Për më tepër, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të lejeve do t’i shkaktonte dëm direkt të pariparueshëm Kelkos Energy Sh.p.k. “pasi që investimi për ndërtimin e [hidrocentralit] është i madh, dhe ky dëm në mënyrë indirekte do të ndikonte te një pjesë e banorëve (qytetarëve) të Deçanit që furnizohen me energji elektrike.” Madje si përfundim, Gjykata e Apelit kishte konstatuar në vendim se shtyrja e ekzekutimit të lejeve të hidrocentraleve në Deçan “do të ishte kundër interesit publik.”

Me anë të këtij vendimi Gjykata e Apelit dëmton natyrën dhe shkel të drejtat e qytetarëve, dhe minon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Dhënia e lejeve për hidrocentrale në kundërshtim me ligjin duhet të ndalohet dhe të ndëshkohet nga gjyqësori, sepse një praktikë e tillë e rrezikshme mund të sjell dëme në natyrë që asnjëherë nuk mund të riparohen. Interesi publik për të mbrojtur natyrën dhe të mirat e saj duhet vënë gjithmonë përpara interesave të ngushta politike.

23 qershor 2021 – GLPS dhe Pishtarët, përmes Qendrës kanë paraqitur kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilën është hequr masa e pezullimit të përkohshëm të vendimeve të kontestuara. Përmes kësaj kërkese janë paraqitur të gjitha shkeljet e Gjykatës së Apelit në momentin e nxjerrjes së këtij Aktvendimi duke theksuar se GLPS dhe Pishtarëve u është shkelur e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe në mjete efektive juridike. Aktvendimi i kundërshtuar ka të meta esenciale për arsye se nuk përmban arsyetim se cilat prova i ka shfrytëzuar për të konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të vendimit do t’i shkaktonte dëm direkt dhe të pariparueshëm për palën me interes juridik (kompaninë Kelkos Enegy). Po ashtu, konstatimi i Gjykatës së Apelit se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve do të ishte në kundërshtim me interesin publik nuk është arsyetuar se në cilat prova është bazuar. Ndërsa, konstatimi i Gjykatës së Apelit se paditësit nuk kanë bërë të besueshëm kushtin e parë, se cili është dëmi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë që do t’i shkaktohej paditësve ishte i pakuptueshëm sepse Gjykata ka shpërfillë në tërësi provat që tregojnë shkeljet ligjore dhe dëshmitë mbi dëmet në natyrë. Mbi këto baza, GLPS dhe Pishtarët kanë kërkuar që të aprovohet kërkesa për rishqyrtim dhe në rikthehet në rivendosje.

28 korrik 2021 – Gjykata Supreme e Kosovës, riktheu masën pezulluese mbi punën e Hidrocentraleve në Deçan.

Gjykata Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentraleve ishte kundër interesit publik. Gjykata Supreme ka konstatuar se paditësit, z. Selmanaj dhe banorët tjerë të Deçanit, kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralet në Deçan nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe. GLPS dhe Pishtarët janë palë të interesuara në proces dhe për të njëjtën çështje kanë dërguar gjithashtu padi përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit! Sepse do të thotë që hidrocentralet në Deçan nuk do të mund të operojnë më ligjshëm derisa gjykata të nxjerr një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e lejeve.

Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta! E të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme!

8 qershor 2022 – Palët ndërhyrëse GLPS dhe Pishtarët, përmes padisë bëjnë plotësimin e padisë të datës 4 dhjetor 2020 duke paraqitur si provë shtesë Raportin e Grupit Punues për shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis të nxjerrë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ministria në qershor të vitit 2021 kishte nxjerrë këtë raport ku ka evidentuar secilën shkelje ligjore në procesin e lëshimit të lejeve dhe licencave nga vetë kjo ministri për hidrocentralet në Kosovë.

Në rastin e shqyrtimit të akteve administrative për hidrocentralet në Deçan, Ministria ka konstatuar se nuk është zbatuar procedura e koncesionit për dhënien e të drejtës për shfrytëzimin e ujit për prodhim të energjisë, ashtu siç kërkohet me ligjin për ujërat. Vetë Ministria, e cila fillimisht ka lëshuar lejet dhe licencat, përmes këtij raporti ka rekomanduar që të shfuqizohen/anulohen aktet administrative mbi bazën e shkeljeve dhe ligjeve materiale dhe procedurale. Përmes kësaj shkrese, është kërkuar që kjo lëndë të trajtohet me prioritet dhe të shqyrtohet në kohë sa më të shkurtër duke pasur parasysh rëndësinë e saj.

14 nëntor 2022 – Gjykata Kushtetuese nxjerr Aktgjykim për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme në rastin e Hidrocentraleve në Deçan. Gjykata Kushtetuese përmes këtij Aktgjykimi ka vlerësuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke konstatuar se Gjykata Supreme, përtej përshkrimit të dispozitave ligjore, nuk kishte dhënë arsyetim të mjaftueshëm për kriteret që duhet të plotësohen për të vendosur për pezullimin e vendimeve. Mbi këtë bazë Gjykata e ka kthyer çështjen për rivendosje në Gjykatën Supreme.

29 shtator 2022 – GjykataSupreme përsëri ka aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësve për rishqyrtim të jashtëzakonshëm. Këtë herë, Gjykata ka arsyetur në mënyrë më të detajuar vendimin e saj, ku ndër të tjera ka theksuar se Gjykata Supreme nuk mund ta pranojë si të drejtë qëndrimin e Gjykatës së Apelit. Kjo për arsye se mungojnë arsyet dhe faktet vendimtare, të cilat nuk janë arsyetuar nga ana e Gjykatës së Apelit në përputhje me provat në shkresat e lëndës. Pra, Gjykata Supreme ka gjetur se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit nuk ka mbështetje në kuptim të provave në shkresat e lëndës duke arritur në përfundimin se e njëjta nuk i ka vlerësuar në tërësi provat e dërguara në Gjykatë. Për këto arsye, Gjykata Supreme ka vendosur që përsëri ta lë në fuqi masën e përkohshme – pezullimin e vendimeve të kontestuara.

19 prill 2023 – U mbajt seanca e parë për shqyrtimin në themel të kërkesëpadisë së paditësve. Në këtë seancë u lexua padia dhe përgjigjja në padi nga ana e Kelkos Energy, e cila u dorëzuar në Gjykatë për herë të parë. Gjykata mori Aktvendim që shqyrtimi kryesor i çështjes të mbahet më 11 maj 2023 dhe me këtë rast obligoi të gjitha palët ndërgjyqëse që të gjitha provat e paralajmëruara në senacë t’i dorëzojë në afat prej 5 ditësh.

11 maj 2023 – Mbahetseanca për shqyrtim kryesor në rastin A.nr.2081/2020, ku gjatë seancës u administruan të gjitha provat e dorëzuara në Gjykatë dhe e njëjta ju dha palëve ndërgjyqëse afat prej 7 ditësh që të dorëzojnë fjalën përfundimtare me shkrim. Me këtë seancë është mbyllur gjykimi në këtë çështje.

22 maj 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktgjykim për aprovimin në tërësi si të bazuar padinë në rastin e hidrocentraleve në Deçan kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), si dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Me këtë Aktgjykim janë anuluar nëntë (9) vendimet e kundërshtuara përmes padisë të lëshuara nga dy të paditurat, MMPHI dhe ZRRE.

Pas një pune tre vjeçare para gjykatës, drejtësia fitoi dhe u vërtetua që pretendimet janë të bazuara në tërësi të palës paditëse z. Selmanaj dhe të tjerët, si dhe të palës ndërhyrëse, Grupi për Studime Juridike dhe Politike përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe të tjerët.

Gjykata gjeti se MMPHI ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale duke zbatuar nenin 71 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe kështu në mënyrë të paligjshme ka lëshuar Lejet Ujore për prodhimin e energjisë elektrike dhe po ashtu gjeti se MMPHI nuk ka arritur të dëshmojë se pala e interesit – Kelkos Energy Sh.p.k ka zbatuar masën e duhur për rehabilitim ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit. Gjithashtu, Gjykata vërtetoi se lejet mjedisore janë dhënë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit për arsye se nuk janë zbatuar dispozitat, të cilat do të mundësonin rehabilitimin e mjedisit rreth së cilit janë ndërtuar hidrocentralet. Në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës, u theksua se “Gjykata i fali besimin e plotë Raportit të Grupit Punues për shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentralet dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis të 30 qershorit 2021”, ku konstatohet se eksploatimi i zhavorrit dhe rërës në lokacionin “Zalli i Rupës” është bërë në kundërshtim me ligjin.

Me këtë Aktgjykim Gjykata detyroi të paditurën – MMPHI që të krijojë mekanizma ad-hoc për të identifikuar, raportuar dhe sanuar të gjitha dëmet mjedisore të shkaktuara nga pala e interesit, dëme të cilat janë provuar para Gjykatës përmes dyzet e pesë (45) fotografive të dorëzura nga ana e paditësit dhe palës ndërhyrëse. Më tutje, Gjykata gjeti se edhe vendimet e të paditurës së dytë – ZRRE janë marrë me aplikim jo të drejtë të dispozitave ligjore dhe me këtë rast ka vendosur që t’i anulojë, si dhe duke theksuar se këto vendime bazohen tërësisht në akte të paligjshme.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit. Gjykata vërtetoi se lejet dhe licencat e nxjerra për operimin e hidrocentraleve në Deçan janë të jashtëligjshme dhe të njëjtat kjo Gjykatë i anuloi.  Vendosja e ligjshmërisë në të drejtën mjedisore nuk është kërkesë e vetëm një paditësi, por mbi të gjitha mbrojtje e interesit të përgjithshëm.

20 shtator 2023 – Gjykata e Apelit aprovon ankesat e të paditurës, të Ministrisë dhe të ZRRE-së duke ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe refuzon padinë duke lënë në fuqi të gjitha vendimet e kontestuara. Gjykata e Apelit ka gjetur se Aktgjykimi i shkallës së parë ka shkelje esenciale të procedurës kontestimore duke gjetur se i njëjti përmban shkelje të dispozitave ligjore për sa i përket përmbajtjes dhe se nuk ka arsyetim të mjaftueshëm. Ndërsa në anën tjetër, Gjykata në arsyetimin e saj ka theksuar se: “aktet kontestuese në padi nga paditësit, janë në harmoni me legjislacionin procedural dhe material, në fuqi, dhe të njëjtat kanë kaluar nëpër procedurë të rregullt administrative dhe të njëjtat janë të ekzekutueshme dhe të ligjshme”. Duke shtuar se: “nuk kanë nevojë me prova të argumentohen se janë ligjore”. Kjo paraqet një vlerësim të njëanshëm duke mos i marrë parasysh provat e dorëzuara në gjykatë.

6 nëntor 2023 – Paditësit dhe pala ndërhyrëse dorëzojnë kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm në Gjykatën Supreme. Përmes kësaj shkrese janë paraqitur qëndrimet e paditësit dhe palës ndërhyqëse duke paraqitur se pse konstatimet e paraqitura në Aktgjykim nga ana e Gjykatës së Apelit janë të pasakta dhe ç’orientuese. Kjo për arsye se Gjykata e shkallës së parë ka ofruar arsyet për vërtetimin e fakteve vendimtare duke u bazuar në dispozitat ligjore të aplikueshme. Ka qenë i papranueshëm argumentimi i Gjykatës se aktet e kontestuara janë të rregullta dhe të ligjshme sepse ato janë nxjerrë në një procedurë të rregullt administrative. Ky arsyetim ka paraqitur një anashkalim të shkeljeve të evidentuara nga paditësit dhe të vërtetuara nga ana e gjykatës së shkallës së parë, e cila ka dhënë një arsyetim prej 10 faqesh e tejet përmbajtësor për konstatimet në lidhje me shkeljet procedurale e materiale të kësaj procedure. Gjykata e Apelit ka dështuar të ofrojë arsyetim shprehimor andaj përmes kësaj kërkesë paditësit dhe pala ndërhyrëse ka kërkuar që të anulohet Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe të aprovohet si tërësëshit kërkesa për rishqyrtim.