Diskriminimi ndaj anëtarëve të komuniteteve në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe dinjitetin e njeriut!

REAGIM PUBLIK!

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) platformë e GLPS-së, shpreh keqardhje të thellë dhe e dënon aktin e djeshëm të diskriminimit në baza racore kundër pjesëtarëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian të raportuar që ka ndodhur në qytetin e Gjakovës, në një lokal të gastronomisë. Akte të tilla të shëmtuara do të duhej të dënoheshin nga të gjithë akterët e shoqërisë si dhe nga të gjitha institucionet relevante. Mosveprimi i autoritetit publik në mosndëshkimin e sjelljeve të tilla përbëjnë shkelje të së drejtës për barazi para ligjit dhe mosdiskriminim. Këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, dhe me Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

Nuk janë të rralla rastet e diskriminimit racor ndaj komuniteteve në fjalë në nivele të ndryshme qoftë instutcionale apo edhe jashtë tyre. Diskriminimi racor si veprim dhe si normë është kundër karakterit multietnik të Republikës së Kosovës, dhe në këtë drejtim ky karakter i funksionimit të Republikës duhet të garantohet nga institucionet e saj.

Andaj, ne si Qendër për Raste Gjyqësore Strategjike(CSL) kërkojmë reagim të menjëhershëm nga Institucioni i Avokatit të Popullit i cili ka për detyrë të mbrojë, mbikëqyrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Po ashtu, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet që patjetër të reagojnë konform kompetencave dhe misionit që ata bartin, në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten dhe të sigurojnë që të drejtat e njeritut të respektohen në plotni. Qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë institucione të cilat janë në krye të detyrës dhe të cilat mbrojnë të drejtat e tyre kur ato shkelen.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) platformë e GLPS-së, i fton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme në Kosovë që konsiderojnë që rastet në lidhje me shkeljen e të drejtave të tyre përbëjnë raste strategjike, dhe për të cilat institucionet shtetërore kanë dështuar t’i adresojnë, t’i paraqesin rastet e tyre në: APLIKO ose t’i dërgojnë rastet e tyre me email tek: [email protected]

Sinqerisht,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL)

Edhe sa punëtorë duhet ta humbin jetën që institucionet të këndellën?

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) platformë e GLPS-së, shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetës edhe të një punëtori të sektorit të ndërtimtarisë në ditën e sotme. Sipas raportimeve nga mediat vetëm në vitin 2020, rreth 26 punëtorë kanë humbur jetën në sektorin e ndërtimtarisë. Kurse, vdekja që u raportua sot shënon vdekjen e (6) gjashtë për këtë vit në këtë sektor, dhe mbi 80 aksidente në vendin e punës janë regjistruar po në këtë vit.

Këto shifra alarmante do të duhej që menjëherë të nxisnin reagimin e institucioneve përgjegjëse, posaçërisht Inspektoratit të Punës si institucioni i vetëm në kuadër të pushtetit ekzekutiv të Republikës së Kosovës me mandat të monitorimit të zbatimit të legjislacionit nga fusha e marrëdhënies së punës, si dhe sigurisë dhe shëndetit në punë. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim serioz institucional që do të ndikonte në përmirësimin e kushteve të punës dhe inspektimit të tyre. Ky sektor jo vetëm që është i neglizhuar, por i njëjti nuk trajtohet aspak si njëri ndër sektorët me veprimtarinë më të rrezikshme e që rezulton edhe në rrezikimin e jetëve të punëtorëve. Rasti i sotëm është dështimi i radhës i inspektimit, aktivitet ky i Inspektoratit të Punës, dhe është tregues i qartë i mosfunksionimit dhe mungesës së monitiromit të implementimit të Ligjit të Punës. Me këtë rast, i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të trajtoj si prioritet inspektimin dhe monitorimin e Ligjit të Punës, dhe e njëjta t’i marrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme që ky Ligj të implementohet në plotni, sidomos në pikat që rregullojnë sigurinë në vendin e punës. Pasojat e neglizhencës së deritanishme institucionale veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë kanë shkaktuar shumë humbje jetësh të cilat nuk arsyetohen në asnjë mënyrë.

Qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë institucione të cilat janë në krye të detyrës dhe të cilat sigurohen që mandati i tyre përmbushet plotësisht. Kosova nuk ka jetë për të humbur, dhe është i papranueshëm çdo rast i humbjes së jetës që vije si pasojë e dështimit insitucional për të ofruar siguri dhe të drejta të plota për punëtorët. Për më tepër, përgjegjësia duhet kërkuar për çdo jetë të humbur deri më tani, dhe të gjithë shkaktarët duhet vënë para drejtësisë.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) platformë e GLPS-së, i fton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë që konsiderojnë që rasti i tyre përbën rast strategjik, dhe për të cilin institucionet shtetërore kanë dështuar ta adresojnë, të paraqesin rastet e tyre në: APLIKO ose ta dërgojnë rastin e tyre me email tek: [email protected]

Sinqerisht,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL)

REAGIM: Gjykata e Apelit dështon ta identifikojë dëmin që hidrocentralet e kundërligjshme i shkaktojnë Deçanit

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ju njofton se:
Gjykata e Apelit ka vendosur kundër Ambientit dhe Interesit të Qytetarëve në rastin e hidrocentraleve në Deçan
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike e konsideron skandaloze se si Gjykata e Apelit dështon ta identifikojë dëmin e qartë të pariparueshëm që hidrocentralet e kundërligjshme i shkaktojnë Deçanit, natyrës, banorëve paditës dhe të gjithë neve. Me një vendim të tillë, Gjykata e Apelit abuzon diskrecionin gjyqësor dhe mbështet kompanitë që dëmtojnë interesin publik, ato që shkatërrojnë ambientin në formë kriminale. Kështu, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar më të rëndësishëm interesin financiar të Kelkos Energy Sh.p.k. se sa interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Me largimin e masës ndaj hidrocentraleve shkatërruese të natyrës në Deçan, Gjykata e Apelit ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka formuar dyshim të bazuar në paanshmërinë dhe pavarësinë e saj. Vendime të tilla e vënë edhe më shumë në pah nevojën urgjente për një veting të gjyqtarëve në Kosovë, ata të cilët po e humbin të ardhmen e këtij vendi, duke u shëndërruar në klientë të kompanive private me qasje keqpërdoruese ndaj ligjit.

Në kolegjin e përbërë nga Gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, Delushe Halimi dhe Gani Avdiu, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën për pezullim të lejeve dhe licencave për hidrocentralet në Deçan, dhe kështu ka hequr masën e cila ua ndalonte operimin hidrocentraleve Deçani, Belaja dhe Lumbardhi II deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se tre banorët paditës të Deçanit nuk kanë dëshmuar se po u shkaktohet dëm i pariparueshëm, banorë të cilët tërë jetën kanë gëzuar bukurinë e Lumbardhit dhe natyrës përreth tij përpara se ajo të shkatërrohej për interesa private. Për më tepër, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të lejeve do t’i shkaktonte dëm direkt të pariparueshëm Kelkos Energy Sh.p.k. “pasi që investimi për ndërtimin e [hidrocentralit] është i madh, dhe ky dëm në mënyrë indirekte do të ndikonte te një pjesë e banorëve (qytetarëve) të Deçanit që furnizohen me energji elektrike.” Madje si përfundim, Gjykata e Apelit kishte konstatuar në vendim se shtyrja e ekzekutimit të lejeve të hidrocentraleve në Deçan “do të ishte kundër interesit publik.”
Me anë të këtij vendimi Gjykata e Apelit dëmton natyrën dhe shkel të drejtat e qytetarëve, dhe minon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Dhënia e lejeve për hidrocentrale në kundërshtim me ligjin duhet menjëherë të ndalohet dhe të ndëshkohet nga gjyqësori, sepse një praktikë e tillë e rrezikshme mund të sjell dëme në natyrë që asnjëherë nuk mund të riparohen.
Interesi publik për të mbrojtur natyrën dhe të mirat e saj duhet vënë gjithmonë përpara interesave të ngushta politike e klienteliste. Ne ua kemi me borxh gjeneratave të reja që ta ruajmë ambientin dhe të kundërshtojmë kompanitë dhe institucionet publike që për interesa private po e shkatërrojnë atë.

Me respekt,
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike