Kthehet në rivendosje rasti i kategorizimit të gabuar për personin paraplegjik dhe tetraplegjik

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e personit paraplegjik dhe tetraplegjik të përfaqësuar nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, e të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte refuzuar padinë kundër Ministrisë së Financave për kategorizim në Grupin e Dytë dhe në mohimin e të drejtës për shoqërues.

Por, sipas ankesës së ushtruar kundër këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 25 shtator 2024, ka vlerësuar se i njëjti është juridikisht i paqartë, kundërthënës dhe jo i plotë lidhur me vërtetimin e gjendjes faktike.

Apeli e ka udhëzuar Gjykatën Themelore në Prishtinë që të bëj plotësimin e ekspertizës mjekësore të caktuar nga ana e gjykatës dhe të punohet nga ekspertë të lëmive përkatëse e të cilët në mënyrë të drejtë dhe të plotë do të vlerësonin dhe do të konstatonin se cilit grup të personave paraplegjik dhe tetraplegjik i takon paditësi.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) vazhdon të ofrojë ndihmë juridike falas për personat paraplegjik dhe tetraplegjik si dhe për të gjithë qytetarët që vlerësojnë se institucionet publike ua kanë mohuar apo shkelur të drejtat e tyre. Në linkun e bashkëngjitur gjeni përmbledhjen për këtë rast gjyqësor strategjik: https://cslkosovo.org/2024/03/14/rasti-i-kategorizimit-te-gabuar-per-personin-paraplegjik-dhe-tetraplegjik/

Mbahet punëtori më anëtarët e Panelit për Lirim me Kusht

Nga data 26 deri më 28 shtator 2024, është mbajtur punëtoria e Panelit për Lirim me Kusht, me qëllim të shqyrtimit të raporteve të punës dhe sfidat për vitin 2024 dhe në të ardhmen. Kjo punëtori u fokusua në veprimtarinë, sfidat dhe vizionin e Panelit për Lirim me Kusht (PLK), që bazuar në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale është kompetent për shqyrtimin e të gjitha kërkesave për lirim me kusht, të parashtruar nga të dënuarit përmes Institucioneve Korrektuese në Republikën e Kosovës dhe mundësitë për monitorimin e punës së PLK-së nga ana e shoqërisë civile.

Ndër të tjera, anëtarët e Panelit diskutuan për bazën ligjore të lirimit me kusht, raportet ligjore dhe sociale të përgatitura nga Institucionet Korrektues dhe raportet informative të Shërbimit Sprovues të Kosovës lidhur me të liruarit me kusht.

Pjesë e diskutimit ishin edhe temat rreth mbikëqyrjes së lirimit me kusht për shtetasit e huaj, bashkëpunimi i Panelit për Lirim me Kusht me gjykatat dhe nevojën për hartim të planit të trajnimeve për anëtarët e PLK-së.

Organizimi i kësaj punëtorie u mbështet nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) në kuadër të projektit “Human Rightivism” të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mbështet trajnimin e gjyqtarëve rreth shqyrtimit paraprak të padisë në kontestet e punës

Më datë 24 dhe 25 shtator 2024, Akademia e Drejtësisë (AD) me mbështetje nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka organizuar trajnimin për gjyqtarë me temë “Shqyrtimi paraprak i padisë në kontestet e punës, në kontestet e pengim posedimit dhe në kontestet e fyerjes dhe shpifjes – Afatshmëria/ lejueshmëria si prezumim procedural”.

Gjyqtarët trajnues, Faton Ademi dhe Burim Shala, para gjyqtarëve pjesëmarrës trajtuan natyrën juridike të kontesteve të punës, legjislacioni në fuqi tek këto konteste, fusha e zbatimit dhe llojet e kontratave të punës sipas Ligjit të Punës. Tutje, pjesë e trajnimit ishin edhe vendimet gjyqësore tek këto lloje të kontesteve.

Gjyqtarët pjesëmarrës morën njohuri shtesë sa i përket detajeve të shqyrtimit paraprak të padisë në kontestet e punës, afatshmërinë/lejueshmërinë si prezumim procedural, çështjen e caktimit të përfaqësuesit të përkohshëm për palët në procedurë, mënyrat e vendosjes bazuar në shqyrtimin paraprak të padisë si dhe në arsyetimin e vendimeve gjyqësore.

Po ashtu, në këtë trajnim u shtjellua edhe tema e mbrojtjes gjyqësore nga kontestet e pengim posedimit, kompetenca territoriale e gjykatave për trajtimin e rasteve të tilla, vendimet për kërkesëpadinë, masat e përkohshme dhe mjetet e goditjes së vendimit meritor.

Kurse tek kontestet në lidhje me shpifjen dhe fyerjen, gjyqtarët pjesëmarrës u njoftuan më shumë rreth nocionit të shpifjes dhe fyerjes, masat mbrojtëse, kompensimi, shkallët e përgjegjësisë në rastet e kësaj natyre, si dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në këtë fushë.

Rreth temave të diskutuara, pjesëmarrësit u njoftuan rreth praktikave aktuale që ndjekin gjykatat e shkallës së parë në trajtimin e kontesteve të punës, pengim posedimit, fyerjes e shpifjes dhe për mënyrën e vendosjes meritore të këtyre rasteve nga gjykatat e instancave më të larta.

Ky trajnim u mbështet nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e GLPS-së, në kuadër të projektit “Human Rightivism” të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Mbahet trajnimi me studentë mbi të drejtat e qytetarëve në kujdes shëndetësor

Studentë të universiteteve publike morën pjesë në trajnimin e organizuar nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike me temë: “E drejta e qytetarëve në kujdes shëndetësor – Rregullimi ligjor dhe praktika”

Në pjesën e parë të këtij trajnimi, studentët morën njohuri lidhur me të drejtën e qytetarëve në kujdes e sigurim shëndetësor, të drejtat që u takojnë pacientëve sipas legjislacionit të aplikueshëm në Kosovë dhe praktikën aktuale që ndiqet nga ana e institucioneve përgjegjëse. Këto tema u trajtuan nga Besim Kodra, përfaqësues i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Në pjesën e dytë të trajnimit, tema e shëndetit mendor brenda kornizës së të drejtave të njeriut në Kosovë u trajtua nga Bind Skeja, drejtor në OJQ “Qendra për Informim dhe Përmirësim Social – QIPS”. Studentët pjesëmarrës patën mundësi që të njoftohen me shumë rreth qasjes së Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi këtë temë si dhe për sfidat e zbatimit të Ligjit për Shëndetin Mendor në vendin tonë.

Ky trajnim u organizua nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) në kuadër të projektit “Human Rightivism” të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Prishtinë, 20 shtator 2024

Dorëzohet kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për hidrocentralet e Deçanit

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), OJQ “Pishtarët” dhe tre qytetarë të Deçanit – Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi – sot, datë 17 korrik 2024, kanë parashtruar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (ARJ. Nr. 212/2023, i datës 5 mars 2024).

Si palë pretendojmë që ky Aktgjykim që i ka vlerësuar të ligjshme procedurat dhe vendimet për lejet ujore dhe mjedisore për Hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II”, është marrë në shkelje të dispozitave kushtetuese, në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në kundërshtim me gjendjen faktike.

Pas shfrytëzimit të të gjitha mjeteve juridike në procedurë administrative dhe në gjykatat e rregullta kundër vendimeve për Hidrocentralet e Deçanit, si palë i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të konstatoj se Aktgjykimi i Supremes është marrë në kundërshtim me nenet 31, 32, 52 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kundërshtimi i lejeve përkatëse ujore dhe mjedisore në rastin e njohur si “Rasti i hidrocentraleve të Deçanit,” nuk motivohet nga pikëpamje ideologjike dhe nuk shpërfaqë qëndrim kundër ndërtimit të hidrocentraleve nga kompani private, të huaja apo vendore. Për më tepër, kur bëhet fjalë për energji të ripërtëritshme.

Por, si OJQ që angazhohemi për mbrojtjen e interesit publik, nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj betejës ligjore të inicuar nga disa banorë të Komunës së Deçanit, për të mos lejuar dëmet mjedisore nga ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve që operojnë me leje të marra në kundërshtim me ligjin. Pra, kundërshtimi ynë mbështetet në faktin se lejet ujore dhe mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor.

Konkretisht, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë bërë interpretime qartazi të gabuar të neneve 72 dhe 78 të Ligjit për Ujërat. Sikundër që këto gjykata kanë shpërfillur tërësisht faktin se dëmet e dukshme mjedisore në këtë rast janë konstatuar edhe nga vet komisioni gjegjës i MMPHI. Por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të adresuar gjetjet e komisionit të vet. Ndërsa Gjykata Supreme, në mënyrë krejtësisht arbitrare, ka arsyetuar se nuk ka tagër të veprojë kundrejt mosveprimit të MMMPHI për të ndaluar një dëm mjedisor, të konstatuar nga vet MMPHI.

Për këto arsye, ne kemi paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me të cilin kemi kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ. Nr. 212/2023, të datës 5 mars 2024. Në kërkesë kemi paraqitur fakte dhe argumente bindëse se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është marrë me shkelje të neneve kushtetuese në vijim:

– Neni 32:  E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

– Neni 32 i ndërlidhur me nenin 54:  E drejta për mjete juridike në ndërlidhje më mbrojtjen gjyqësore të të drejtave

– Neni 52: Përgjegjësia për mjedisin jetësor

Jemi me shpresë se Gjykata Kushtetuese do ti trajtojë me seriozitet dhe profesionalizëm argumentet tona që shpërfaqin shkeljet kushtetuese në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, ARJ. Nr. 212/2023, të datës 5 mars 2024, të kthejë çështjen në rivendosje në Gjykatën e Apelit dhe të urdhërojë këtë gjykatë që të vendosë rastin në pajtim me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Me respekt,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike

Gjykata anulon vendimin për projektin “Parku i Aventurave” në Gërmi

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative me aktgjykimin e datës 16 prill 2024,  ka APROVUAR padinë e dorëzuar më 12 shkurt 2021, nga GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe OJQ “Qytetarët Aktiv” dhe ka ANULUAR vendimin e Komunës së Prishtinës lidhur me lejen mjedisore për realizimin e Projektit “Parku i Aventurave” në Peizazhin e Mbrojtur të Parkut Gërmia.

Gjykata e shkallës së parë pasi ka administruar të gjitha provat e bashkëngjitura nga Paditësit, ka ardhur në përfundim se ka bazë të mjaftueshme për të konstatuar kundërligjshmëritë që e kanë karakterizuar nxjerrjen e vendimit të Komunës së Prishtinës, datë 26 gusht 2020, për lejen mjedisore të projektit “Parku i Aventurave”.

Së pari, Gjykata i ka dhënë besim të plotë provave të paditësve më të cilat është konstatuar se Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore, përkatësisht ka aplikuar Udhëzimin Administrativ për dhënien e Lejes Mjedisore Komunale, i cili përcakton se kufizimet e komunës për vendimmarrje për një kategori të projekteve me kapacitete më të mëdha sesa ato që listohen në këtë Udhëzim, ku bën pjesë edhe projekti “Parku i Aventurave” rregullohen me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.

Së dyti, Gjykata i ka vlerësuar të drejta argumentet se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit “Parku i Aventurave” ka shkelur garancitë kushtetuese të qytetarëve duke ia mohuar të drejtën e pjesëmarrjes në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata  jetojnë.

Kujtojmë që lidhur me këtë rast ende është në fuqi vendimi i Gjykatës Supreme e Republikës së Kosovës, i datës 10 nëntor 2021, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen përfundimtare të rastit.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) e vlerëson sukses tejet të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Supreme mbi pezullimin e lejes mjedisore të projektit “Parku i Aventurave” dhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore për ANULIMIN e vendimit për realizimin e këtij projekti. Vendimet e tilla konfirmojnë kundërligjshmërinë e ndjekur nga organet publike, mohimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrjen mjedisore dhe rrezikun për degradimin e natyrës nga projektet të tilla si “Parku i Aventurave”.

Qendra vazhdon misionin e saj duke dërguar në gjykatë raste që i shërbejnë interesit publik nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, marrëdhënies së punës dhe të drejtës për qasje në dokumente publike. Më shumë detaje rreth rastit “Parku i Aventurave” i gjeni në linkun: https://cslkosovo.org/2024/03/01/leja-mjedisore-per-projektin-parku-i-aventurave-ne-germi/

Prezantohet angazhimi dhe suksesi i Qendrës në organizimin “Pop-Up Embassy”

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), më 31 maj 2024 mori pjesë në organizimin “Pop-Up Embassy” të organizuar nga Ambasada Sudeze në Prishtinë së bashku me Komunën e Prizrenit.

Në këtë organizim, para qytetarëve të Prizrenit dhe pjesëmarrësve të tjerë u prezantua angazhimi dhe sukseset e Qendrës në misionin për të mbrojtur të drejtat e njeriut pranë organeve administrative dhe gjykatave.

Ndër të tjera, pjesëmarrësit përmes përfaqësuesve të Qendrës dhe materialeve të shpërndara morën informacione rreth mënyrës së aplikimit për të përfituar ndihmë juridike falas nga kjo platformë, rëndësisë së rasteve gjyqësore strategjike dhe rolin e tyre në mbrojtjen e interesit publik.

Padi për Konflikt Administrativ kundër Vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)  ka  dorëzuar:
“Padi për Konflikt Administrativ kundër Vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë”

Organizatat paditëse GLPS, Instituti GAP dhe INDEP, më datë 26 dhjetor 2023 kanë paraqitur Padi për Konflikt Administrativ për të kontestuar Vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Në të njëjtën kohë, paditësit kanë paraqitur kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të kontestuar.

Ky rast është vazhdimësi e rasteve strategjike të cilat Qendra i dërgon në Gjykatë, të cilat dëmtojnë interesin e qytetarëve dhe nëpërmjet padive dhe mjeteve tjera juridike synon t’i rregullojë këto shkelje, si dhe në të njëjtën kohë, synon të ngrisë vetëdijen qytetare për probleme të caktuara në sistemin tonë.

Paditësit konsiderojnë se vendimi për refuzimin e ankesës si të pabazuar nga bordi i OSHP-së dhe lënia në fuqi e vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). MMPHI nënshkroi kontratat me operatorët ekonomik fitues përkundër faktit se ishin në dijeni se njëri nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet kishte paraqitur ankesë pranë OSHP-së. Ky veprim i MMPHI është në kundërshtim me nenin 112, pika 1 e LPP-së që përcakton që dorëzimi i ankesës obligon autoritetin kontraktues që automatikisht t’a pezullojë aktivitetin e prokurimit. Edhe pse OSHP e ka identifikuar këtë shkelje, e njëjta ka lënë në fuqi kontratën me arsyetimin se OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik.

Paditësit konsiderojnë që ky arsyetim është i paqëndrueshëm, madje marrja e një vendimi të tillë në fakt dëmton interesin e përgjithshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit shtetëror, dhe lejon që të vazhdohet një proces i kundërligjshëm.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike

Luftimi i Problemeve Kolektive Përmes Rasteve Individuale

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është një platformë që synon të forcojë sundimin e ligjit në Kosovë përmes procesit gjyqësor strategjik. Procesi gjyqësor strategjik është dërgimi në gjykatë i rasteve nga të cilat mund të përfitojnë shumë qytetarë; raste të cilat përveç se i shërbejnë interesit të paditësit individual mund t’i shërbejnë edhe interesit të publikut. Procesi gjyqësor strategjik njihet si një mjet i fuqishëm për reforma ligjore, politike dhe sociale, sepse qëllimi i vet është që të arrihet një ndryshim i gjerë dhe afatgjatë, e jo vetëm që të fitohet rasti në fjalë. Ky proces po ashtu përfshin përdorimin e mediave, avokimit, trajnimeve dhe instrumenteve të tjera, në mënyrë që të rritet vetëdija e publikut për probleme të caktuara që duhet të rregullohen, si dhe të ushtrohet presion në autoritetet përgjegjëse që të marrin vendime të drejta dhe në kohë.

Si e para e llojit të saj në Kosovë, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike identifikon rastet strategjike, apo rastet nga të cilat mund të përfitojnë shumë qytetarë, dhe pastaj i përgatit dhe i dërgon ato para gjykatave apo administratës publike. Përfaqësimi i palëve në këto raste bëhet nga avokatët apo juristët e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike, një grup i dedikuar për të mbrojtur të drejtat e personave të përfaqësuar si dhe për të bërë ndryshimin për të gjithë ata që gjenden në pozitë të njëjtë.

Vlerat Themelore të punës së Qendrës përfshijnë vlerat si mbizotërimi i drejtësisë, mbrojtja e interesit publik, integriteti, dinjiteti, respektimi i ligjit dhe gjykatës, llogaridhënia, diversiteti, barazia, drejtësia sociale dhe ndalimi i gjuhës së urrejtjes.

Misioni i Qendrës

Misioni i Qendrës është që të vihen në pah dhe të rregullohen problemet ekzistuese me:

(1) përmbajtjen e akteve juridike në Kosovë, siç janë zbrazëtitë apo paqartësitë në ligje, si dhe me

(2) implementimin apo interpretimin e këtyre akteve juridike nga institucionet publike.

Duke qenë se në shumë raste institucionet publike në Kosovë shkelin të drejtat e qytetarëve duke mos zbatuar aktet juridike si duhet, misioni i Qendrës është që këto shkelje të dalin në pah e të mos përsëriten më, apo së paku, të ndëshkohen si duhet.

Gjithashtu, misioni i Qendrës është që të krijohen precedentë, të ngritet vetëdija e popullit, të vihen në pah padrejtësitë, të promovohen të drejtat e njeriut si dhe të nxiten ndryshime aty ku nevojiten. Qendra punon t’i arrijë këto përmes dërgimit të rasteve strategjike në gjykatë apo administratë, si dhe duke i futur ato në agjendën publike përmes përdorimit të mediave, avokimit të vazhdueshëm, trajnimeve dhe shpërndarjes së analizave tek qytetarët.

Fusha e Shërbimit Tonë

Fusha e Shërbimit të Qendrës përfshin vetëm rastet ku institucionet publike në Kosovë kanë shkelur të drejtat e qytetarëve. Qendra synon të mbështesë ata të cilët janë dëmtuar nga veprimet apo mosveprimet e administratës publike dhe gjykatave. Qendra fokusohet në, ndër të tjera, shkeljet e institucioneve publike të të drejtave të njeriut, të ligjit për mbrojtjen e mjedisit, të ligjit të punës dhe të ligjit për qasje në dokumente publike.

Qendra i vlerëson rastet në bazë të këtyre kritereve:

  • Interesi Publik: A ndikon shkelja e bërë nga institucionet publike negativisht në interesin publik? Nga një vendim i drejtë i gjykatës në rastin në fjalë, apo edhe vetëm nga ngritja e vetëdijes kolektive për problemin e caktuar, a mund të përfitojnë një numër i madh i qytetarëve?
  • Reformë: A ka potencial rasti që të sjellë reforma ligjore, politike dhe sociale aty ku nevojiten?
  • Zhvillim: A mund të sjellë rasti përfitime në zhvillimin, interpretimin apo implementimin e akteve juridike në Kosovë?
  • Standarde Ndërkombëtare: A ka potenical rasti të sjellë standarde ndërkombëtare në legjislacionin vendor?

Rastet Strategjike

Rastet Strategjikeidentifikohen në dy mënyra:

(1) nëpërmjet hulumtimeve të bëra në Qendër, dhe

(2) nëpërmjet pranimit të aplikacioneve nga personat e interesuar të sjellin rastin e tyre në Qendër.

Qendra është e hapur për publikun dhe të gjithë mund të aplikojnë në të. Për më shumë informata se si të aplikoni dhe se si është procesi i vlerësimit kliko Si të Aplikoni.