Kthehet në rivendosje rasti i kategorizimit të gabuar për personin paraplegjik dhe tetraplegjik

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e personit paraplegjik dhe tetraplegjik të përfaqësuar nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, e të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte refuzuar padinë kundër Ministrisë së Financave për kategorizim në Grupin e Dytë dhe në mohimin e të drejtës për shoqërues.

Por, sipas ankesës së ushtruar kundër këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 25 shtator 2024, ka vlerësuar se i njëjti është juridikisht i paqartë, kundërthënës dhe jo i plotë lidhur me vërtetimin e gjendjes faktike.

Apeli e ka udhëzuar Gjykatën Themelore në Prishtinë që të bëj plotësimin e ekspertizës mjekësore të caktuar nga ana e gjykatës dhe të punohet nga ekspertë të lëmive përkatëse e të cilët në mënyrë të drejtë dhe të plotë do të vlerësonin dhe do të konstatonin se cilit grup të personave paraplegjik dhe tetraplegjik i takon paditësi.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) vazhdon të ofrojë ndihmë juridike falas për personat paraplegjik dhe tetraplegjik si dhe për të gjithë qytetarët që vlerësojnë se institucionet publike ua kanë mohuar apo shkelur të drejtat e tyre. Në linkun e bashkëngjitur gjeni përmbledhjen për këtë rast gjyqësor strategjik: https://cslkosovo.org/2024/03/14/rasti-i-kategorizimit-te-gabuar-per-personin-paraplegjik-dhe-tetraplegjik/

Mbahet punëtori më anëtarët e Panelit për Lirim me Kusht

Nga data 26 deri më 28 shtator 2024, është mbajtur punëtoria e Panelit për Lirim me Kusht, me qëllim të shqyrtimit të raporteve të punës dhe sfidat për vitin 2024 dhe në të ardhmen. Kjo punëtori u fokusua në veprimtarinë, sfidat dhe vizionin e Panelit për Lirim me Kusht (PLK), që bazuar në Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale është kompetent për shqyrtimin e të gjitha kërkesave për lirim me kusht, të parashtruar nga të dënuarit përmes Institucioneve Korrektuese në Republikën e Kosovës dhe mundësitë për monitorimin e punës së PLK-së nga ana e shoqërisë civile.

Ndër të tjera, anëtarët e Panelit diskutuan për bazën ligjore të lirimit me kusht, raportet ligjore dhe sociale të përgatitura nga Institucionet Korrektues dhe raportet informative të Shërbimit Sprovues të Kosovës lidhur me të liruarit me kusht.

Pjesë e diskutimit ishin edhe temat rreth mbikëqyrjes së lirimit me kusht për shtetasit e huaj, bashkëpunimi i Panelit për Lirim me Kusht me gjykatat dhe nevojën për hartim të planit të trajnimeve për anëtarët e PLK-së.

Organizimi i kësaj punëtorie u mbështet nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) në kuadër të projektit “Human Rightivism” të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mbështet trajnimin e gjyqtarëve rreth shqyrtimit paraprak të padisë në kontestet e punës

Më datë 24 dhe 25 shtator 2024, Akademia e Drejtësisë (AD) me mbështetje nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ka organizuar trajnimin për gjyqtarë me temë “Shqyrtimi paraprak i padisë në kontestet e punës, në kontestet e pengim posedimit dhe në kontestet e fyerjes dhe shpifjes – Afatshmëria/ lejueshmëria si prezumim procedural”.

Gjyqtarët trajnues, Faton Ademi dhe Burim Shala, para gjyqtarëve pjesëmarrës trajtuan natyrën juridike të kontesteve të punës, legjislacioni në fuqi tek këto konteste, fusha e zbatimit dhe llojet e kontratave të punës sipas Ligjit të Punës. Tutje, pjesë e trajnimit ishin edhe vendimet gjyqësore tek këto lloje të kontesteve.

Gjyqtarët pjesëmarrës morën njohuri shtesë sa i përket detajeve të shqyrtimit paraprak të padisë në kontestet e punës, afatshmërinë/lejueshmërinë si prezumim procedural, çështjen e caktimit të përfaqësuesit të përkohshëm për palët në procedurë, mënyrat e vendosjes bazuar në shqyrtimin paraprak të padisë si dhe në arsyetimin e vendimeve gjyqësore.

Po ashtu, në këtë trajnim u shtjellua edhe tema e mbrojtjes gjyqësore nga kontestet e pengim posedimit, kompetenca territoriale e gjykatave për trajtimin e rasteve të tilla, vendimet për kërkesëpadinë, masat e përkohshme dhe mjetet e goditjes së vendimit meritor.

Kurse tek kontestet në lidhje me shpifjen dhe fyerjen, gjyqtarët pjesëmarrës u njoftuan më shumë rreth nocionit të shpifjes dhe fyerjes, masat mbrojtëse, kompensimi, shkallët e përgjegjësisë në rastet e kësaj natyre, si dhe praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në këtë fushë.

Rreth temave të diskutuara, pjesëmarrësit u njoftuan rreth praktikave aktuale që ndjekin gjykatat e shkallës së parë në trajtimin e kontesteve të punës, pengim posedimit, fyerjes e shpifjes dhe për mënyrën e vendosjes meritore të këtyre rasteve nga gjykatat e instancave më të larta.

Ky trajnim u mbështet nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e GLPS-së, në kuadër të projektit “Human Rightivism” të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Mbahet trajnimi me studentë mbi të drejtat e qytetarëve në kujdes shëndetësor

Studentë të universiteteve publike morën pjesë në trajnimin e organizuar nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike me temë: “E drejta e qytetarëve në kujdes shëndetësor – Rregullimi ligjor dhe praktika”

Në pjesën e parë të këtij trajnimi, studentët morën njohuri lidhur me të drejtën e qytetarëve në kujdes e sigurim shëndetësor, të drejtat që u takojnë pacientëve sipas legjislacionit të aplikueshëm në Kosovë dhe praktikën aktuale që ndiqet nga ana e institucioneve përgjegjëse. Këto tema u trajtuan nga Besim Kodra, përfaqësues i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

Në pjesën e dytë të trajnimit, tema e shëndetit mendor brenda kornizës së të drejtave të njeriut në Kosovë u trajtua nga Bind Skeja, drejtor në OJQ “Qendra për Informim dhe Përmirësim Social – QIPS”. Studentët pjesëmarrës patën mundësi që të njoftohen me shumë rreth qasjes së Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi këtë temë si dhe për sfidat e zbatimit të Ligjit për Shëndetin Mendor në vendin tonë.

Ky trajnim u organizua nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) në kuadër të projektit “Human Rightivism” të financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Prishtinë, 20 shtator 2024

Dorëzohet kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për hidrocentralet e Deçanit

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), OJQ “Pishtarët” dhe tre qytetarë të Deçanit – Faton Selmanaj, Muharrem Lulaj dhe Xhavit Kuçi – sot, datë 17 korrik 2024, kanë parashtruar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (ARJ. Nr. 212/2023, i datës 5 mars 2024).

Si palë pretendojmë që ky Aktgjykim që i ka vlerësuar të ligjshme procedurat dhe vendimet për lejet ujore dhe mjedisore për Hidrocentralet “Belaja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi II”, është marrë në shkelje të dispozitave kushtetuese, në interpretim të gabuar të dispozitave ligjore dhe në kundërshtim me gjendjen faktike.

Pas shfrytëzimit të të gjitha mjeteve juridike në procedurë administrative dhe në gjykatat e rregullta kundër vendimeve për Hidrocentralet e Deçanit, si palë i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të konstatoj se Aktgjykimi i Supremes është marrë në kundërshtim me nenet 31, 32, 52 dhe 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kundërshtimi i lejeve përkatëse ujore dhe mjedisore në rastin e njohur si “Rasti i hidrocentraleve të Deçanit,” nuk motivohet nga pikëpamje ideologjike dhe nuk shpërfaqë qëndrim kundër ndërtimit të hidrocentraleve nga kompani private, të huaja apo vendore. Për më tepër, kur bëhet fjalë për energji të ripërtëritshme.

Por, si OJQ që angazhohemi për mbrojtjen e interesit publik, nuk mund të qëndrojmë indiferent ndaj betejës ligjore të inicuar nga disa banorë të Komunës së Deçanit, për të mos lejuar dëmet mjedisore nga ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve që operojnë me leje të marra në kundërshtim me ligjin. Pra, kundërshtimi ynë mbështetet në faktin se lejet ujore dhe mjedisore janë lëshuar në kundërshtim me ligjin dhe se është shpërfillur tërësisht dëmi i pariparueshëm mjedisor.

Konkretisht, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë bërë interpretime qartazi të gabuar të neneve 72 dhe 78 të Ligjit për Ujërat. Sikundër që këto gjykata kanë shpërfillur tërësisht faktin se dëmet e dukshme mjedisore në këtë rast janë konstatuar edhe nga vet komisioni gjegjës i MMPHI. Por, kjo e fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të adresuar gjetjet e komisionit të vet. Ndërsa Gjykata Supreme, në mënyrë krejtësisht arbitrare, ka arsyetuar se nuk ka tagër të veprojë kundrejt mosveprimit të MMMPHI për të ndaluar një dëm mjedisor, të konstatuar nga vet MMPHI.

Për këto arsye, ne kemi paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me të cilin kemi kontestuar kushtetutshmërinë e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, ARJ. Nr. 212/2023, të datës 5 mars 2024. Në kërkesë kemi paraqitur fakte dhe argumente bindëse se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme është marrë me shkelje të neneve kushtetuese në vijim:

– Neni 32:  E drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

– Neni 32 i ndërlidhur me nenin 54:  E drejta për mjete juridike në ndërlidhje më mbrojtjen gjyqësore të të drejtave

– Neni 52: Përgjegjësia për mjedisin jetësor

Jemi me shpresë se Gjykata Kushtetuese do ti trajtojë me seriozitet dhe profesionalizëm argumentet tona që shpërfaqin shkeljet kushtetuese në Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, ARJ. Nr. 212/2023, të datës 5 mars 2024, të kthejë çështjen në rivendosje në Gjykatën e Apelit dhe të urdhërojë këtë gjykatë që të vendosë rastin në pajtim me këtë Aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Me respekt,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike

Gjykata anulon vendimin për projektin “Parku i Aventurave” në Gërmi

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative me aktgjykimin e datës 16 prill 2024,  ka APROVUAR padinë e dorëzuar më 12 shkurt 2021, nga GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe OJQ “Qytetarët Aktiv” dhe ka ANULUAR vendimin e Komunës së Prishtinës lidhur me lejen mjedisore për realizimin e Projektit “Parku i Aventurave” në Peizazhin e Mbrojtur të Parkut Gërmia.

Gjykata e shkallës së parë pasi ka administruar të gjitha provat e bashkëngjitura nga Paditësit, ka ardhur në përfundim se ka bazë të mjaftueshme për të konstatuar kundërligjshmëritë që e kanë karakterizuar nxjerrjen e vendimit të Komunës së Prishtinës, datë 26 gusht 2020, për lejen mjedisore të projektit “Parku i Aventurave”.

Së pari, Gjykata i ka dhënë besim të plotë provave të paditësve më të cilat është konstatuar se Komuna e Prishtinës gabimisht ka aplikuar bazën ligjore për lëshimin e lejes mjedisore, përkatësisht ka aplikuar Udhëzimin Administrativ për dhënien e Lejes Mjedisore Komunale, i cili përcakton se kufizimet e komunës për vendimmarrje për një kategori të projekteve me kapacitete më të mëdha sesa ato që listohen në këtë Udhëzim, ku bën pjesë edhe projekti “Parku i Aventurave” rregullohen me Ligjin për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.

Së dyti, Gjykata i ka vlerësuar të drejta argumentet se Komuna e Prishtinës gjatë vlerësimit dhe miratimit të Projektit “Parku i Aventurave” ka shkelur garancitë kushtetuese të qytetarëve duke ia mohuar të drejtën e pjesëmarrjes në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ata  jetojnë.

Kujtojmë që lidhur me këtë rast ende është në fuqi vendimi i Gjykatës Supreme e Republikës së Kosovës, i datës 10 nëntor 2021, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Komunës së Prishtinës deri në vendosjen përfundimtare të rastit.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) e vlerëson sukses tejet të rëndësishëm vendimin e Gjykatës Supreme mbi pezullimin e lejes mjedisore të projektit “Parku i Aventurave” dhe vendimin e fundit të Gjykatës Themelore për ANULIMIN e vendimit për realizimin e këtij projekti. Vendimet e tilla konfirmojnë kundërligjshmërinë e ndjekur nga organet publike, mohimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrjen mjedisore dhe rrezikun për degradimin e natyrës nga projektet të tilla si “Parku i Aventurave”.

Qendra vazhdon misionin e saj duke dërguar në gjykatë raste që i shërbejnë interesit publik nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, marrëdhënies së punës dhe të drejtës për qasje në dokumente publike. Më shumë detaje rreth rastit “Parku i Aventurave” i gjeni në linkun: https://cslkosovo.org/2024/03/01/leja-mjedisore-per-projektin-parku-i-aventurave-ne-germi/

Prezantohet angazhimi dhe suksesi i Qendrës në organizimin “Pop-Up Embassy”

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), më 31 maj 2024 mori pjesë në organizimin “Pop-Up Embassy” të organizuar nga Ambasada Sudeze në Prishtinë së bashku me Komunën e Prizrenit.

Në këtë organizim, para qytetarëve të Prizrenit dhe pjesëmarrësve të tjerë u prezantua angazhimi dhe sukseset e Qendrës në misionin për të mbrojtur të drejtat e njeriut pranë organeve administrative dhe gjykatave.

Ndër të tjera, pjesëmarrësit përmes përfaqësuesve të Qendrës dhe materialeve të shpërndara morën informacione rreth mënyrës së aplikimit për të përfituar ndihmë juridike falas nga kjo platformë, rëndësisë së rasteve gjyqësore strategjike dhe rolin e tyre në mbrojtjen e interesit publik.

CSL organizon trajnim me studentë lidhur me ligjin e punës dhe të drejtat e punëtorëve në Kosovë

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) sot ka organizuar trajnim për studentët e Fakultetit Juridik me temë “Ligji i punës dhe të drejtat e punëtorëve”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte që studentët të marrin njohuri lidhur me ligjin e punës dhe të drejtat e punëtorëve në Republikën e Kosovës. Prandaj, para studentëve pjesëmarrës është prezantuar në detaje kuptimi dhe zbatimi praktik i ligjit të punës si dhe lidhur me të drejtat që u takojnë punëtorëve në vendin tonë.

Po ashtu, pjesë e diskutimit në këtë trajnim ishin edhe procedurat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të punëtoreve, ku rëndësi e veçantë i është kushtuar institucioneve dhe mekanizmave përgjegjës për zgjidhjen e kontesteve që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentë të Fakulteteve Juridike në kuadër të Universitetit të Prishtinës, të Gjilanit dhe të Prizrenit, ku shfaqen interesim për temën e trajtuar si dhe për rastet strategjike që janë iniciuar nga CSL.

Ky trajnim u organizua në kuadër të projektit “Human Rightivism” financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Kërkesë për rishqyrtimin e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës

Organizata GLPS përmes CSL-së ka paraqitur kërkesë në Komunën e Prishtinës për rishqyrtimin e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës (në vijim: Rregullorja) për arsye të evidentimit të disa mangësive që në parim e vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e këtij akti dhe kompetencat e dhëna për Ndërmarrjen Publike Lokale “Prishtina Parking”.

Disa nga gjetjet e CSL-së përkitazi me këtë Rregullore janë: i) tejkalimi i kompetencave të NPL “Prishtina Parking” në menaxhimin e hapësirave publike jashtë parkingjeve publike; ii) kundërligjshmëria e mandatit të NPL “Prishtina Parking” për vendosjen e bllokadave dhe konfiskimin e veturave; iii) Mos adresimi i disa propozimeve të votuara nga asambleistët në draftin final të Rregullores; iv) Mos adresimi i rekomandimeve nga Ministria e Drejtësisë në vlerësimin e ligjshmërisë së Rregullores; v) Mungesa e përcaktimit të gjobave të kundërvajtjes në qëllimin e Rregullores; vi) Mungesa e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara në vendparkingjet publike; vii) Mungesa e çmimores për Parkingjet Private dhe për Zonën 3; viii) Rritja e çmimeve për parkingjet me laura në Zonën 1; ix) Aplikimi për leje parkingu dhe problematika e qasjes dhe e përpunimit të të dhënave të qytetarëve; x) Mungesa e shtojcës për dimensionet e vendparkingjeve, shenjëzimi, mënyra e parkimit…, dhe shtojca jo e plotë e çmimores dhe kategorizimit të çmimeve.

Po ashtu, CSL i ka propozuar Kuvendit të Kryeqytetit që në këtë Rregullore të rishikohen edhe dispozitat që rregullojnë çështjet si: i) Shqiptimi i biletës 24-orëshe si gjobë ndaj personave që nuk e kryejnë pagesën e parkimit; ii) Lirimi nga taksa vjetore në periudhë 2 vjeçare për vendparkingjet private në Zonën 3, duke mos përcaktuar detyrimet që rrjedhin pas këtij afati;  dhe iii) Mos përcaktimi i llojeve të parkingjeve në të cilat kategoritë e liruara nga obligimi i pagesës për parkim, nëse kjo vlen vetëm për parkingjet publike apo ato private.

CSL ka propozuar që çështjen e rishqyrtimit të Rregullores si dhe plotësim/ndryshimin e saj të propozohet në njërën nga mbledhjet e Kuvendit të Kryeqytetit dhe të sigurohet që secila dispozitë e këtij akti është në përputhje me të drejtat e garantuara dhe përgjegjësitë e institucioneve me legjislacionin primar në fuqi. Kjo për faktin se komunat si bartëse të pushtetit lokal e kanë për obligim që për secilin akt të miratuar përmes Kuvendit Komunal të sigurohen se është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin tjetër në fuqi. Vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund të sigurohen që çdo e drejtë apo obligim që rrjedh nga vendimet e komunës është i bazuar dhe nuk cenon asnjë detyrim që shteti – komuna – ka në raport me ta.

Në rast se Kuvendi i Kryeqytetit nuk ndërmerr asnjë hap për shqyrtimin e pretendimeve tona dhe nuk bën plotësim/ndryshimin e kësaj Rregulloreje, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike e rezervon të drejtën që përmes rrugëve ligjore të kontestoj këtë akt me qëllim të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm shoqëror. Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përdorur mjete juridike për të siguruar drejtësi dhe barazi për të gjithë.

Padi për Konflikt Administrativ kundër Vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)  ka  dorëzuar:
“Padi për Konflikt Administrativ kundër Vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë”

Organizatat paditëse GLPS, Instituti GAP dhe INDEP, më datë 26 dhjetor 2023 kanë paraqitur Padi për Konflikt Administrativ për të kontestuar Vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Në të njëjtën kohë, paditësit kanë paraqitur kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të kontestuar.

Ky rast është vazhdimësi e rasteve strategjike të cilat Qendra i dërgon në Gjykatë, të cilat dëmtojnë interesin e qytetarëve dhe nëpërmjet padive dhe mjeteve tjera juridike synon t’i rregullojë këto shkelje, si dhe në të njëjtën kohë, synon të ngrisë vetëdijen qytetare për probleme të caktuara në sistemin tonë.

Paditësit konsiderojnë se vendimi për refuzimin e ankesës si të pabazuar nga bordi i OSHP-së dhe lënia në fuqi e vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). MMPHI nënshkroi kontratat me operatorët ekonomik fitues përkundër faktit se ishin në dijeni se njëri nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet kishte paraqitur ankesë pranë OSHP-së. Ky veprim i MMPHI është në kundërshtim me nenin 112, pika 1 e LPP-së që përcakton që dorëzimi i ankesës obligon autoritetin kontraktues që automatikisht t’a pezullojë aktivitetin e prokurimit. Edhe pse OSHP e ka identifikuar këtë shkelje, e njëjta ka lënë në fuqi kontratën me arsyetimin se OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik.

Paditësit konsiderojnë që ky arsyetim është i paqëndrueshëm, madje marrja e një vendimi të tillë në fakt dëmton interesin e përgjithshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit shtetëror, dhe lejon që të vazhdohet një proces i kundërligjshëm.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike