Mohimi i të drejtës së personave paraplegjik dhe tetraplegjik për kompensim dhe kujdestar personal

GLPS dhe një qytetar ushtrojnë padi kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve

Personat paraplegjik dhe tetraplegjik përkufizohen si persona që si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor qendror apo periferik kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme përkatësisht ekstremiteteve të poshtme dhe të sipërme. Duke qenë se personat paraplegjik dhe ata tetraplegjik nuk janë në gjendje që të përkujdesen për vete në mënyrë të pavarur, varësisht nga shkalla e dëmtimeve, ata për të kryer edhe nevojat më elementare duhet të kenë së paku dy shoqërues. Pavarësisht që statusin dhe të drejtat e këtyre dy kategorive aktualisht e rregullon Ligji nr.05/L -067 për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, i cili ndër të tjera parasheh edhe të drejtën në kompensim mujor si dhe të drejtën për kujdestar, në praktikë institucionet ua mohojnë këto drejta personave të tillë në bazë të vendimeve të paarsyetuara dhe duke mos i marrë parasysh raportet mjekësore që e vërtetojnë gjendjen shëndetësore të tyre.

Një rast i tillë i mohimit të së drejtës ligjore për kompensim dhe kujdestar personal ndodhi edhe me një qytetar nga komuna e Gllogocit, i cili bashkë me Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), më datë 1 mars 2023, dorëzuan si bashkëpaditës padinë për konfliktin administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

Në këtë Padi, CSL dhe qytetari pretendojnë kundërligjshmërinë e vendimit të Divizionit të Skemave Pensionale – Departamenti i Pensioneve në kuadër të MFPT-së (vendimi i kontestuar), i datës 7 dhjetor 2022, me të cilin ishte refuzuar ankesa e qytetarit kundër vendimit të këtij organi për mos njohjen e statusit të personit paraplegjik dhe tetraplegjik e që rrjedhimisht i ishte mohuar edhe e drejta ligjore në kompensim dhe në kujdestar personal.

Bashkëpaditësit vlerësojnë se vendimi i kontestuar është marrë në kundërshtim me parimet kushtetuese të sundimit të ligjit, me dispozitat e Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), Rregulloren (QRK) nr. 07/2017 për përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë e komisionit vlerësues dhe përcaktimin e procedurave për njohjen e statusit dhe të drejtave të personave paraplegjik dhe
tetraplegjik (Rregullorja nr. 07/2017), dhe nga mos ekzaminimi i duhur nga Komisioni Vlerësues.

Se vendimi për mos njohjen e statusit të personit paraplegjik dhe tetraplegjik ndaj qytetarit (bashkëpaditësit) është i përfshirë në shkelje të parimit kushtetues të mos diskriminimit argumentohet me faktin se organi vendimmarrës duke ia njohur vetëm statusin e personit me paaftësi të përhershme, ia ka mohuar të drejtën në kompensim dhe në kujdestar personal. Pra, me mosdhënien e një përshtatje/akomodimi të arsyeshëm e në përputhje me nevojat specifike të bashkëpaditësit, vlerësohet se organi vendimmarrës nuk e ka trajtuar në mënyrë të barabartë përkatësisht e ka diskriminuar qytetarin në bazë të aftësisë së tij të kufizuar.

Po ashtu, vendimi i atakuar pretendohet se bie në kundërshtim me ligjin bazik që rregullon statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, për arsye se nuk janë marrë parasysh faktet që tregojnë se ky qytetar ka pasoja të përhershme në shëndetin e tij si dhe nuk mund të kryej nevojat elementare ditore pa ndihmën e një personi tjetër.

Tutje, mos arsyetimi i vendimit mbi refuzimin e ankesës së bashkëpaditësit, mos përfshirja e raportit të Komisionit Konziliar si dhe e raportit specialistik, më të cilat vërtetohet diagnoza dhe  se bashkëpaditësi është plotësisht i pa aftë për jetë të pavarur dhe domosdoshmëria për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër, paraqesin bazë tjetër mbi të cilën bashkëpaditësit thirren se vendimi i atakuar është marrë në kundërshtim me LPPA, Rregulloren nr. 07/2017 si dhe nga mos ekzaminimi i duhur nga Komisioni Vlerësues.

Përmes arsyetimit të pretendimeve të lartcekura dhe nga provat e bashkëngjitura në Padi, CSL dhe qytetari kanë kërkuar nga ana e gjykatës që të aprovojë në tërësi këtë padi, ta anulojë vendimin e atakuar si dhe të aprovohet kërkesa për kategorizimin e këtij qytetari në grupin e parë të personave paraplegjik dhe tetraplegjik, ashtu që të detyrohet MFPT-ja t’ia kompensojë pensionin në mënyrë retroaktive nga data 5 janar 2022.

Pavarësisht që me padi është kërkuar që kjo çështje gjyqësore të procedohet me prioritet nga ana e gjykatave për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëpaditësit, gati një vit pas dorëzimit të padisë, nga ana e gjykatës nuk është pranuar asnjë vendim e as ftesë për fillimin e gjykimit të çështjes.

8 gusht 2024 – GLPS dhe qytetari, përmes të autorizuarit të tyre, dorëzuan kërkesë/urgjencë për përshpejtimin e shqyrtimit të padisë, për faktin se pavarësisht që kanë kaluar më shumë se 1 vit nga dorëzimi i padisë, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative nuk ka ndërmarrë asnjë veprim procedural në raport me pretendimet e palëve paditëse. GLPS dhe qytetari janë në pritje të ndonjë veprimi procedural nga ana e gjykatës ose ftesës për seancë përgatitore.

Rasti i dytë ku CSL dorëzon padi për konflikt administrativ kundër vendimit për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik

Organizata paditëse GLPS dhe një qytetar i Republikës së Kosovës, të cilit i është refuzuar kompensimi për personin paraplegjik dhe tetraplegjik dhe i është mohuar e drejta në kujdestar personal, kanë paraqitur padi për konflikt administrativ. Kjo padi është paraqitur kundër vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Paditësit të dëmtuar i është refuzuar ankesa kundër vendimit me të cilin i është mohuar e drejta në kompensim për personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, si dhe i është mohuar e drejta për kujdestar personal. Ky vendim është marrë në kundërshtim me Raportin Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, si dhe në kundërshtim me raportet mjekësore, të cilat kanë përshkruar se pacienti është plotësisht i pa aftë për jetë të pavarur dhe se është e domosdoshme ndihma dhe kujdesi i personit të tretë. Pra, Vlerësimi i Komisionit Vlerësues nuk është bërë në bazë të ekzaminimit të duhur të pacientit, as në bazë të dokumenteve mjekësore, e as në bazë të Raportit Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Vendimi i nxjerrë nga Divizioni i Skemave Pensionale, Departamenti i Pensioneve është në kundërshtim me Ligjin për statusin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, për arsye se është mohuar e drejta për një kujdestar personal me qëllim të ofrimit të kujdesit dhe shërbimeve të domosdoshme ditore, si dhe është mohuar e drejta në kompensim shtesë për përfituesit e Grupit të Parë. Gjithashtu, me nxjerrjen e këtij vendimi është shkelur rregullorja (QRK) nr. 07/2017, e cila përcakton se Komisioni Vlerësues është përgjegjës ta bëjë vlerësimin e parashtruesit të kërkesës duke u bazuar në dokumentet mjekësore, vendimin konziliar nga Klinika e QKUK si dhe ekzaminimin nga Komisioni Vlerësues. Për me tepër, Vendimit i mungon arsyetimi e që është në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe me parimet kushtetuese të sundimit të ligjit. Pasojë juridike e mungesës së arsyetimit është paligjshmëria e aktit administrativ dhe që rrjedhimisht sjellin pavlefshmërinë në bazë të nenit 52 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Me këtë vendim, paditësi është diskriminuar në bazë së aftësisë së tij të kufizuar, duke mos i dhënë përshtatje/ akomodim të arsyeshëm në përputhje me nevojat e tij.

Muajt e fundit, kemi pranuar shumë ankesa lidhur me trajtimin e kërkuesve të kompensimit që përcaktohet me Ligjin për statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. Po ashtu, edhe sipas raportimeve të mediave, kemi vërejtur se ka pasur shumë raste kur personat që kanë kaluar në procedurë vlerësimit apo të rivlerësimit janë trajtuar padrejtësisht nga Komisioni Vlerësues duke mos marrë për bazë rekomandimet e mjekëve, situatën reale të personit dhe duke mos ju kushtuar kohë të mjaftueshme për vlerësim. Shumë qytetarë janë ankuar për procedurën e rivlerësimit që është mjaft burokratike, pasiqë duhet paraqitur në dy vlerësime të pavarura dhe pavarësisht Komisioni Vlerësues shumë shpesh nuk bazohet në të gjeturat e Komisionit Konziliar të përbërë nga pesë mjekë specialistë, por vlerëson në mënyrë të pavarur.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dhe qytetari i dëmtuar synojnë që ky rast të trajtohet me prioritet dhe të anulohet vendimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe kjo ministri t’i ndërmerr të gjitha masat që legjislacioni të zbatohet dhe se qytetarët, sidomos personat me aftësi të kufizuar të trajtohen në mënyrë të barabartë duke ju njohur të drejtat të cilat ju takojnë.

Padi për konflikt administrativ kundër vendimit për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik

Të nderuar qytetarë ,

Ju njoftojmë se sot, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka dorëzuar:

Padi për konflikt administrativ kundër vendimit për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik 

Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës, të cilës i është refuzuar kompensimi për personin paraplegjik dhe tetraplegjik gjatë procedurës së rivlerësimit, kanë paraqitur padi për konflikt administrativ. Kjo padi është paraqitur kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Paditëses së dëmtuar i është refuzuar ankesa për rishqyrtim të vendimit, me të cilin është kategorizuar në Grupin e Dytë dhe i është mohuar e drejta për shoqërues. Ky vendim i nxjerrë nga Divizioni i Skemave Pensionale është marrë në procedurë të rivlerësimit që bëhet nga Komisioni Vlerësues çdo pesë vite në bazë të aktit nënligjor që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik. Në këtë rast, Vlerësimi i Komisionit Vlerësues nuk është bërë në bazë të ekzaminimit të duhur të pacientës, as në bazë të dokumenteve mjekësore, e as në bazë të Raportit Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat, ka pasur shumë raste kur personat që kanë kaluar në procedurë të rivlerësimit janë trajtuar padrejtësisht nga Komisioni Vlerësues duke mos marrë për bazë rekomandimet e mjekëve, situatën reale të personit dhe duke mos ju kushtuar kohë të mjaftueshme për vlerësim. Shumë qytetarë janë ankuar për procedurën e rivlerësimit që është mjaft burokratike, pasiqë duhet paraqitur në dy vlerësime të pavarura dhe pavarësisht Komisioni Vlerësues shumë shpesh nuk bazohet në të gjeturat e Komisionit Konziliar të përbërë nga pesë mjekë specialistë, por vlerëson në mënyrë të pavarur.

Ku edhe në rastin e sotëm, paditëses së dëmtuar pavarësisht se Komisioni Konziliar ka kontatuar se është paciente e grupit të parë dhe se ka vlerësuar se është e nevojshme që të ketë përcjellës, Komisioni Vlerësues ka vlerësuar se pacientes i është përmirësuar gjendja shëndetësore dhe se është kategorizuar në Grupin e Dytë, pra, përkundër dokumenteve mjekësore të cilat e dëshmojnë të kundërtën. Paditësja është vlerësuar nga Komisioni vetëm me shikim dhe asaj i është mohuar e drejta në qasje në Raportin e Komisionit Vlerësues.

Me respekt,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike