Rasti i dytë i refuzimit të së drejtës për pushim vjetor

GLPS i ofroi mbështetje ligjore të punësuarës që i refuzohej e drejta e pushimit vjetor

Ligji i Punës që është i aplikueshëm në Republikën e Kosovës përcakton se çdo i punësuar gjatë vitit kalendarik ka të drejtë për pushim vjetor të paguar në një kohëzgjatje prej së paku katër javë, pavarësisht a punon me orar të plotë apo të shkurtuar. Kjo e drejtë vlenë edhe për zyrtarët publik që shërbejnë në institucione bazuar edhe në Rregulloren për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publik.

Përveç pushimit vjetor, ligji parasheh edhe pushimin e lehonisë, pushimin mjekësor, pushimin javor etj., të cilat nuk bien ndesh me njëra-tjetrën. Kjo nënkupton se në rastet kur një i/e punësuar shfrytëzon njërin nga llojet e pushimit, kjo do të thotë që punëdhënësi nuk mund t’ia mohojë të drejtën e shfrytëzimit të llojit tjetër të pushimit që e njeh ligji.

Sidoqoftë, në disa raste punëdhënësit refuzojnë që të punësuarve t’ua mundësojnë gëzimin e kësaj të drejte me arsyetimin se “As ligji dhe as aktet nënligjore nuk i japin të drejtë askujt të që të shfrytëzojë pushim vjetor për periudhën kohore të pushimit të lehonisë…”. Situatë e tillë ka ndodhur edhe me qytetaren – e punësuar në kuadër të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) – të cilës i ka ofruar mbështetje juridike Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike më datë 5 qershor 2023, ka dorëzuar kërkesën për realizimin e së drejtës në pushim vjetor në institucionin ku është e angazhuar qytetarja.

Në këtë parashtresë, Qendra i ka kërkuar institucionit përkatës që, konform me legjislacionin në fuqi që rregullon të drejtën e pushimit vjetor, të punësuarës t’i jepen 15 ditë pushimi, të cilat kishin mbetur të pashfrytëzuara nga viti 2022, e të njëjtat t’i shfrytëzojë gjatë muajit qershor 2023.

Pas kësaj, SHSKUK-ja i ka lejuar qytetarës t’i shfrytëzojë ditët e mbetura të pushimit vjetor. Me këtë rast, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike e vlerëson pozitive përgjigjen e SHSKUK-së.

Shkelja e të dhënave personale me rastin e publikimit të rezultateve të provimit të jurisprudencës

Shkelja e të dhënave personale në rastin e publikimit të rezultateve të provimit të jurisprudencës është ngritur si një çështje me rëndësi për mbrojtjen e privatësisë së individëve dhe zbatimin e ligjeve për të mbrojtur këtë të drejtë themelore. Në këtë kontekst, Ministria e Drejtësisë ka qenë subjekt i kritikave për publikimin e emrave, mbiemrave dhe emrave të prindit të kandidatëve në ueb faqen zyrtare dhe në rrjetet sociale, pa respektuar Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.  Këto informata, shpesh janë publikuar edhe në rrjete sociale, shpërndarë dhe rishpërndarë disa herë duke rritur mundësinë për keqpërdorimin e tyre.

Në këtë rast, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (Qendra) luajti një rol kyç në adresimin e shkeljeve të privatësisë së individëve nga Ministria e Drejtësisë në këtë rast. Qendra pas pranimit të ankesës nga një qytetare, më 14 shkurt 2022 ndihmoi qytetaren që ta paraqes ankesën në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke i propozuar asaj që të zbatojë masat e duhura për të mbrojtur privatësinë e individëve.

Ky rast shënoi një fitore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Pas veprimeve të ndërmarra nga Qendra dhe pas përfundimit të punës së AIP-së, u bë e qartë se Ministria e Drejtësisë kishte shkelur ligjin dhe kishte nevojë për të ndërmarrë veprime korrigjuese. Në këtë kontekst, vendimi i AIP-së urdhëroi Ministrinë e Drejtësisë për të ndaluar publikimin e të dhënave personale dhe për të hequr publikimet ekzistuese. Ky vendim ishte një përmbushje e qëllimeve të Qendrës për të mbrojtur të drejtat e individëve dhe për të forcuar zbatimin e ligjit.

AIP gjatë fazës së shqyrtimit të ankesës  kishte dërguar pyetje në Ministrinë e Drejtësisë lidhur me bazën ligjore e cila mundëson publikimin e këtyre të dhënave. Ministria e Drejtësisë kishte theksuar se ekziston mundësia që kandidatëve që nuk dëshirojnë t’iu publikohen rezultatet mund të ju komunikohen ato vetëm në prani të Komisionit, duke u bazuar në nenin 14, par.8 i Ligjit nr. 04/L-141 për Provimin e Jurisprudencës. Në këtë përgjigje, Ministria e Drejtësisë kishte thënë se “publikimi i rezultateve të Provimit të Jurisprudencës është në funksion të njoftimit në kohë reale të kandidatëve dhe transparencës”. AIP ka vlerësuar se ky argumentim nuk përputhej me kërkesat dhe kufizimet e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sepse ky ligj parasheh si kriter themelor për përpunimin e të dhënave personale dhënien e pëlqimit nga subjekti i të dhënave. Ndërkaq, në rastin e publikimit të rezultateve të provimit të jurisprudencës nuk është kërkuar pëlqim nga subjektet e të dhënave personale.

Reagimi dhe bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë në përputhje me vendimin dhe urdhrin e AIP-së, si dhe në ndërmarrjen e masave për të përmbushur kërkesat e ligjit tregon një përkushtim të përbashkët për respektimin e privatësisë dhe të drejtave të individëve. Ministria e Drejtësisë tash vepron në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe rezultatet e provimeve i publikon me kode për secilin kandidatë, pra në mënyrë të pseudonimizuar. Kjo fitore dëshmon rolin kyç të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e privatësisë dhe në forcimin e ligjit për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut në mjedisin digjital.

Rasti i refuzimit të së drejtës për pushim vjetor

GLPS i ofroi mbështetje ligjore të punësuarës që i refuzohej e drejta e pushimit vjetor

Ligji i Punës që është i aplikueshëm në Republikën e Kosovës i obligon punëdhënësit që të punësuarve të mos ia mohojnë të drejtën e shfrytëzimit të pushimit vjetor. Por, përveç këtij lloji të pushimit, Ligji parasheh edhe pushimin e lehonisë, pushimin mjekësor, pushimi javor etj., të cilat nuk bien ndesh me njëra-tjetrën. Kjo nënkupton se në rastet kur i/e punësuara shfrytëzon njërin nga llojet e pushimit, kjo nuk do të thotë që punëdhënësi nuk mund t’ia mohojë të drejtën e shfrytëzimit të llojit tjetër të pushimit që e njeh Ligji.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) përmes Qendrës për Raste Strategjike, ka ofruar mbështetje ligjore në një rast, i cili ka të bëjë me një të punësuar e cila kishte shfrytëzuar të drejtën e pushimit të lehonisë, dhe mbi këtë bazë institucioni (Zyra e Administratës – Klinika e Pediatrisë – Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës) në mënyrë verbale ia kishte refuzuar kërkesën për shfrytëzimin e pushimit vjetor.

Duke e vlerësuar se të punësuarës në mënyrë të pabazuar po i refuzohej e drejta e shfrytëzimit të pushimit vjetor, Qendra ka dorëzuar një shkresë më datë 6 qershor 2020, duke i kërkuar institucionit që t’ia njeh këtë të drejtë pushimi qytetares dhe që të njëjtin ta shfrytëzojë gjatë muajit qershor 2022.

Qendra e ka mbështetur kërkesën në të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga Ligji i Punës dhe Rregullorja për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë. Ky ligj përcakton që pushimi i të punësuarit nuk konsiderohet si ndërprerje e marrëdhënies së punës, përfshirë edhe rastet pas shfrytëzimit të pushimit të lehonisë. Pra, duke marrë pushimin e lehonisë,  e punësuara nuk e ndërprenë marrëdhënien efektive të punës. Rrjedhimisht, pushimi i lehonisë është komplementar me pushimin vjetor (i shtohet atij) e jo zëvendësues ndaj tij.

Pas ofrimit të ndihmës juridike falas dhe përpilimit të shkresave të nevojshme, institucioni ku e punësuara punon më datë 14 qershor 2022, ia njohu të drejtën e pushimit vjetor.

Raste të tilla të suksesshme bëjnë që Qendra të mbetet e përkushtuar në zgjidhjen e problemeve kolektive përmes rasteve individuale dhe që t’i mbrojë të drejtat e të punësuarve, të sigurisë në punë, shëndetit dhe ambientit të përshtatshëm në punë dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut përmes padive strategjike dhe mjeteve tjera ligjore.

Refuzimi i së drejtës për aplikim në konkursin publik

GLPS i ofroi mbështetje ligjore kandidates që i’u refuzua aplikimi në konkursin për laborantë mjekësorë

Ligji për zyrtarët publikë përcakton se pranimi në punë i nëpunësve civil dhe nëpunësve të shërbimit publik bazohet në parimin e meritës, mundësive të barabarta, profesionalizmit, integritetit, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë gjinor dhe të komuniteteve, përmes një procedure të hapur dhe konkurruese. Ky detyrim i obligon të gjitha institucionet publike që t’i respektojnë këto parime në çdo konkurs publik të shpallur nga ana e tyre.

Por, në rastin tonë, sektori i burimeve njerëzore i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), në konkursin e shpallur për pranimin e infermierëve dhe laborantëve më datë 13 nëntor 2023, në mënyrë të kundërligjshme ia ka mohuar të drejtën e aplikimit qytetares që përfaqësohet nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL).

Kësaj kandidateje në mënyrë verbale i ishte refuzuar aplikimi nga zyrtarët për pranim të dokumentacionit në konkursin e lartcekur, në të cilën ajo kishte aplikuar për pozitën “Laborantë Mjekësorë”, me arsyetimin që nuk ka përgatitjen e duhur shkollore.

Pas shqyrtimit të çështjes, dokumenteve dhe konkursit, CSL ka vlerësuar se refuzimi i aplikimit të kandidates në konkursin publik të SHSKUK-së bie në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe me datë  7 dhjetor 2023 dorëzuan një kërkesë në SHSKUK.

Përmes kësaj parashtrese, CSL dhe qytetarja kishte kërkuar nga ana e SHSKUK-së që të bëj pranimin e dokumenteve për aplikim në konkurs të kandidates për pozitën “Laborantë Mjekësorë”, me arsyetimin se refuzimi i aplikacionit nga zyrtarët për pranim të dokumentacionit në konkursin e lartcekur është i kundërligjshëm për disa arsye.

Së pari, CSL dhe qytetarja arsyetojnë kërkesën për pranim të aplikimit me faktin se kandidatja e ka përgatitjen shkollore e profesionale si dhe përvojën si teknike laborante, si kushte të mjaftueshme për pozitën e shpallur nga SHSKUK-ja.

Së dyti, përmes kësaj kërkese është arsyetuar kundërligjshmëria e refuzimit të aplikimit nga zyrtarët për pranim të dokumentacionit në konkursin e lartcekur, sepse vlerësimi mbi plotësimin e kushteve sipas konkursit do të duhej të vlerësohej nga një komision i veçantë, i cili edhe do të arsyetonte vendimin në rast të refuzimit të dokumentacionit të dorëzuar.

Mbi bazën e këtyre provave dhe arsyetimeve, CSL dhe kandidatja kanë kërkuar nga institucioni që të pranojë aplikimin e saj në konkursin për pozitën laborantë mjekësorë, me paralajmërimin që do të ndërmerren veprime edhe në rrugë gjyqësore nëse refuzohet ky aplikim pa ndonjë arsyetim të bazuar në legjislacion.

CSL dhe kandidatja janë në pritje të përgjigjes nga ana e SHSKUK-së.

Kundërligjshmëria e lidhjes së kontratës për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë

GLPS dhe dy organizata tjera joqeveritare dorëzojnë padi kundër Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP)

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) më datë 9 janar 2023 ka publikuar njoftimin për fillimin e procedurave të prokurimit për tenderin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë, në vlerë të përgjithshme prej 38 milionë e 30 mijë e 326 euro. Por, pasi dhënia e këtij tenderi është karakterizuar me disa parregullsi dhe shkelje ligjore, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Instituti GAP,  përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike i janë drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në këtë padi, paditësit  fillimisht kërkuan të vendoset për pezullimin e këtij procesi si dhe të anulohet vendimi i OSHP-së mbi refuzimin e ankesës në rastin e dhënies së kontratës për këtë tender.

Paditësit duke e analizuar dosjen e këtij tenderi fillimisht kishin konstatuar se vlera totale e tenderit është  për 430 mijë e 343 euro më e lartë në raport me vlerën e përcaktuar për secilën pjesë të zgjerimit të rrugës. Së dyti, edhe gjatësia e rrugës tek qëllimi i kontratës ishte 23 kilometra, ndërsa kur mblidhen gjatësitë e secilës pjesë të rrugës që pritet të zgjerohet paraqitet një gjatësi më e vogël. Pas shumë kërkesave të paditësve që të përmirësohen këto mospërputhje në tender, MMPHI i ka adresuar rekomandimet në këtë tender.

Në mes të datave 9 dhe 13 qershor 2023, janë përgatitur njoftimet për dhënien e kontratës për pjesët e këtij tenderi dhe janë publikuar në platformën e-Prokurimi. Më pas, një operator që nuk ishte përzgjedhur si përfitues nga ky tender, kishte ushtruar ankesë në OSHP më datë 15 qershor 2023. Pavarësisht se ankesa e kësaj kompanie nuk kishte marrë përgjigje nga OSHP-ja, Ministria më datë 19 qershor 2023, kundërligjshëm, ka nënshkruar kontratën me secilën nga kompanitë që e kanë fituar tenderin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë.

Tutje, pas 5 muaj e 20 ditësh jashtë afatit ligjor për trajtimin e ankesave, OSHP-ja kishte vendosur që ta refuzojë ankesën e kompanisë që nuk ishte përzgjedhur si përfituese në këtë tender, edhe pse për trajtimin e kësaj ankesë kishte afat ligjor vetëm 15 ditë. Me këtë rast, OSHP-ja ka kryer shkelje ligjore edhe me mos pezullimin e dhënies së tenderit si shkak i pranimit të ankesës nga operatori ekonomik që nuk është zgjedhur përfitues.

Duke pasur parasysh të gjitha këto rrethana dhe me qëllim të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm publik, GLPS, INDEP dhe Instituti GAP më datë 22 dhjetor 2023 kanë ushtruar padi për konflikt administrativ dhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ. Kjo padi është dorëzuar kundër OSHP-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative.

Paditësit konsiderojnë se vendimi për refuzimin e ankesës si të pabazuar nga bordi i OSHP-së dhe lënia në fuqi e vendimit të MMPHI është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). MMPHI nënshkroi kontratat me operatorët ekonomik fitues përkundër faktit se ishin në dijeni se njëri nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet kishte paraqitur ankesë në OSHP. Ky veprim i MMPHI është në kundërshtim me LPP-në që përcakton që dorëzimi i ankesës obligon autoritetin kontraktues që automatikisht t’a pezullojë aktivitetin e prokurimit. Edhe pse OSHP e ka identifikuar këtë shkelje, e njëjta ka lënë në fuqi kontratën me arsyetimin se OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik.

Paditësit konsiderojnë që ky arsyetim është i paqëndrueshëm, madje marrja e një vendimi të tillë dëmton interesin e përgjithshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit shtetëror, dhe lejon që të vazhdohet një proces i kundërligjshëm.

Në fund, nga provat e bashkëngjitura në padi, i është kërkuar Gjykatës që fillimisht të vendos për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OSHP-së e pas shqyrtimit gjyqësor të anulohet në tërësi ky vendim, ashtu që me rastin e dhënies së tenderit për zgjerim të rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë të respektohen në tërësi dispozitat ligjore dhe procedurat që e rregullojnë prokurimin publik.

Më pas, më 10 janar 2024 Gjykata morri vendimin, më të cilin Padis është hedhur poshtë për shkak të ekzistimit të gjyqvarësisë (litispendencës), me arsyetimin se për çështjen e njëjtë ndërmjet palëve të ndryshme është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore në Gjykatën Komerciale. Duke arsyetuar se “vendosja e çështjes në këtë konflikt administrativ për të njëjta vendime të atakuara, bie në kundërshtim edhe me parimin universal juridik “ne bis in dem” dhe do të përbente procedurë duale për të njëjtën çështje.”

Kundër këtij vendimi të Gjykatës Themelore, Paditësit më 24 janar 2024 kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimet se vendimi i atakuar përfshihet në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe në zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Ndër të tjera, Paditësit argumentojnë se padia nuk mund të hedhet poshtë në rastin kur për çështjen e njëjtë palët janë të ndryshme sepse për të ekzistuar gjyqvarësia (duhet që kërkesëpadia dhe palët të jenë të njëjta. Gjithashtu, referimi i Gjykatës Themelore në parimin “ne bis in dem” është vlerësuar i gabuar për faktin se ky është parim juridik që zbatohet në procedurë penale dhe i cili mbron personat e liruar apo të dënuar me një vendim të formës së prerë për një vepër penale që të mos ndiqen dhe dënohen për të njëjtën vepër penale përsëri. Pra, ky parim nuk ndihmon procesin në procedurë të konfliktit administrativ. Bazuar në provat dhe arsyetimin që mbështetet kjo ankesë, Paditësit kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta anulojë vendimin e Gjykatës Themelore dhe që lënda të kthehet në rivendosje.

Deri më tani nga Gjykata e Apelit nuk është pranuar asnjë vendim lidhur me këtë ankesë.

Kategorizimi dhe kompensimi jo-adekuat i personave paraplegjik dhe tetraplegjik

GLPS dhe një qytetar parashtrojnë padi kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve

Personat paraplegjik dhe tetraplegjik përkufizohen si persona që si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor qendror apo periferik kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme përkatësisht ekstremiteteve të poshtme dhe të sipërme. Duke qenë se personat paraplegjik dhe ata tetraplegjik nuk janë në gjendje që të përkujdesen për vete në mënyrë të pavarur, varësisht nga shkalla e dëmtimeve, ata për të kryer nevojat elementare ditore duhet të kenë shoqërues. Pavarësisht që statusin dhe të drejtat e këtyre dy kategorive aktualisht e rregullon Ligji nr.05/L -067 për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, i cili ndër të tjera parasheh të drejtën në kompensim mujor si dhe të drejtën për kujdestar, në praktikë institucionet ua mohojnë këto drejta personave të tillë në bazë të vendimeve të paarsyetuara dhe duke mos i marrë parasysh raportet mjekësore që e vërtetojnë gjendjen shëndetësore të tyre.

Një fat të tillë e kishte edhe një qytetar nga Prishtina, i cili nga viti 2017 e deri në vitin 2022, ishte kategorizuar në grupin e parë të personave paraplegjik dhe tetraplegjik, me ç’rast kishte përfituar pension në shumën 375 euro në muaj. Por, pas ri-vlerësimit të gjendjes shëndetësore, Departamenti i Pensioneve në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) më datë 21 mars 2023, ka refuzuar ankesën e këtij qytetari dhe ka lënë në fuqi vendimin e datës 16 nëntor 2022, më të cilin ky qytetar kategorizohet nga grupi i parë në grupin e dytë të personave paraplegjik dhe tetraplegjik dhe shuma e kompensimit mujor për të do të ishte 150 euro.

Ri-kategorizimi i qytetarit në grupin e dytë është bërë në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi pasi që nga raportet mjekësore vërehet se nuk ka përmirësim të gjendjes shëndetësore të tij, e për më tepër diagnoza specifikon që personi është i paaftë për vetëmbajtje të përhershme.

Pasi pala e pakënaqur ka përdorë të gjitha mjetet e rregullta për kundërshtimin e këtij vendimi, Qendra i ka ofruar mbështetje juridike ashtu që më datë 27 prill 2023, kanë dorëzuar si bashkëpaditës padinë për konfliktin administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative kundër MFPT-së.

Në këtë Padi, CSL-ja dhe qytetari pretendojnë kundërligjshmërinë e vendimit të Divizionit të Skemave Pensionale – Departamenti i Pensioneve në kuadër të MFPT-së (Vendimi i Kontestuar), i datës 21 mars 2023, për refuzimin e ankesës për rishqyrtim të vendimit me të cilin ai është kategorizuar në Grupin e Dytë dhe i është mohuar e drejta për shoqërues.

Bashkëpaditësit vlerësojnë se vendimi i kontestuar është marrë në kundërshtim me parimin kushtetues të mos diskriminimit, dispozitat e Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA) dhe Rregulloren (QRK) nr. 07/2017 për përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë e komisionit vlerësues dhe përcaktimin e procedurave për njohjen e statusit dhe të drejtave të personave paraplegjik dhe
tetraplegjik (Rregullorja nr. 07/2017). Po ashtu, ky vendim përmban edhe shkelje të tjera si: mungesa e arsyetimit të aktit administrativ, diskriminim i personit me aftësi të kufizuara dhe i njëjti është nxjerrë bazuar në mosekzaminimin e duhur nga Komisioni Vlerësues. Të gjitha këto pretendime janë argumentuar me prova dhe arsyetime në Padi.

Po ashtu, marrë parasysh që ky rast ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të personit me aftësi të kufizuara, sipas parimit për gjykim të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm, i është kërkuar gjykatës që këtë çështje ta trajtojë me prioritet.

Po ashtu, nga Gjykata është kërkuar që të nxjerrë aktgjykim me të cilin aprovohet në tërësi kjo padi dhe t’i njihet këtij qytetari e drejta për kategorizimin në grupin e parë të personave paraplegjik dhe tetraplegjik, duke e detyruar kështu MFPT-në që t’i kompensojë shumat e pensionit nga data 21 mars 2023 deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Aktualisht, edhe pse ka kaluar një vit nga parashtrimi i padisë, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike nuk ka pranuar asnjë vendim apo ftesë për seancë nga ana e Gjykatës.

Rasti i mohimit të së drejtës për qasje në shërbime publike

GLPS i ofron mbështetje juridike qytetares kundër KESCO për moskryerjen e obligimeve ligjore

E drejta e qytetarëve për qasje në shërbime publike është e drejtë e garantuar me aktet juridike vendore dhe ndërkombëtare. Një e drejtë e tillë e garantuar duhet të gëzohet nga secili qytetar pa dallim dhe duhet të respektohet nga ofruesit e shërbimeve publike. Po ashtu, kyçja në sistemin e energjisë elektrike bën pjesë në të drejtën e personave për marrjen e shërbimeve publike nën kushtet e përcaktuara me legjislacionin që rregullon funksionimin dhe veprimtarinë e operatorit.

Në rastin tonë, një qytetare ka kërkuar mbështetje juridike nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike e GLPS-së më datë 15 korrik 2022, sepse i është shkyçur furnizimi me energji elektrike në banesën e saj pa njoftim paraprak nga ana e Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO). Në bazë të Rregullores së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) parashihet që “… ndërmarrja e energjisë duhet që njoftimin për shkyçje t’ia dërgojë konsumatorit të paktën tre (3) ditë kalendarike para datës për shkyçje”.

Përveç kësaj, KESCO kishte dështuar që të bënte edhe ri-kyçjen e qytetares në rrjetin e energjisë elektrike në afatin prej 24 orëve, pavarësisht pagesës së kryer. Pra, edhe në këtë rast, KESCO ka dështuar që të zbatojë detyrimin që i rrjedh nga Rregullorja e lartcekur ku ndër të tjera thuhet që “Një ndërmarrje e energjisë do ta ri-kyçë objektin e një konsumatori të shkyçur jo më vonë se 24 orë pasi të jenë plotësuar kushtet për rikyçje…”.

Në situatën e krijuar, më 2 gusht 2022, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka përpiluar ankesë në emrin e qytetares drejtuar ZRRE-së për moskryerjen e obligimeve ligjore nga kompania KESCO.

Veprimet e kundërligjshme të kompanisë KESCO paraqesin shkelje flagrante të të drejtave të konsumatorit për qasje jodiskriminuese në shërbimet publike.

Përveç kësaj, papërgjegjësia e KESCO i ka shkaktuar edhe dëm material qytetares sepse nga mungesa e energjisë elektrike për ditë më radhë ka bërë që të prishet ushqimi që ka qenë në shtëpinë e saj. Andaj, në këtë ankesë qytetarja ka kërkuar kompensim për dëmin që i është shkaktuar, si dhe i ka kërkuar ZRRE-së që të shqiptojë gjobë ndaj kompanisë KESCO për shkak të moskryerjes së obligimeve.

ZRRE ende nuk ka kthyer përgjigje lidhur me pretendimet dhe provat e bashkëngjitura në këtë ankesë.