Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) përmes një njoftimi për media bën të ditur se sot ka lansuar Qendrën e parë në Kosovë për Raste Gjyqësore Strategjike. Në konferencën në të cilën u zhvillua kjo veprimtari, ishin të pranishme ambasadorja e Suedisë në Prishtinë Sh.S. znj. Karin Hernmarck, drejtoresha ekzekutive e Fondit për Zhvillim Komunitar (CDF) znj. Nermin Mahmuti, dhe drejtoresha dkzekutive e GLPS, znj. Arbëresha Loxha-Stublla.
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është krijuar për të mbrojtur qytetarët nga padrejtësitë dhe shkeljet të drejtave të tyre themelore nga institucionet publike në Kosovë, si dhe për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut nga të gjithë, thuhet në njoftim. Qendra synon të arrijë këtë nëpërmjet procesit gjyqësor strategjik, apo thënë ndryshe, nëpërmjet dërgimit në gjykatë të rasteve strategjike nga të cilat mund të përfitojnë një numër i madh i qytetarëve. Qendra përzgjedh rastet të cilat i shërbejnë interesit publik dhe të cilat mund të sjellin reforma pozitive në shoqërinë tonë, e pastaj i dërgon këto raste në gjykatë apo në administratë publike. Po ashtu, nëpërmjet avokimit të vazhdueshëm, Qendra synon të informojë publikun për shkeljet e caktuara të institucioneve publike dhe që së bashku me presionin publik të arrijë ndryshimet juridike, sociale dhe politike që na duhen në shoqërinë tonë në Kosovë.
Gjatë konferencës, ambasadorja Hernmarck vuri theksin mbi problemin e mbingarkesës së sistemit gjyqësor në Kosovë dhe vlerësoi lartë iniciativën e GLPS-së për themelimin e një qendre të tille. “Ju jeni Qendra e parë e këtij lloji në Kosovë dhe shpresoj që të gjithë do të shohim një progres të madh të kësaj iniciative. Kjo Qendër do ju mundësoj qytetarëve që realisht të përfitojnë nga shërbimet e ofruara. Të gjesh raste në mënyrë strategjike dhe ti trajtosh ato në benefit të të mirës së përgjithshme do i kontribuoj shumë mirëqenies qytetare në Kosovë”, përfundoi ajo.
Në vazhdim, znj. Mahmuti tha se “ Qendra është me të vërtetë një platformë që synon të ndihmojë sundimin e ligjit në Kosovë përmes zhvillimit të proceseve gjyqësore strategjike e ky synim është me të vërtetë identifikimi i rasteve nga të cilat nuk përfiton vetëm një individ por mund të përfitojnë edhe shumë qytetarë të tjerë. Ne si CDF punojmë se bashku me Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike dhe si synim kemi identifikimin e rasteve strategjike, apo rasteve nga të cilat mund të përfitojnë shumë qytetarë. Pas këtij procesi, Qendra si të tilla i përgatitë dhe i dërgon ato para gjykatave apo administratës publike”, përfundoi znj. Mahmuti.
Edhe znj.Loxha-Stublla tha se kjo platformë “ është krijuar me qëllimin për të mbrojtur qytetarët e Kosovës nga padrejtësitë dhe shkeljet e shumta të të drejtave të tyre nga institucionet publike në Kosovë; si dhe për të promovuar respektimin e të drejtave të njeriut nga të gjithë.”
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike inkurajon të gjithë ata qytetarë që besojnë se të drejtat e tyre janë shkelur nga një institucion publik në Kosovë, qoftë përmes një veprimi ose mosveprimi, të aplikojnë në Qendër për t’u siguruar që të drejtat e tyre janë respektuar.
Për çfarëdo pyetje na shkruani në email.