CSL organizon trajnim me studentë lidhur me ligjin e punës dhe të drejtat e punëtorëve në Kosovë

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) sot ka organizuar trajnim për studentët e Fakultetit Juridik me temë “Ligji i punës dhe të drejtat e punëtorëve”.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte që studentët të marrin njohuri lidhur me ligjin e punës dhe të drejtat e punëtorëve në Republikën e Kosovës. Prandaj, para studentëve pjesëmarrës është prezantuar në detaje kuptimi dhe zbatimi praktik i ligjit të punës si dhe lidhur me të drejtat që u takojnë punëtorëve në vendin tonë.

Po ashtu, pjesë e diskutimit në këtë trajnim ishin edhe procedurat ligjore për mbrojtjen e të drejtave të punëtoreve, ku rëndësi e veçantë i është kushtuar institucioneve dhe mekanizmave përgjegjës për zgjidhjen e kontesteve që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.

Pjesëmarrës në këtë trajnim ishin studentë të Fakulteteve Juridike në kuadër të Universitetit të Prishtinës, të Gjilanit dhe të Prizrenit, ku shfaqen interesim për temën e trajtuar si dhe për rastet strategjike që janë iniciuar nga CSL.

Ky trajnim u organizua në kuadër të projektit “Human Rightivism” financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Kërkesë/Propozim për rishqyrtim dhe plotësim/ndryshim të Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës

Organizata GLPS përmes CSL-së ka paraqitur kërkesë në Komunën e Prishtinës për rishqyrtimin e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës (në vijim: Rregullorja) për arsye të evidentimit të disa mangësive që në parim e vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e këtij akti dhe kompetencat e dhëna për Ndërmarrjen Publike Lokale “Prishtina Parking”.

Disa nga gjetjet e CSL-së përkitazi me këtë Rregullore janë: i) tejkalimi i kompetencave të NPL “Prishtina Parking” në menaxhimin e hapësirave publike jashtë parkingjeve publike; ii) kundërligjshmëria e mandatit të NPL “Prishtina Parking” për vendosjen e bllokadave dhe konfiskimin e veturave; iii) Mos adresimi i disa propozimeve të votuara nga asambleistët në draftin final të Rregullores; iv) Mos adresimi i rekomandimeve nga Ministria e Drejtësisë në vlerësimin e ligjshmërisë së Rregullores; v) Mungesa e përcaktimit të gjobave të kundërvajtjes në qëllimin e Rregullores; vi) Mungesa e përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara në vendparkingjet publike; vii) Mungesa e çmimores për Parkingjet Private dhe për Zonën 3; viii) Rritja e çmimeve për parkingjet me laura në Zonën 1; ix) Aplikimi për leje parkingu dhe problematika e qasjes dhe e përpunimit të të dhënave të qytetarëve; x) Mungesa e shtojcës për dimensionet e vendparkingjeve, shenjëzimi, mënyra e parkimit…, dhe shtojca jo e plotë e çmimores dhe kategorizimit të çmimeve.

Po ashtu, CSL i ka propozuar Kuvendit të Kryeqytetit që në këtë Rregullore të rishikohen edhe dispozitat që rregullojnë çështjet si: i) Shqiptimi i biletës 24-orëshe si gjobë ndaj personave që nuk e kryejnë pagesën e parkimit; ii) Lirimi nga taksa vjetore në periudhë 2 vjeçare për vendparkingjet private në Zonën 3, duke mos përcaktuar detyrimet që rrjedhin pas këtij afati;  dhe iii) Mos përcaktimi i llojeve të parkingjeve në të cilat kategoritë e liruara nga obligimi i pagesës për parkim, nëse kjo vlen vetëm për parkingjet publike apo ato private.

CSL ka propozuar që çështjen e rishqyrtimit të Rregullores si dhe plotësim/ndryshimin e saj të propozohet në njërën nga mbledhjet e Kuvendit të Kryeqytetit dhe të sigurohet që secila dispozitë e këtij akti është në përputhje me të drejtat e garantuara dhe përgjegjësitë e institucioneve me legjislacionin primar në fuqi. Kjo për faktin se komunat si bartëse të pushtetit lokal e kanë për obligim që për secilin akt të miratuar përmes Kuvendit Komunal të sigurohen se është në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin tjetër në fuqi. Vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund të sigurohen që çdo e drejtë apo obligim që rrjedh nga vendimet e komunës është i bazuar dhe nuk cenon asnjë detyrim që shteti – komuna – ka në raport me ta.

Në rast se Kuvendi i Kryeqytetit nuk ndërmerr asnjë hap për shqyrtimin e pretendimeve tona dhe nuk bën plotësim/ndryshimin e kësaj Rregulloreje, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike e rezervon të drejtën që përmes rrugëve ligjore të kontestoj këtë akt me qëllim të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm shoqëror. Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përdorur mjete juridike për të siguruar drejtësi dhe barazi për të gjithë.

Padi për Konflikt Administrativ kundër Vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)  ka  dorëzuar:
“Padi për Konflikt Administrativ kundër Vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë”

Organizatat paditëse GLPS, Instituti GAP dhe INDEP, më datë 26 dhjetor 2023 kanë paraqitur Padi për Konflikt Administrativ për të kontestuar Vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë. Në të njëjtën kohë, paditësit kanë paraqitur kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të kontestuar.

Ky rast është vazhdimësi e rasteve strategjike të cilat Qendra i dërgon në Gjykatë, të cilat dëmtojnë interesin e qytetarëve dhe nëpërmjet padive dhe mjeteve tjera juridike synon t’i rregullojë këto shkelje, si dhe në të njëjtën kohë, synon të ngrisë vetëdijen qytetare për probleme të caktuara në sistemin tonë.

Paditësit konsiderojnë se vendimi për refuzimin e ankesës si të pabazuar nga bordi i OSHP-së dhe lënia në fuqi e vendimit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). MMPHI nënshkroi kontratat me operatorët ekonomik fitues përkundër faktit se ishin në dijeni se njëri nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet kishte paraqitur ankesë pranë OSHP-së. Ky veprim i MMPHI është në kundërshtim me nenin 112, pika 1 e LPP-së që përcakton që dorëzimi i ankesës obligon autoritetin kontraktues që automatikisht t’a pezullojë aktivitetin e prokurimit. Edhe pse OSHP e ka identifikuar këtë shkelje, e njëjta ka lënë në fuqi kontratën me arsyetimin se OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik.

Paditësit konsiderojnë që ky arsyetim është i paqëndrueshëm, madje marrja e një vendimi të tillë në fakt dëmton interesin e përgjithshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit shtetëror, dhe lejon që të vazhdohet një proces i kundërligjshëm.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka marrë aktgjykim për aprovimin në tërësi si të bazuar padinë në rastin e hidrocentraleve në Deçan

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka kënaqësinë t’ju njofotjë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktgjykim për aprovimin në tërësi si të bazuar padinë në rastin e hidrocentraleve në Deçan kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), si dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Me këtë Aktgjykim janë anuluar nëntë (9) vendimet e kundërshtuara përmes padisë të lëshuara nga dy të paditurat, MMPHI dhe ZRRE.

Pas një pune tre vjeçare para gjykatës, drejtësia fitoi dhe u vërtetua që pretendimet janë të bazuara në tërësi të palës paditëse z. Selmanaj dhe të tjerët, si dhe të palës ndërhyrëse, Grupi për Studime Juridike dhe Politike përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe të tjerët.

Gjykata gjeti se MMPHI ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale duke zbatuar nenin 71 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe kështu në mënyrë të paligjshme ka lëshuar Lejet Ujore për prodhimin e energjisë elektrike dhe po ashtu gjeti se MMPHI nuk ka arritur të dëshmojë se pala e interesit – Kelkos Energy Sh.p.k ka zbatuar masën e duhur për rehabilitim ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit. Gjithashtu, Gjykata vërtetoi se lejet mjedisore janë dhënë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit për arsye se nuk janë zbatuar dispozitat, të cilat do të mundësonin rehabilitimin e mjedisit rreth së cilit janë ndërtuar hidrocentralet. Në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës, u theksua se “Gjykata i fali besimin e plotë Raportit të Grupit Punues për shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentralet dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis të 30 qershorit 2021”, ku konstatohet se eksploatimi i zhavorrit dhe rërës në lokacionin “Zalli i Rupës” është bërë në kundërshtim me ligjin.

Me këtë Aktgjykim Gjykata detyroi të paditurën – MMPHI që të krijojë mekanizma ad-hoc për të identifikuar, raportuar dhe sanuar të gjitha dëmet mjedisore të shkaktuara nga pala e interesit, dëme të cilat janë provuar para Gjykatës përmes dyzet e pesë (45) fotografive të dorëzura nga ana e paditësit dhe palës ndërhyrëse. Më tutje, Gjykata gjeti se edhe vendimet e të paditurës së dytë – ZRRE janë marrë me aplikim jo të drejtë të dispozitave ligjore dhe me këtë rast ka vendosur që t’i anulojë, si dhe duke theksuar se këto vendime bazohen tërësisht në akte të paligjshme.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit. Gjykata vërtetoi se lejet dhe licencat e nxjerra për operimin e hidrocentraleve në Deçan janë të jashtëligjshme dhe të njëjtat kjo Gjykatë i anuloi.

Vendosja e ligjshmërisë në të drejtën mjedisore nuk është kërkesë e vetëm një paditësi, por mbi të gjitha mbrojtje e interesit të përgjithshëm. Prandaj, për raste të tilla Qendra bën thirrje që të gjithë qytetarët që konsiderojnë se ju është shkelur ndonjë e drejtë duke cënuar të drejtat mjedisore, të paraqesë rastin në Qendër në www.gravitasllc.site. Së bashku, ne do të luftojmë probleme kolektive nëpërmjet rasteve individuale!

Ju faleminderit!

Thirrje për Shprehje të Interesit të Përgjithshëm për Angazhim të Avokatëve

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është një platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në kuadër të projektit “Human Rightivism” financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF). CSL synon të forcojë sundimin e ligjit në Kosovë përmes procesit gjyqësor strategjik. Procesi gjyqësor strategjik është dërgimi në gjykatë i rasteve nga të cilat mund të përfitojnë shumë qytetarë; raste të cilat përveç se i shërbejnë interesit të paditësit individual mund t’i shërbejnë edhe interesit të publikut. Procesi gjyqësor strategjik njihet si një mjet i fuqishëm për reforma ligjore, politike dhe sociale, sepse qëllimi i vet është që të arrihet një ndryshim i gjerë dhe afatgjatë, e jo vetëm që të fitohet rasti në fjalë. Ky proces po ashtu përfshin përdorimin e mediave, avokimit, trajnimeve dhe instrumenteve të tjera, në mënyrë që të rritet vetëdija e publikut për probleme të caktuara që duhet të rregullohen, si dhe të ushtrohet presion në autoritetet përgjegjëse që të marrin vendime të drejta dhe në kohë.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kërkon avokat/e për të krijuar një listë të avokatëve ekspert, të cilët do të ftohen për përfaqësim në seanca gjyqësore për rastet strategjike të CSL-së. Avokati/ja do të angazhohet për përfaqësim në seancë/a të caktuara në Gjykatë, varësisht prej rastit. Rastet përfshijnë domenin administrativ dhe civil.

Fushëveprimi i angazhimit

  • Të përfaqësojë në seancë/a gjyqësore CSL-në në rastet e saj, që mund të jenë të fushës administrative apo civile, të ndërlidhura me lëmin e të drejtës së punës, të drejtës në ambient të pastër dhe në rastet tjera që i ka CSL;

Kriteret e kërkuara

  • Të jetë Avokat/e i/e licencuar në Republikën e Kosovës;
  • Të ketë përvojë të dëshmuar në fushën administrative dhe civile;
  • Përvoja në fushën e mjedisit është e preferuar;
  • Të jetë entuziast që të punojë me raste strategjike duke pasur parasysh qëllimin e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike;
  • Të jetë i përkushtuar që t’i përfaqësojë sa më mirë interesat e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike/ Grupit për Studime Juridike dhe Politike, si dhe të palës së dëmtuar;

Procedura e aplikimit 

Kandidatët e interesuar ftohen të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme deri më:  7 prill 2023 në orën 16:00, në adresën  [email protected]. Dokumentet duhet të përfshijnë: 

  1. CV-në profesionale;
  2. Shprehjen e interesit që përshkruan se si angazhimi do të përmbushë kriteret e përzgjedhjes.

Një listë e avokatëve do të formohet, varësisht nga fusha e ekspertizës. Të gjithë kandidatët e interesuar duhet të dëregojnë CV-në. CSL ruan të drejtën që nga lista të ftoj avokatët të cilët konsideron se janë adekuat sipas llojit dhe natyrës së rastit që trajtohet në seancë gjyqësore.

Shënim: Ju mund të dërgoni CV-në tuaj dhe shprehjen e interesit edhe pas skadimit të afatit të thirrjes, GLPS do t’i pranoj ato gjatë gjithë vitit 2023.

Rasti i dytë ku CSL dorëzon padi për konflikt administrativ kundër vendimit për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik

Organizata paditëse GLPS dhe një qytetar i Republikës së Kosovës, të cilit i është refuzuar kompensimi për personin paraplegjik dhe tetraplegjik dhe i është mohuar e drejta në kujdestar personal, kanë paraqitur padi për konflikt administrativ. Kjo padi është paraqitur kundër vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Paditësit të dëmtuar i është refuzuar ankesa kundër vendimit me të cilin i është mohuar e drejta në kompensim për personat Paraplegjik dhe Tetraplegjik, si dhe i është mohuar e drejta për kujdestar personal. Ky vendim është marrë në kundërshtim me Raportin Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, si dhe në kundërshtim me raportet mjekësore, të cilat kanë përshkruar se pacienti është plotësisht i pa aftë për jetë të pavarur dhe se është e domosdoshme ndihma dhe kujdesi i personit të tretë. Pra, Vlerësimi i Komisionit Vlerësues nuk është bërë në bazë të ekzaminimit të duhur të pacientit, as në bazë të dokumenteve mjekësore, e as në bazë të Raportit Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Vendimi i nxjerrë nga Divizioni i Skemave Pensionale, Departamenti i Pensioneve është në kundërshtim me Ligjin për statusin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, për arsye se është mohuar e drejta për një kujdestar personal me qëllim të ofrimit të kujdesit dhe shërbimeve të domosdoshme ditore, si dhe është mohuar e drejta në kompensim shtesë për përfituesit e Grupit të Parë. Gjithashtu, me nxjerrjen e këtij vendimi është shkelur rregullorja (QRK) nr. 07/2017, e cila përcakton se Komisioni Vlerësues është përgjegjës ta bëjë vlerësimin e parashtruesit të kërkesës duke u bazuar në dokumentet mjekësore, vendimin konziliar nga Klinika e QKUK si dhe ekzaminimin nga Komisioni Vlerësues. Për me tepër, Vendimit i mungon arsyetimi e që është në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe me parimet kushtetuese të sundimit të ligjit. Pasojë juridike e mungesës së arsyetimit është paligjshmëria e aktit administrativ dhe që rrjedhimisht sjellin pavlefshmërinë në bazë të nenit 52 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Me këtë vendim, paditësi është diskriminuar në bazë së aftësisë së tij të kufizuar, duke mos i dhënë përshtatje/ akomodim të arsyeshëm në përputhje me nevojat e tij.

Muajt e fundit, kemi pranuar shumë ankesa lidhur me trajtimin e kërkuesve të kompensimit që përcaktohet me Ligjin për statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. Po ashtu, edhe sipas raportimeve të mediave, kemi vërejtur se ka pasur shumë raste kur personat që kanë kaluar në procedurë vlerësimit apo të rivlerësimit janë trajtuar padrejtësisht nga Komisioni Vlerësues duke mos marrë për bazë rekomandimet e mjekëve, situatën reale të personit dhe duke mos ju kushtuar kohë të mjaftueshme për vlerësim. Shumë qytetarë janë ankuar për procedurën e rivlerësimit që është mjaft burokratike, pasiqë duhet paraqitur në dy vlerësime të pavarura dhe pavarësisht Komisioni Vlerësues shumë shpesh nuk bazohet në të gjeturat e Komisionit Konziliar të përbërë nga pesë mjekë specialistë, por vlerëson në mënyrë të pavarur.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dhe qytetari i dëmtuar synojnë që ky rast të trajtohet me prioritet dhe të anulohet vendimi i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe kjo ministri t’i ndërmerr të gjitha masat që legjislacioni të zbatohet dhe se qytetarët, sidomos personat me aftësi të kufizuar të trajtohen në mënyrë të barabartë duke ju njohur të drejtat të cilat ju takojnë.

CSL mban trajnim me temën “Inicimi i konfliktit administrativ dhe rastet strategjike”

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (#CSL) të hënën, me datë 27.02.2023, mbajti trajnim me temën “Inicimi i konfliktit administrativ dhe rastet strategjike”, ku me këtë rast u diskutua mbi procedurën e konfliktit administrativ me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Mitrovicës “IsaBoletini”.

Trajnimi kishte për fokus ofrimin e njohurive për konfliktin administrativ nga këndvështrimi i një avokati të fushës. Diskutimet u zhvilluan mbi kornizën ligjore në fuqi që e rregullon konfliktin administrativ, hapat e procedurës, çka mund të kërkohet nga gjykata, veprimet e gjykatës, si dhe për problemet që hasen në praktikë dhe se si zbatohen këto dispozita.

Trajnimi ishte interaktiv dhe studentët morrën pjesë aktivisht në debat me pyetje, sygjerime dhe komentime mbi temën.

Në këtë trajnim morrën pjesë 26 studentë, të cilët u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur me trajnimin dhe treguan interes për këtë fushë, si dhe po ashtu treguan interes për rastet strategjike të ngritura nga CSL.

Padi për konflikt administrativ kundër vendimit për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik

Të nderuar qytetarë ,

Ju njoftojmë se sot, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka dorëzuar:

Padi për konflikt administrativ kundër vendimit për refuzimin e kompensimit për personin paraplegjik dhe tetraplegjik 

Organizata paditëse GLPS dhe një qytetare e Republikës së Kosovës, të cilës i është refuzuar kompensimi për personin paraplegjik dhe tetraplegjik gjatë procedurës së rivlerësimit, kanë paraqitur padi për konflikt administrativ. Kjo padi është paraqitur kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Paditëses së dëmtuar i është refuzuar ankesa për rishqyrtim të vendimit, me të cilin është kategorizuar në Grupin e Dytë dhe i është mohuar e drejta për shoqërues. Ky vendim i nxjerrë nga Divizioni i Skemave Pensionale është marrë në procedurë të rivlerësimit që bëhet nga Komisioni Vlerësues çdo pesë vite në bazë të aktit nënligjor që buron nga Ligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik. Në këtë rast, Vlerësimi i Komisionit Vlerësues nuk është bërë në bazë të ekzaminimit të duhur të pacientës, as në bazë të dokumenteve mjekësore, e as në bazë të Raportit Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Sipas raportimeve të fundit nga mediat, ka pasur shumë raste kur personat që kanë kaluar në procedurë të rivlerësimit janë trajtuar padrejtësisht nga Komisioni Vlerësues duke mos marrë për bazë rekomandimet e mjekëve, situatën reale të personit dhe duke mos ju kushtuar kohë të mjaftueshme për vlerësim. Shumë qytetarë janë ankuar për procedurën e rivlerësimit që është mjaft burokratike, pasiqë duhet paraqitur në dy vlerësime të pavarura dhe pavarësisht Komisioni Vlerësues shumë shpesh nuk bazohet në të gjeturat e Komisionit Konziliar të përbërë nga pesë mjekë specialistë, por vlerëson në mënyrë të pavarur.

Ku edhe në rastin e sotëm, paditëses së dëmtuar pavarësisht se Komisioni Konziliar ka kontatuar se është paciente e grupit të parë dhe se ka vlerësuar se është e nevojshme që të ketë përcjellës, Komisioni Vlerësues ka vlerësuar se pacientes i është përmirësuar gjendja shëndetësore dhe se është kategorizuar në Grupin e Dytë, pra, përkundër dokumenteve mjekësore të cilat e dëshmojnë të kundërtën. Paditësja është vlerësuar nga Komisioni vetëm me shikim dhe asaj i është mohuar e drejta në qasje në Raportin e Komisionit Vlerësues.

Me respekt,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike

CSL mban punëtorinë: Efikasiteti në sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë përmes rasteve strategjike, inspektimeve, ndjekjes penale dhe gjykimit të këtyre rasteve

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) me datë 14 dhjetor 2022 mbajti punëtorinë me temë:“Efikasiteti në sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë përmes rasteve strategjike, inspektimeve, ndjekjes penale dhe gjykimit të këtyre rasteve”.

Në këtë punëtori morrën pjesë përfaqësues nga Institucioni i Avokatit të Popullit, zyrtarë ligjorë nga zyra e kryeministrit të Kosovës, monitorues të sistemit të drejtësisë dhe juristë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Në këtë punëtori u diskutua mbi legjislacionin vendor të punës dhe atë ndërkombëtar dhe u tha se në përgjithësi legjislacioni vendor i Kosovës është i avancuar në krahasim me atë të rajonit, mirëpo ka ngecje zbatim.

Më tutje u trajtuan edhe të gjeturat e Raportit të Inspektoratit të Punës të publikuar në fund të vitit 2021 dhe u tha që këto të gjetura janë mjaft shqetësuese. Sfidat kryesore që ende janë aktuale: Fenomeni i vdekjeve në punë ,informaliteti i lartë në punësim,resurset e pakta njerëzore – inspektorë në tërë Ksoovën janë vetëm 37. Një shqëtësim tjetër që vazhdon është mosrespektimi i ligjit të punës sidomos tek sektori privat sic janë orari I punës, kushtet e punës, mbrojtja e grave, mungesa e sigurimit shëndetësor, shkëputja e marrëdhënies së punës e të tjera.

Pjesëmarrësit nga pozitat e tyre institucionale e ritheksuan nevojën për koordinim ndërinstuticional, respektim të ligjit dhe implementim të praktikave më të mira ndërkombëtare për sigurinë në punë.

CSL mban trajnim me temën“E drejta në ambient të pastër dhe parandalimi i mbeturinave”

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) me datë 04.11.2022, mbajti trajnim me temën“E drejta në ambient të pastër dhe parandalimi i mbeturinave”, ku me këtë rast u diskutuan temat aktuale me studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”. ‘

Diskutimet u fokusuan në kornizën ligjore në fuqi të fushës së mjedisit përfshirë aspektet ndërkombëtare, si dhe sfidat në zbatimin e plotë të standardeve dhe parimeve të mjedisit të pastër.

Gjatë trajnimit u diskutuan edhe parimet bazë të përcaktuara në kornizën ligjore të BE-së, sikurse parimi “ndotësi paguan”, “përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesit” dhe parimi i qasjes së publikut në informata, e që janë parime të inkorporuara në kornizën ligjore të vendit, për të cilat institucionet publike dhe të gjithë akterët e perfshirë në proces duhet të ndërmarrin masa adekuate për zbatim.

Trajnimi ishte interaktiv dhe studentët morrën pjesë aktivisht në debat me pyetje, sygjerime dhe komentime mbi temën.

20 studentët pjesëmarrës u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur me trajnimin, madje disa u shprehën se ky trajnim i ka inspiruar për të u thelluar më shumë tek legjislacioni për mjedis dhe tek fusha e parandalimit të mbeturinave.