Skip to content

Aktgjykimi i Gjykatës Supreme në Rastin e Hidrocentraleve në Deçan

KOMUNIKATË PËR MEDIA:

“Aktgjykimi i Gjykatës Supreme në Rastin e Hidrocentraleve në Deçan”

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues te mediave,

Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e Hidrocentraleve në Deçan.

Gjykata Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentraleve ishte kundër interesit publik! Gjykata Supreme ka konstatuar se paditësit, zt. Selmanaj dhe banorët tjerë të Deçanit, kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralet në Deçan nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Ojq ‘Pishtarët’ janë palë të interesuara në proces, dhe për të njëjtën çështje kanë dërguar gjithashtu padi përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit! Sepse do të thotë që hidrocentralet në Deçan nuk do të mund të operojnë më ligjshëm derisa gjykata të nxjerr një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e lejeve.

Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta! E të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme!