Të nderuar qytetarë,
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (#CSL) ju njofton se ka parashtruar ankesë në Zyrën e Rregullatorit për Energji (#ZRRE) kundër të licencuarit KESCO për moskryerjen e oligimeve ligjore. Qendra ka pranuar kërkesën e një qytetareje për t’i ofruar ndihmë juridike në fushën e gëzimit të së drejtës së saj për qasje në shërbime publike. CSL ka marrë rastin e saj për arsye se ka vërejtur se #KESCO ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren e ZRRE-së për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë.
Në këtë rast, qytetares/konsumatores së energjisë elektrike i është shkelur e drejta në vazhdimësi të furnizimit me energji elektrike, për arsye se KESCO ka vepruar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara nga ZRRE duke e shkyçur pa e njoftuar në mënyrë të duhur, si dhe duke mos e rikyçur brenda afatit të përcaktuar pa asnjë njoftim parprak. Konsumatorja e energjisë elektrike është shkyçur nga furnizimi me energji, për arsye të mospagesës së një fature. Shkyçja e konsumatores nga sektori i energjisë kishte ndodhur në kundërshtim me rregullat e përcaktuara, sepse neni 14, paragrafi 5 i Rregullës për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë, përcakton se njoftimi për shkyçje duhet të bëhet të paktën tre (3) ditë kalendarike para datës për shkyçje. Në këtë rast kjo nuk ka ndodhur dhe konsumatorja e ka pranuar njoftimin për shkyçje vetëm pasi kishte ndodhur shkyçja.
Për më tepër, as rikyçja nuk ka ndodhur sipas rregullave të përcaktuara nga ZRRE, sepse edhe pas pagesës së borxhit të mbetur, rikyçja në furnizimin me energji elektrike nuk ka ndodhur. Rregullorja për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë përcakton se: “Një ndërmarrje e energjisë do ta rikyçë objektin e një konsumatori të shkyçur jo më vonë se 24 orë pasi të jenë plotësuar kushtet për rikyçje (…)”. Edhe pse konsumatorja ka njoftuar me kohë për përmbushjen e kushteve për rikyçje, të cilin email KESCO ka konfirmuar që e ka pranuar, rikyçja nuk është bërë as pas 48 orëve. Kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të konsumatores , për arsye se konsumatorët kanë të drejtë të kenë qasje jodiskriminuese në sistemet e transmetimit, shpërndarjes dhe të interkoneksionet dhe të kenë vazhdimësi të furnizimit.
Qendra (CSL) me ankesën e parashtruar kërkon që të merren masa ndaj të licencuarit KESCO, në mënyrë që në të ardhmen KESCO të jetë më e përgjegjshme dhe të veprojë çdo herë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga ZRRE.
CSL mbetet e përkushtuar në luftimin e problemeve kolektive përmes rasteve individuale.CSL fton të gjithë ata që konsiderojnë se ju është shkelur ndonjë e drejtë nga institucionet publike të na kontaktojnë duke na treguar për rastin e tyre.
Aplikoni përmes emailit [email protected] dhe vizitoni faqen tone: APLIKO . CSL ka për qëllim që t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve, përfshirë të drejtat e tyre në shërbime publike dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut përmes padive strategjike dhe mjeteve tjera ligjore