Skip to content

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka marrë aktgjykim për aprovimin në tërësi si të bazuar padinë në rastin e hidrocentraleve në Deçan

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka kënaqësinë t’ju njofotjë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktgjykim për aprovimin në tërësi si të bazuar padinë në rastin e hidrocentraleve në Deçan kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), si dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE). Me këtë Aktgjykim janë anuluar nëntë (9) vendimet e kundërshtuara përmes padisë të lëshuara nga dy të paditurat, MMPHI dhe ZRRE.

Pas një pune tre vjeçare para gjykatës, drejtësia fitoi dhe u vërtetua që pretendimet janë të bazuara në tërësi të palës paditëse z. Selmanaj dhe të tjerët, si dhe të palës ndërhyrëse, Grupi për Studime Juridike dhe Politike përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe të tjerët.

Gjykata gjeti se MMPHI ka zbatuar gabimisht të drejtën materiale duke zbatuar nenin 71 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe kështu në mënyrë të paligjshme ka lëshuar Lejet Ujore për prodhimin e energjisë elektrike dhe po ashtu gjeti se MMPHI nuk ka arritur të dëshmojë se pala e interesit – Kelkos Energy Sh.p.k ka zbatuar masën e duhur për rehabilitim ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit. Gjithashtu, Gjykata vërtetoi se lejet mjedisore janë dhënë në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit për arsye se nuk janë zbatuar dispozitat, të cilat do të mundësonin rehabilitimin e mjedisit rreth së cilit janë ndërtuar hidrocentralet. Në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës, u theksua se “Gjykata i fali besimin e plotë Raportit të Grupit Punues për shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentralet dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis të 30 qershorit 2021”, ku konstatohet se eksploatimi i zhavorrit dhe rërës në lokacionin “Zalli i Rupës” është bërë në kundërshtim me ligjin.

Me këtë Aktgjykim Gjykata detyroi të paditurën – MMPHI që të krijojë mekanizma ad-hoc për të identifikuar, raportuar dhe sanuar të gjitha dëmet mjedisore të shkaktuara nga pala e interesit, dëme të cilat janë provuar para Gjykatës përmes dyzet e pesë (45) fotografive të dorëzura nga ana e paditësit dhe palës ndërhyrëse. Më tutje, Gjykata gjeti se edhe vendimet e të paditurës së dytë – ZRRE janë marrë me aplikim jo të drejtë të dispozitave ligjore dhe me këtë rast ka vendosur që t’i anulojë, si dhe duke theksuar se këto vendime bazohen tërësisht në akte të paligjshme.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit. Gjykata vërtetoi se lejet dhe licencat e nxjerra për operimin e hidrocentraleve në Deçan janë të jashtëligjshme dhe të njëjtat kjo Gjykatë i anuloi.

Vendosja e ligjshmërisë në të drejtën mjedisore nuk është kërkesë e vetëm një paditësi, por mbi të gjitha mbrojtje e interesit të përgjithshëm. Prandaj, për raste të tilla Qendra bën thirrje që të gjithë qytetarët që konsiderojnë se ju është shkelur ndonjë e drejtë duke cënuar të drejtat mjedisore, të paraqesë rastin në Qendër në www.gravitasllc.site. Së bashku, ne do të luftojmë probleme kolektive nëpërmjet rasteve individuale!

Ju faleminderit!