Skip to content

Rasti i Hidrocentralit “Soponica”

GLPS, GJETHI dhe dy qytetarë ushtrojnë padi kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI)

Në vitin 2005, me nënshkrimin e Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë (tutje: Traktati), Kosova kishte marrë për obligim që deri në vitin 2020, të prodhonte 25% të energjisë së saj të tërësishme nga burimet e ripërtërishme. Kjo gjë ishte konfirmuar edhe me Ligjin për Energjinë ku është përcaktuar se Qeveria do të miratonte planin për arritjen e kësaj përqindje të energjisë së ripërtërishme. Me Udhëzimin Administrativ për caqet e energjisë nga burimet e ripërtërishme, ky cak ishte caktuar edhe më i lartë përkatësisht 29.89% e konsumit bruto të energjisë në Kosovë. Në përpjekje për të përmbushur obligimin nga Traktati, institucionet në vendin tonë, me veprime ose mos veprime, kanë lejuar ndërtimin e hidrocentraleve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe në dëm të mjedisit.

Një situatë e tillë kishte ndodhur edhe me hidrocentralin “Soponica” i cili është ndërtuar në lumin “Lepenci” në Kaçanik. Fillimisht, për operimin e këtij hidrocentrali me kapacitet 1.3 MW, në prill të vitit 2015, kompania “2 Korriku Sh.P.K” ishte pajisur me Pëlqim Mjedisor ndërsa në dhjetor të po atij viti ishin lëshuar edhe Kushtet Ujore (kritere të cilat duhet t’i plotësojë operatori për të shfrytëzuar ujin e lumit Lepenci). Më pas, në maj 2016, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (tash Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës – MMPHI) kishte dhënë Pëlqimin Ujor dhe në janar 2021 edhe Pëlqimin Mjedisor.

Përmes këtyre veprimeve të institucioneve ishte mundësuar që të fillojë edhe ndërtimi i Hidrocentralit “Soponica”. Por, operimi i hidrocentralit ishte kundërshtuar nga banorët e fshatit Soponicë dhe Doganaj si dhe nga  Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit “Gjethi”, me arsyetimin se do të degradohej mjedisi në zonën ku është planifikuar ndërtimi dhe operimi i Hidrocentralit “Soponica”. Pavarësisht reagimit nga banorët dhe shoqëria civile, Komuna e Kaçanikut dhe MMPHI, në vend se të marrin masa për të ndalur degradimin e mjedisit, lëshuan Pëlqime me të cilat kapaciteti i këtij hidrocentrali të rritej nga 1.3 MW në 3.75 MW.

Në lidhje me këtë rast, në raportin e publikuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit për procesin e licencimit dhe operimit të hidrocentraleve (përfshirë edhe Hidrocentralin “Soponica”) ishte konstatuar se në këto procese janë evidentuar mangësi në aspektin procedural, përfshirë këtu qasjen në informata, pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje dhe qasjen në drejtësi.

Mospërmbushja e obligimeve ligjore në dhënien e Pëlqimit Mjedisor për Hidrocentralin “Soponica” (Vendimi i Kontestuar) i datës 29 janar 2021, shërbeu si arsye që GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), bashkë me organizatën “Gjethi” dhe administratorët e fshatrave Soponicë dhe Doganaj (Paditësit) të ushtrojnë Padi për Konflikt Administrativ dhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të kontestuar.

Kjo Padi u dorëzua kundër MMPHI-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative më datë 5 tetor 2023. Në padi ukërkua që fillimisht të shtyhet ekzekutimi i vendimit për Pëlqim Mjedisor për Hidrocentralin “Soponica” i datës 29 janar 2021, si dhe pas shqyrtimit të kësaj padie në procedurë gjyqësore të anulohet në tërësi ky vendim.

Paditësit, nga provat që i kanë bashkëngjitur, kanë konsideruar se procesi që i ka paraprirë lëshimit të Pëlqimit Mjedisor për Hidrocentralin “Soponica” ka pasur shkelje të shumta ligjore. Pëlqimit mjedisor do të duhej t’i paraprinte vlerësimi i detajuar mjedisor, ndërsa në rastin konkret ky vlerësim është bërë me mangësi të shumta duke mos respektuar elementet e përcaktuara ligjore. Po ashtu, gjatë procesit të lëshimit të Vendimit të Kontestuar, qytetarëve të Kaçanikut iu është shkelur e drejta e tyre themelore e garantuar me Kushtetutë për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku ata jetojnë. Kjo për shkak se njoftimi për debat publik lidhur me projektin e hidrocentralit ishte bërë në kundërshtim me aktin nënligjor që përcakton rregullat për pjesëmarrje të publikut në procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

Pas pranimit të padisë, Gjykata Themelore më datë 24 tetor 2023, pa mbajtur shqyrtim gjyqësor mori aktvendim me të cilin vlerësoi se padia dhe kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, janë paraqitur pas kalimit të afatit ligjor.

Ky vendim i Gjykatës Themelore ishte kundërshtuar nga ana e paditësve përmes ankesës më 6 nëntor 2023, me arsyetimin se hedhja poshtë e padisë dhe e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Kontestuar ka ardhur nga konstatimi i gabuar dhe jo i plotë i gjendjes faktike si dhe nga zbatimi i gabuar i të drejtës materiale. Përmes kësaj ankese, paditësit kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit të anulojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke u bazuar në gjetjet se ky vendim është i paqartë dhe kundërthënës.

Pretendimet ankimore të paditësve ishin aprovuar nga Gjykata e Apelit, e cila me aktvendimin e datës 24 nëntor 2023, kishte konstatuar se vendimi i Gjykatës Themelore ishte marrë duke konstatuar gabimisht ose në mënyrë jo të plotë gjendjen faktike si dhe nuk ishin zbatuar drejtë dispozitat e të drejtës materiale. Andaj, kjo gjykatë vendosi që vendimi i Gjykatës Themelore të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore më datë 21 dhjetor 2023, kishte nxjerrë aktvendim me të cilin e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësve për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Kontestuar. Ky vendim ishte arsyetuar me faktin se palët paditëse nuk kishin ofruar mjaftueshëm prova për plotësimin e kushteve kumulative për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Kontestuar.

Më tej, paditësit përmes ankesës së datës 11 janar 2024, sërish i janë drejtuar Gjykatës së Apelit, ku kësaj here kanë kërkuar që kjo gjykatë ta kthejë në rivendosje çështjen e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Kontestuar, ose që si gjykatë e shkallës më të lartë të vendosë që të shtyhet ekzekutimi i këtij vendimi. Kjo për faktin se aktvendimi i Gjykatës Themelore më të cilin ishte refuzuar kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të Kontestuar është i përfshirë në konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, zbatim të gabuar të drejtës materiale dhe shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

Lidhur me këtë ankesë, Gjykata e Apelit më datë 5 shkurt 2024, ka marrë aktvendim më të cilin i ka vlerësuar si të pabazuara pretendimet e paditësve si dhe ka vendosur që të lë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore. Në arsyetimin e vendimit të Apelit, ndër të tjera, thuhet se pretendimet ankimore të paditësve janë jo të vërtetuara, të pamjaftueshme dhe jo bindëse për gjykatën që të vendos për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për Pëlqim Mjedisor për Hidrocentralin “Soponica” i datës 29 janar 2021. Paditësit nuk janë pajtuar me vendimin e lartcekur të Gjykatës së Apelit, andaj më datë 12 mars 2024 kanë paraqitur kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm në Gjykatën Supreme të Kosovës. Kjo për arsye se paditësit kanë vlerësuar se vendimi i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar gjendjen faktike në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë, ka zbatuar të drejtën materiale në mënyrë të gabuar dhe po ashtu ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të drejtës për gjykim të drejtë. Nga Gjykata Supreme paditësit kanë kërkuar që kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aprovohet dhe të ndryshohet Aktvendimi i Gjykatës së Apelit duke aprovuar kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.