GLPS dhe një qytetare ushtrojnë padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë
Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të marrin shërbime adekuate shëndetësore dhe është obligim i shtetit që të sigurojë kujdes mjekësor dhe mirëqenie të individit. Në rastet kur kujdesi apo shërbimet shëndetësore nuk mund të sigurohen nga ana e institucioneve vendore, ligjet kanë paraparë të drejtën e qytetarëve që të marrin trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore. Për këtë qëllim, vendi ynë më kuadër të Ligjit për Fondin e Sigurimit Shëndetësor ka paraparë programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, në vend dhe jashtë tij. Legjislacioni që e rregullon këtë program parasheh që çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë të aplikojë për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJIShP) kur shërbimi i caktuar nuk ofrohet në institucionet publike shëndetësore, dhe për këtë duhet të kompensohet shuma e shërbimeve që janë marrë nga qytetar në institucionet e tjera shëndetësore jo publike të vendit.
Pavarësisht bazës së qartë për përfitim nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, në vend dhe jashtë tij, qytetarët në vendin tonë po përballën me refuzim të kërkesës për kompensim financiar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë edhe pse ata kanë pranuar shërbime mjekësore të cilat nuk mund të ofrohen nga institucionet shëndetësore publike.
Rast i ngjashëm ka ndodhur edhe me qytetaren e cila ka pranuar mbështetje juridike pa pagesë nga ana e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) në kuadër të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).
Kjo qytetare, nga viti 2016 e deri në vitin 2022 kishte marrë trajtime mjekësore jashtë institucioneve publike shëndetësore, trajtime këto që nuk ofroheshin në kuadër të sistemit tonë shëndetësor. Duke e shfrytëzuar të drejtën për aplikim në programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, ajo me 18 mars 2022 kishte dorëzuar aplikimin duke i bashkëngjit edhe raportet konziliare për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike. Por, Komisioni për TMJIShP më datë 21 prill 2022, kishte marrë vendim për refuzimin e aplikimit të kësaj qytetareje me arsyetimin që raportet konziliare nuk e kishin rekomanduar trajtimin mjekësor jashtë vendit.
Kundër vendimit të Komisionit për TMJIShP, qytetarja më 6 maj 2022, ka parashtruar ankesë në Komisionin e Ankesave për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike në Ministrinë e Shëndetësisë, duke arsyetuar se refuzimi i aplikimit të saj është bërë në kundërshtim me gjendjen faktike dhe legjislacionin në fuqi.
Duke mos i aprovuar pretendimet e ankesës së qytetares, Komisioni i Ankesave në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë me vendimin e datës 13 qershor 2022, ia kishte refuzuar ankesën kundër vendimit për refuzimin e kërkesës për përfitim nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore.
Duke qenë se qytetarja i kishte shfrytëzuar mjetet e rregullta juridike për të gëzuar të drejtën për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore dhe shkeljeve që janë bërë me rastin e refuzimit të aplikimit për këtë program, GLPS përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike dhe qytetarja më datë 13 korrik 2022, kanë parashtruar padi për konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Ministrisë së Shëndetësisë.
Në këtë padi, CSL dhe qytetarja kanë bashkëngjitur prova me të cilat vërtetohet se refuzimi i aplikimit në programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore është në kundërshtim me parimin e drejtësisë sociale të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, Ligjin për Shëndetësi, Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve të Kosovës në sistemin shëndetësor, Ligjin për Sigurimin Shëndetësor dhe Udhëzimin Administrative për TMJIShP, Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore si dhe Kartën Sociale Evropiane.
Mbi këto pretendime, CSL dhe qytetarja kanë kërkuar nga gjykata që ta aprovojë në tërësi padinë, që ta anulojë vendimin e mbi refuzimin e ankesës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe që të aprovohet kërkesa e qytetares për kompensim financiar për shërbimet mjekësore që i ka pranuar nga institucionet tjera e që nuk mund të ofrohen nga institucionet shëndetësore publike.
Më datë 22 shkurt 2023, pala e paditur – Ministria e Shëndetësisë – ka parashtruar përgjigje në padi, ku e ka kontestuar në tërësi padinë e CSL dhe të qytetares me arsyetimin se vendimi i Ministrisë është i ligjshëm dhe i drejtë.
Më pas, më 27 prill 2023 bashkëpaditësit kanë precizuar padinë ashtu që i kanë kërkuar gjykatës që të anulohen dy vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë që i kishin mohuar qytetares kompensimin financiar për shërbimet mjekësore që asaj i takojnë sipas kritereve ligjore. Po ashtu, është propozuar që si provë të dorëzohet Raporti Konziliar që mbështet pretendimin që diagnoza e qytetares duhet të trajtohet jashtë institucioneve shëndetësore në vend.
Më 22 maj 2023, CSL dhe qytetarja kanë paraqitur parashtresën për precizim të kërkesëpadisë në kuptim të lartësisë së kompensimit, ashtu që kanë kërkuar nga gjykatë që ta detyrojë Ministrinë e Shëndetësisë që kompensimi ndaj qytetares të bëhet në shumë të caktuar në emër të shpenzimeve për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 26 maj 2023, Gjykata mori vendim që të aprovojë propozimin e qytetares që të nxirret prova me ekspertizë mjekësore, ashtu që caktoi tre ekspertë gjyqësorë me detyrë që të përpilojnë ekspertizën mjekësore rreth diagnozës dhe se trajtimet për këtë diagnozë mund të trajtohen në institucionet shëndetësore publike.
Më 8 dhjetor 2023, gjykata mbajti seancën tjetër të shqyrtimit gjyqësor në të cilën mori vendim që të aprovohet propozimi i palës paditëse që ekspertizën mjekësore ta bëjnë tre mjekë të tjerë, pasi që ekspertët paraprak nuk kishin arritur të përpilonin dokumentin në fjalë.
Më 14 shkurt 2024, shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me dëgjimin e ekspertëve mjekësor lidhur me ekspertizën e përpiluar përkitazi me diagnozat e qytetares – paditëses – dhe për mundësinë që trajtimi i kësaj diagnoze ka mundur të bëhet në kuadër të institucioneve shëndetësore publike. Më pas, kjo ekspertizë është kundërshtuar nga pala paditëse me arsyetimin që ajo bie në përfundime jo të drejta në raport me provat dhe gjendjen faktike. Në këtë rrethanë, Gjykata aprovoi propozimin që të plotësohet ekspertiza duke përfshirë edhe ekzaminimin e drejtpërdrejtë të qytetares – paditëses.
Aktualisht, CSL dhe paditësja janë në pritje të plotësimit të kësaj ekspertize dhe në caktimin e seancës së radhës në këtë çështje gjyqësore.