Skip to content

GLPS dhe dy qytetare të Republikës së Kosovës, viktima të sulmit nga qentë endacakë kanë paraqitur padi për mosveprim të organeve shtetërore

Organizata paditëse GLPS dhe dy qytetare të Republikës së Kosovës, të cilat kanë pësuar sulm nga qentë
endacakë kanë paraqitur padi për mosveprim të organeve shtetërore, shkelje të të drejtave të njeriut dhe
për kompensim të dëmit. Kjo padi është paraqitur kundër Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe
Zhvillimit Rural, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Komunës së Prishtinës.
Në vitet e fundit në Kosovë, qentë endacakë paraqesin rrezik të madh për jetën dhe sigurinë e qytetarëve
të Kosovës duke qenë se shpesh ndodh që qentë endacakë t’i sulmojnë qytetarët. Në rastin tonë,
paditëseve, Kosovares dhe Afërditës, nga sulmi që kanë pësuar nga qentë endacak ju është rrezikuar jeta,
shëndeti dhe ato kanë pësuar frikë të intensitetit të lartë që ka ndikuar në jetën e tyre të përditshme, për
arsye se ato nuk ndihen të sigurta të ecin nëpër rrugët e Prishtinës. Andaj, konsiderojmë se
bashkëpaditëseve ju është shkaktuar dëm afatgjatë dhe për këtë kërkojnë përgjegjësi nga institucionet
publike dhe kompensim të dëmit. Nga mosveprimi i intitucioneve publike të paditura, paditësve dhe
shumë qytetarëve ju shkelen të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutën e Republikës së
Kosovës, si e drejta në jetë, integritet trupor, shëndet, si dhe në liri lëvizjes.
Me rastin e sulmit nga qentë endacakë ndaj paditëseve, kemi gjetur disa shkelje ligjore nga ana e
institucioneve, si: (i) Mos nxjerrja e aktit nënligjor nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe
Zhvillimit Rural, me të cilën do të përcaktohej mënyra e licencimit dhe e rregullimit të rezervateve dhe
vendstrehimeve të kafshëve me dhe pa pronarë në pajtim me Ligjin për përkujdesjen e kafshëve; (ii) mos
zbatimi i Udhëzimit Administrativ për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese nga ana e
Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, me të cilën do të nxitej pronësi e përgjegjshme e qenve; (iii) mos
zbatimi i Ligjit për Veterinarinë, i cili përcakton përgjegjësi specifike për komunat; (iv) mos zbatimi i
Udhëzimit Administrativ për kushtet teknike, të cilat duhet plotësuar qendrat e trajtimit të përkohshëm të
kafshëve endacake; (v) shkelja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nga ana e organeve të
përmendura, si e drejta për jetë, në siguri dhe shëndet, liri të lëvizjes; (vi) dështimi i mbrojtjes së
integritetit fizik dhe psiqik të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Intitucionet e Republikës së Kosovës bartin përgjegjësi pozitive për të zbatuar ligjin në tërësi, përfshirë
miratimin e akteve nënligjore. Këto institucione kanë dështuar të mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të
Kosovares dhe Afërditës, të cilave ju është shkaktuar dëm fizik dhe psikik nga sulmi i qenve endacakë.
GLPS dhe qytetaret paditëse synojnë që, përveç kompensimit të dëmit material dhe jomaterial, Ministria e
Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Komuna e Prishtinës
ta zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe t’i ndërmarrin masat e duhura për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga
qentë endacakë.

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *