Skip to content

Kush mban përgjegjësi për zbatimin e urdhrave të gjykatave për të mbrojtur ambientin dhe komunitetet lokale të Kosovës?

Kosova ka shfaqur aspirata për ta transformuar peizazhin e saj energjetik, duke u nisur në drejtimin e energjisë së ripërtëritshme më shumë se një dekadë më parë. Në vitin 2005, nënshkrimi i Traktatit për Themelimin e Komunitetit të Energjisë përcaktoi një angazhim për të prodhuar 25% të energjisë totale nga burimet e ripërtëritshme deri në vitin 2020. Ky angazhim u përforcua me Ligjin për Energjinë, i cili obligoi qeverinë të miratonte një plan për të arritur këtë objektivë të energjisë së ripërtëritshme.

Në rrugë për ta arritur këtë objektivë, ndërtimi dhe funksionimi i hidrocentraleve u bë një pikë qendrore. Megjithatë, rrugëtimi drejt energjisë së pastër nuk ishte pa sfida, veçanërisht në frontin mjedisor. Shumë shpejt u bë e qartë se ndërtimi dhe funksionimi i këtyre hidrocentraleve do t’i shkaktonte dëm të pariparueshëm florës dhe faunës së rajonit, duke shkaktuar shqetësime për një ekuilibër të brishtë ekologjik. Për më tepër, ndërtimi i hidrocentraleve ka ngritur çështje të kundërshtimit të dukshëm ndaj masave mbrojtëse ekologjike dhe procedurave penale. Këto projekte jo vetëm kanë shkelur parimet mjedisore, por kanë shkelur në mënyrë flagrante edhe të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.

Duke qenë një vend me burime të kufizuara ujore, Kosova është në një udhëkryq ku synimet ambicioze të energjisë së ripërtëritshme nganjëherë bien ndesh me ruajtjen e mjedisit. Me këtë rast, më vonë është miratuar Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës për 2022 – 2031, e cila anashkalon dukshëm promovimin e ndërtimit të hidrocentraleve të reja për shkak të shqetësimeve në rritje për ndikimin e tyre mjedisor. Kjo Strategji është konsideruar si sukses edhe nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike.

Sidoqoftë, hidrocentralet kanë vazhduar të ndërtohen në disa lumenj të Kosovës, pa marrë parasysh dëmin mjedisor. Ndërtimi i tyre ka nxitur reagim të gjerë publik nga qytetarët lokalë, të cilët afektohen direkt nga ndërtimi i tyre. Ndër të tjera, janë organizuar edhe protesta të shumta, duke përfshirë protestën në Shtërpcë që bashkoi qytetarët lokalë pa dallim të etnisë.

Në lidhje me ndërtimin e hidrocentraleve, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike që nga viti 2020 ka paraqitur disa kërkesa për ndërhyrje ligjore përmes padive, duke nënvizuar dëmin e shkaktuar ndaj mjedisit përmes ndërtimit të vazhdueshëm të hidrocentraleve ilegale. Qendra ka ofruar prova të shumta për të vënë në pah shkeljet ligjore që kanë rezultuar nga nxjerrja e lejeve për funksionalizimin e hidrocentraleve. Këto prova përfshinin fotografitë nga zonat ku janë ndërtuar hidrocentralet, komunitetet lokale dhe aktivistët mjedisorë, të cilat portretizonin degradimin mjedisor të shkaktuar nga ndërtimi i këtyre hidrocentraleve që rezulton në dëme të pariparueshme në rajon. Po ashtu, Qendra ka ngritur shqetësimin se qytetarët lokalë nuk janë ftuar në debatet publike në lidhje me ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

Duke parë urgjencën e situatës dhe mundësinë e dëmtimit të parevokueshëm, Qendra i ka kërkuar gjykatës vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë për ndalimin e punës në këto hidrocentrale, deri në një vendim final në lidhje me ligjshmërinë e tyre. Gjykata, ka miratuar këtë kërkesë, duke urdhëruar që të shtyhet kontesti administrativ mbi lejen ujore të këtyre hidrocentraleve. Kjo masë e përkohshme do të duhej të qëndronte në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar, meritor, me synim mbrojtjen e mjedisit dhe burimeve jetike të ujit të pijshëm në zonë.

Pavarësisht urdhrit të gjykatës për shtyrje të vendimit për lejen e këtyre hidrocentraleve dhe ndalimin e punimeve në to, duket se puna e tyre nuk është ndalur. Banorët vendas dhe burime të tjera kanë raportuar se punimet e ndërtimit janë ende në vazhdim, dhe të njëjtat nuk janë pezulluar asnjëherë, pavarësisht udhëzimeve të gjykatës.

Këto masa, të përcaktuara me Ligjin për Procedurën Kontestimore, shërbejnë për të ruajtur gjendjen ekzistuese të rrethanave dhe për të evituar dëmin e pariparueshëm që do të ndodhte potencialisht, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata. Operimi i vazhdueshëm i hidrocentraleve tregon një shkelje të vendimit për zbatimin efektiv të masave të tilla të përkohshme për të mbrojtur mjedisin dhe komunitetin lokal.

Në sferën e zbatimit të urdhrave të gjykatës për masat e përkohshme, është e domosdoshme të përcaktohen efektet teknike të dispozitave ligjore që hyjnë në lojë kur një palë dështon të zbatojë urdhra të tillë. Fillimisht, Ligji për Procedurën Kontestimore përcakton përgjegjësinë juridike civile, që qëndron mbi palën së cilës i është caktuar masa e përkohshme, nëse ajo zgjedhë të veprojë në kundërshtim me vendimin për ekzekutim të kësaj mase. Më tutje, ligji i jep një efekt juridik të veçantë vendimit të gjykatës që përcakton masën e sigurimit të barabartë me aktvendimin për përmbarim sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore. Edhe sipas mendimit të gjyqtarëve, është gjykata ajo e cila me detyrë zyrtare duhet të mbikëqyrë zbatimin e masave të përkohshme të caktuara. Në fund, rikujtojmë se mospërfillja e urdhrave dhe vendimeve të gjykatës përbën edhe vepër penale.

Pra, rëndësia e zbatimit me rigorozitet të masave të përkohshme të urdhëruara nga gjykata e kapërcen sferën e ligjshmërisë; në rastin e hidrocentraleve, është detyrë themelore në ruajtjen e mjedisit dhe sigurimin e mirëqenies së komuniteteve lokale brenda Kosovës. Në këtë rast, masat shërbejnë si linja e fundit e mbrojtjes kundër dëmtimeve të pakthyeshme mjedisore dhe si mburojë për komunitetet që mbështeten në këto burime.

Roli i gjykatës në këtë kontekst është i shumanshëm dhe parësor. Përtej dhënies së urdhrave, ajo duhet të mbikëqyrë zbatimin e këtyre masave. Kjo mbikëqyrje do të përmirësohej duke forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe duke njoftuar institucionet përgjegjëse për implementim të urdhrit. Mirëqenia e komuniteteve lokale, integriteti i mjedisit të Kosovës dhe ruajtja e burimeve të kufizuara ujore janë të gjitha në rrezik. Gjykata duhet të qëndrojë si mbrojtëse e këtyre interesave jetike, me detyrën të sigurojë që masat e përkohshme jo vetëm të vendosen, por edhe të respektohen me përpikëri.

(Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, e cila është krijuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në kuadër të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).)

Nga Dea Fetiu

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *