Skip to content

Pse procesi gjyqësor strategjik është shumë i nevojshëm në Kosovë dhe si nxit ai aktivizimin qytetar

Në një kohë kur ka shumë sfida në çështjet sociale dhe mjedisore, shumë çështje urgjente mbeten të paadresuara, procesi gjyqësor strategjik mund të jetë një çelës kryesor për ndryshime thelbësore dhe të prekshme. Duke kërkuar përgjegjësi nga qeveritë dhe aktorë të tjerë të fuqishëm për veprimet e tyre dhe duke vendosur precedentë dhe ndikuar në politikë publike, procesi gjyqësor strategjik mund të ndihmojë në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm

Si shoqëri, në vazhdimësi përballemi me probleme apo shkelje të cilat prekin një grup të madh të individëve apo një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, e të cilat në shumicën e rasteve harrohen në heshtje.

Për dallim nga rastet e shkeljeve, ku kryesisht preken interesat e ligjshme të personave, në rastet kur cenohen interesat më të gjerë shoqëror, vjen në shprehje rëndësia e gjykimit strategjik.

Procesi gjyqësor strategjik është një mjet shumë efikas i avokimit ligjor që mundëson promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të interesave publike. Para së gjithash, procesi gjyqësor strategjik ka dëshmuar të jetë një mjet i rëndësishëm për reforma ligjore, sociale dhe politike, e sidomos në fushat e të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së ambientit dhe të drejtësisë sociale. Më konkretisht, kjo mund të përfshijë rastet ku një grup i njerëzve ose një organizatë njoftohen për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përmes sistemit gjyqësor i sfidojnë ato shkelje.

Procesi gjyqësor strategjik mund të përfshijë gjithashtu kërkesa për ndryshime ligjore ose politikat publike, që kërkojnë përgjegjësi civile ose penale për aktorët shtetërorë, ose mund të përdoren si mjet për të ndërtuar presion publik dhe për të ndryshuar kulturën e caktuar të shoqërisë apo parandalimin e mëtutjeshëm të shkeljeve të natyrave të ndryshme.

Në Kosovë, procesi gjyqësor strategjik është një koncept gjerësisht i panjohur dhe shumë pak flitet për përfitimet që sjell në rastet kur aplikohet siç duhet, edhe pse ligjërisht është e rregulluar si e drejtë që ju njihet mbrojtësve të interesave publike, si dhe mbrojtëseve të interesave kolektive apo të interesave të gjera të publikut.

Një shembull konkret i procesit gjyqësor strategjik të suksesshëm është rasti i Urgendës në Holandë. Ky rast ishte i pari në botë që ndikoi që edhe në shtetet tjera të ketë nisma të tilla. Në këtë rast, një organizatë joqeveritare e quajtur Urgenda paditi Qeverinë e Holandës për dështimin e kësaj të fundit për të ndërmarrë veprime për të adresuar ndryshimet klimatike.

Në vitin 2015, Gjykata e Distriktit të Hagës ka vendosur në favor të Urgendës, duke urdhëruar Qeverinë që të zvogëlojë emetimin e gazrave serrë të paktën 25 për qind deri në vitin 2020, krahasuar me vlerat e vitit 1990. Ky vendim është atakuar dhe rasti është dërguar deri në Gjykatën Supreme, e cila në vitin 2019 vendosi përfundimisht, duke gjetur se Qeveria e Holandës ka për obligim që të zvogëlojë emetimin e gazrave serrë në mënyrë urgjente dhe në përputhje me të drejtat e njeriut.

Urgenda është një shembull i fuqishëm se si procesi gjyqësor strategjik mund të përdoret për të mbajtur qeverinë e një shteti në përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e veta, si dhe për të nxitur veprime në çështje urgjente sociale dhe mjedisore.

Por tashmë edhe në Kosovë, procesi gjyqësor strategjik është bërë një mjet i fuqishëm për t’i kundërshtuar paligjshmëritë që vijnë nga institucionet në dëm të qytetarëve. Tash e tre vjet, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike ka proceduar dhjetëra padi strategjike bazuar mbi parimin e interesit publik të përgjithshëm.

Në vitet e fundit, së bashku me grupe qytetarësh, organizatash dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit, CSL-ja ka iniciuar disa padi strategjike kundër lejeve ujore dhe mjedisore që janë dhënë për disa hidrocentrale.

Padia e parë është iniciuar kundër Ministrisë së Ambientit për lëshim të lejes ujore dhe mjedisore në kundërshtim me ligjin për ndërtimin e Hidrocentraleve në Deçan. Në këtë rast, Gjykata Themelore dhe më pas Supremja e vlerësoi si të drejtë padinë tonë dhe të aktivistëve, gjë që u shënua si suksesi i parë i funksionimit të CSL-së.

Ngjashëm, edhe dy padi strategjike u deponuan për dhënien e lejeve ujore dhe mjedisore për Hidrocentralin “Brezovica” në Shtërpcë dhe për Hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik.

Sikurse në rastin e Deçanit, Gjykata Supreme i cilësoi si të bazuara paditë tona dhe vendosi që verdikti të vendoset në gjykatë në bazë të meritave. Më tej, përpos rasteve të ambientit janë ngritur edhe padi strategjike për mosrespektim të Ligjit të Punës nga ana e punëdhënësit, padi për mosrespektim të Ligjit të duhanit që vetë shteti e ka sponsorizuar dhe padi strategjike për diskriminim të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë nga skemat sociale shtetërore.

Natyra e rasteve ka të bëjë kur organet publike kanë vendosur në mënyrë të gabuar dhe në kundërshtim me ligjin, por edhe kur të njëjtat nuk veprojnë dhe janë të autorizuara të veprojnë sipas ligjit. Mirëpo ndikimi i procesit gjyqësor strategjik tejkalon interesat e rastit individual. Vendosja e praktikave të ligjshme, ndikimi në politikat publike dhe ngritja e vetëdijes për çështje të rëndësishme mund të kenë ndikim të gjerë dhe afatgjatë në shoqëri. Përmes rasteve gjyqësore strategjike në Kosovë ngrihet vetëdija qytetare dhe institucionale për probleme të caktuara, duke ndikuar edhe në ndryshim të politikave.

Rastet e ngritura nga CSL-ja për paligjshmërinë e hidrocentraleve kanë ndikuar që Qeveria në politikat e saj t’u kushtojë vëmendje politikave për energjinë e ripërtërishme, duke e ruajtur mjedisin në të njëjtën kohë si interes i përgjithshëm.

Në një kohë kur ka shumë sfida në çështjet sociale dhe mjedisore, shumë çështje urgjente mbeten të paadresuara, procesi gjyqësor strategjik mund të jetë një çelës kryesor për ndryshime thelbësore dhe të prekshme. Duke kërkuar përgjegjësi nga qeveritë dhe aktorë të tjerë të fuqishëm për veprimet e tyre dhe duke vendosur precedentë dhe ndikuar në politikë publike, procesi gjyqësor strategjik mund të ndihmojë në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm.

(Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, e cila është krijuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në kuadër të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe implementuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).)

Nga GLPS

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *