Skip to content

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike si prijatare e së mirës publike

Një prej objektivave themelore të shtetit është të ofrojë siguri dhe mirëqenie për qytetarët e vet përmes mekanizmave që i zotëron. Respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut është thelbi i shoqërive demokratike – e që zakonisht garantohet prej aparaturës shtetërore. Ky të paktën do të duhej të ishte versioni ideal i shtetit ligjor dhe demokratik. Megjithatë, kemi raste kur vetë shteti është autor i shkeljes së të drejtave të qytetarëve të vet, qoftë të së drejtës në punë, të drejtës në ambient të pastër, të drejtës në mirëqenie, të drejtës për jetë të sigurt, ndër të tjera. Dhe, në jo pak raste, këto shkelje ndodhin në Kosovë nga neglizhenca e shtetit për të reaguar, ose nga reagimi jo i duhur e që është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Situata e raste të tilla rikonfirmojnë nevojën për aktivizëm të shoqërisë civile dhe komunitetit për të krijuar nisma e platforma që janë në shërbim të qytetarit.

Në nëntor të vitit 2020 në Kosovë u themelua Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, platformë unike që përmes procesit gjyqësor strategjik kontribuon për interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Qendra u themelua nga Grupi për Studime Juridike Politike (GLPS) dhe është e para e llojit të saj e krijuar në rajon nga një organizatë e shoqërisë civile, e përkrahur nga shtetit i Suedisë.

Por çka është procesi gjyqësor strategjik?

Procesi gjyqësor strategjik është dërgimi në gjykatë i rasteve nga të cilat mund të përfitojnë shumë qytetarë; raste të cilat përveçse i shërbejnë interesit të paditësit individual mund t’i shërbejnë edhe interesit të publikut. Procesi gjyqësor strategjik njihet si një mjet i fuqishëm për reforma ligjore, politike dhe sociale, sepse qëllimi i vet është që të arrihet një ndryshim i gjerë dhe afatgjatë, e jo vetëm që të fitohet rasti në fjalë. Në këtë rast, paditë që dërgohen në gjykatë bëhen kundrejt institucioneve shtetërore. Dhe pikërisht këtë e ka bërë Qendra gjatë këtyre 4 vjetëve që prej themelimit. Nevoja e qytetarëve për drejtësi dhe respektim të të drejtave themelore të tyre dhe misioni i Qendrës në anën tjetër, kanë sjellë ndryshime afatgjata dhe të prekshme në Kosovë. Qendra është bërë platformë e besueshme e aktivistëve të mjedisit, të të drejtave të njeriut, të sindikatave dhe të gjithë qytetarëve në përgjithësi pa dallim etnie, feje apo race.

Kur shkeljet bëhen normë – kundërshtimi është detyrim. Kësisoj, në këta katër vjet, Qendra ka bashkuar forcat me aktivistë të mbrojtjes së mjedisit dhe ka iniciuar paditë e para strategjike kundër lejeve ujore dhe mjedisore për disa hidrocentrale. Padia e parë është iniciuar kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit për lëshim të lejes ujore dhe mjedisore në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin e hidrocentraleve në Deçan. Në këtë rast sukses kolosal është arritur pasi që Gjykata Themelore dhe më pas Supremja u dhanë të drejtë padisë sonë dhe aktivistëve. Më tej, edhe dy padi strategjike deponohen për dhënien e lejeve ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Brezovica” në Shtërpcë, dhe për hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik. Ngjashëm si në rastin e Deçanit, Gjykata Supreme i cilësoi si të bazuara paditë tona dhe vendosi që kërkesa jonë për masë të përkohshme është legjitime.

Këto tri padi kompletojnë korpusin e aktivizimin gjithnjë e në rritje të qytetarëve të Kosovës kundrejt degradimit mjedisor nga ndërtimi i hidrocentraleve në kundërshtim me ligjin dhe pa kritere. Njëherësh, këto padi kanë shpërfaqur vetëdijen e lartë qytetare për mbrojtjen e së drejtës në mjedis të pastër e të sigurt, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë. Më tej, një padi strategjike është deponuar kundër Komunës së Prishtinës për dhënien e lejes për të ndërtuar një “Park të Aventurave” në Parkun e Gërmisë në Prishtinë. Flora dhe fauna e parkut “Gërmia” u vu në rrezik sipas gjykimit të aktivistëve nga Prishtina, dhe pas trajtimit të dokumentacionit, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike detektoi shkeljet ligjore në këtë rast. Angazhimi i Qendrës me bashkëdyzim me aktivizmin e qytetarëve bëri që Gjykata Supreme ta validojë padinë tonë dhe të pezullojë punën në këtë park.

Mbrojtja e ambientit është një nga pjesët qendrore programatike të Qendrës e që në këtë periudhë thuajse 4-vjeçare ndikimi ka qenë transformativ dhe vetëdijesues. Kjo, sepse përpos aspektit ligjor, Qendra së bashku me qytetarët kanë ngritur edhe llogaridhënien e institucioneve shtetërore krahas vetëdijes së përgjithshme qytetare. Prandaj Qendra në këtë prizëm e ka luajtur edhe një rol emancipues, dhe jo vetëm legal dhe procedural.

Më tej, përpos rasteve të ambientit janë ngritur edhe padi strategjike për mosrespektim të ligjit të punës nga ana e punëdhënësit, padi për mosrespektim të Ligjit të duhanit që vetë shteti e ka sponsorizuar dhe padi strategjike për diskriminim të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë nga skemat sociale shtetërore. Për më tepër, një varg trajnimesh tematike me studentë të universiteteve publike janë mbajtur për të ngritur kapacitetet profesionale dhe praktike të tyre. Por ekspertizë është ofruar edhe për institucione shtetërore, gjyqtarë e prokurorë.

Procesi i reformave ligjore, sociale e politike është një maratonë e gjatë me sfida të ndryshme. Megjithatë, puna sistematike e Qendrës në bashkëpunim me qytetarët i ka korrur rezultatet e para afatgjate, prej të cilave përfitojnë shumë qytetarë. Kjo mundësi unike që qytetarët e Kosovës e kanë duhet të shfrytëzohet sa më shumë. Prandaj, aplikoni te Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike nëse besoni se u janë shkelur të drejtat tuaja në çfarëdo forme.

(Autori është pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike. Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF))

Nga Arbër Fetahu

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *