Skip to content

Sigurimi i kujdestarëve personalë – Urgjencë shtetërore

Nga Arbër Fetahu

Në Kosovë, numërohen të jenë rreth 4.000 persona me paraplegji dhe tetraplegji. Bazuar në të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës të muajit korrik 2023, numri i përfituesve të pensioneve paraplegjike dhe tetraplegjike (si pjesë e pensioneve dhe skemave të tjera sociale) është 2.737.

Në Kosovë, Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetrapelgjikë, e rregullon statusin dhe të drejtat e personave që kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme ose/dhe të sipërme, për shkak të sëmundjes ose dëmtimit, dhe të njëjtit fitojnë të drejtën e kompensimit mujor. Përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji është Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Përfituesit e këtij ligji duhet t’i nënshtrohen vlerësimit nga Komisioni Vlerësues, i cili emërohet nga Ministria në fjalë. Pos rehabilimit shëndetësor dhe fizik të nevojshëm si dhe kompensimit, sigurimi i kujdestarëve personalë për individët me paraplegji dhe tetraplegji shfaqet si një nevojë emergjente por edhe detyrim ligjor dhe moral i shtetit ndaj individëve.

Si një shembull i nevojës, si dhe rolit të rëndësishëm dhe të detyrueshëm të kujdestarëve personalë mbetet politika dhe qasja e Bashkimit Evropian (më tutje: BE) që njeh rëndësinë e tyre, sidomos për personat me paraplegji dhe tetraplegji, si një aspekt vendimtar për sigurimin e mirëqenies dhe sigurimit të një minimumi të cilësisë së jetës së tyre. BE-ja i thekson parimet e përfshirjes, barazisë dhe të drejtave të njeriut në qasjen e saj ndaj çështjeve të aftësisë së kufizuar, duke përfshirë edhe ato që lidhen me dëmtimin e lëvizshmërisë së individëve.

Në kontekstin e paraplegjisë dhe tetraplegjisë, kujdestarët personalë parashihen të ofrojnë mbështetje thelbësore për aktivitetet e përditshme të jetesës së individëve që përfshijnë, kujdesin mjekësor, mirëqenien emocionale dhe ndërveprimin social.

Në kontekstin e Kosovës, vlen të theksohet që dispozitat e ligjit vendor nuk janë shumë të zgjeruara në lidhje me kujdestarin personal. Për më tepër, rregullorja, si akt nënligjor, nuk e trajton këtë çështje në thellësi por as projektrregullorja e re, e propozuar. Edhe pse ligji dhe aktet nënligjore nuk janë gjithëpërfshirëse në këtë aspekt, bazuar në ligjin në fjalë, personave paraplegjikë dhe tetrapelgjikë (ose kuadraplegjikë) ju njihet e drejta e caktimit të një kujdestari personal.

Sipas ligjit, kujdestari personal ka për detyrë ofrimin e kujdesit dhe shërbimeve të domosdoshme ditore dhe kompensohet me shumën e njëjtë sikurse përfituesit e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. Përfituesit e këtij ligji mund ta zgjedhin kujdestarin personal por nëse përfituesi nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, organi i kujdestarisë mbetet përgjegjës për caktimin e kujdestarit. Caktimit të kujdestarit personal i paraprin vlerësimi nga komisioni vlerësues. Edhe pse kjo e drejtë garantohet me ligj, janë raportuar shumë raste ku personave të caktuar u është mohuar kjo e drejtë, ku mosofrimi i mbrojtjes së plotë ligjore në kuptimin e caktimit të kujdestarit personal bart shumë pasoja.

Në shkurt të vitit 2023, Qendra për Raste Strategjike Gjyqësore e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (më tutje: Qendra), trajtoi rastin e parë të kësaj natyre dhe rrjedhimisht dorëzoi padi kundrejt Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për shkak që paditësja e dëmtuar është rikategorizuar në grupin e dytë gjatë procedurës së rivlerësimit dhe i është hequr e drejta e caktimit të kujdestarit personal. Ky vendim është marrë në kundërshtim me Raportin Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (më tutje: ShSKUK), si dhe në kundërshtim me raportet mjekësore, të cilat kanë përshkruar se pacientja është plotësisht e paaftë për jetë të pavarur dhe se është e domosdoshme ndihma dhe kujdesi i personit të tretë. Vlerësimi i dhënë nga Komisioni Vlerësues nuk është bërë në bazë të ekzaminimit të duhur të pacientes, as në bazë të dokumenteve mjekësore dhe as në bazë të Raportit Konziliar të lëshuar nga Klinika e Neurologjisë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

E ky nuk është rasti i parë, marrë parasysh që Qendra ka vazhduar dhe po trajton raste të tilla por po ashtu, edhe sipas raportimeve të mediave, është një trend i dukshëm – pra raste të shumta kur individët që u janë nënshtruar procedurave të vlerësimit ose rivlerësimit kanë hasur në trajtim që mund të përshkruhet si çdo gjë tjetër, veçse i drejtë.

Ironia qëndron në faktin se ky komision në dukje i qaset detyrës me seriozitetin ekuivalent të një mendimi sipërfaqësor nga një grup joprofesionistësh, duke i anashkaluar raportet e klinikave mjekësore kompetente që reflektojnë rrethanat e vërteta të individit. Pavarësisht që ky komision përbëhet nga profesionistë që përfshijnë ekspertët mjekësorë dhe socialë, ashtu siç përcaktohet edhe me aktin nënligjor ku përcaktohet përbërja e komisionit, vlerësimet e komisionit nuk korrespondojnë me realitetin.

Kjo situatë, ku ndër të tjera komisionet vlerësuese përmes moscaktimit të kujdestarëve mohojnë këtë të drejtë, si dhe rolin e kujdestarëve personal, është thellësisht shqetësuese. Një mohim i tillë jo vetëm që bie ndesh me obligimet ligjore, por gjithashtu e pengon rrugën drejt një shoqërie e cila siguron barazi në mes individëve dhe e jetëson atë në praktikë.

Njohja e rëndësisë së kujdestarëve personalë për individët paraplegjikë dhe tetraplegjikë nuk është thjesht një detyrim ligjor por është një imperativ moral që njeh të drejtat e çdo individi për të bërë një jetë të dinjitetshme. Prandaj, sigurimi i kujdestarëve personalë duhet të trajtohet si urgjencë shtetërore dhe rastet si ato të elaboruara më lart duhet evituar me çdo kusht në të ardhmen.

(Autorja është pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, e themeluar nga GLPS, të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF))

Nga Ema Pula

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *