Skip to content

Mohimi i të drejtës së personave paraplegjik dhe tetraplegjik për kompensim dhe kujdestar personal

GLPS dhe një qytetar ushtrojnë padi kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve

Personat paraplegjik dhe tetraplegjik përkufizohen si persona që, si shkak i sëmundjes apo dëmtimit të sistemit nervor qendror apo periferik, kanë humbur në formë të përhershme mundësinë e zhvendosjes dhe lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme, respektivisht ekstremiteteve të poshtme dhe të sipërme. Duke qenë se personat paraplegjik dhe ata tetraplegjik nuk janë në gjendje që të përkujdesen për vete në mënyrë të pavarur, ata për të kryer nevojat elementare duhet të kenë shoqërues. Statusin dhe të drejtat e këtyre dy kategorive e rregullon Ligji nr.05/L -067 për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, i cili ndër të tjera parasheh edhe të drejtën në kompensim mujor si dhe të drejtën për kujdestar që u takon këtyre personave. Sidoqoftë, në praktikë institucionet ua mohojnë këto drejta personave, në bazë të vendimeve të paarsyetuara dhe duke mos i marrë parasysh raportet mjekësore që e vërtetojnë gjendjen shëndetësore të tyre.

Një rast i tillë i mohimit të së drejtës ligjore për kompensim dhe kujdestar personal ndodhi edhe me një qytetar nga komuna e Gllogocit, i cili bashkë me Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), më datë 1 mars 2023, dorëzuan si bashkëpaditës padinë për konfliktin administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT).

Në këtë Padi, CSL dhe qytetari pretendojnë kundërligjshmërinë e vendimit të Divizionit të Skemave Pensionale – Departamenti i Pensioneve në kuadër të MFPT-së (vendimi i kontestuar), i datës 7 dhjetor 2022, me të cilin ishte refuzuar ankesa e qytetarit kundër vendimit të këtij organi për mos njohjen e statusit të personit paraplegjik ose tetraplegjik, e që rrjedhimisht i ishte mohuar edhe e drejta ligjore në kompensim dhe në kujdestar personal.

Bashkëpaditësit vlerësojnë se vendimi i kontestuar është marrë në kundërshtim me parimet kushtetuese të sundimit të ligjit, me dispozitat e Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA), Rregulloren (QRK) nr. 07/2017 për përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë e komisionit vlerësues dhe përcaktimin e procedurave për njohjen e statusit dhe të drejtave të personave paraplegjik dhe
tetraplegjik .  

Se vendimi për mos njohjen e statusit të personit paraplegjik dhe tetraplegjik ndaj bashkëpaditësit është i përfshirë në shkelje të parimit kushtetues të mos diskriminimit argumentohet me faktin se organi vendimmarrës duke ia njohur vetëm statusin e personit me paaftësi të përhershme, ia ka mohuar të drejtën në kompensim dhe në kujdestar personal. Pra, me mosdhënien e një përshtatje/akomodimi të arsyeshëm e në përputhje me nevojat specifike të bashkëpaditësit, vlerësohet se organi vendimmarrës nuk e ka diskriminuar qytetarin në bazë të aftësisë së tij të kufizuar.

Po ashtu, vendimi i atakuar pretendohet se është në kundërshtim me ligjin që rregullon statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, për arsye se nuk janë marrë parasysh faktet që tregojnë se ky qytetar ka pasoja të përhershme në shëndetin e tij si dhe nuk mund të kryejë nevojat elementare ditore pa ndihmën e një personi tjetër.

Tutje, mos arsyetimi i vendimit mbi refuzimin e ankesës së bashkëpaditësit, mos përfshirja e raportit të Komisionit Konziliar si dhe e raportit specialistik, më të cilat vërtetohet diagnoza dhe  se bashkëpaditësi është plotësisht i pa aftë për jetë të pavarur dhe ekziston një domosdoshmëri për ndihmë dhe kujdes nga një person tjetër, paraqesin bazë tjetër mbi të cilën bashkëpaditësit thirren se vendimi i atakuar është marrë në kundërshtim me LPPA, Rregulloren nr. 07/2017, sepse ka pasur mos ekzaminim të duhur nga Komisioni Vlerësues.

Përmes arsyetimit të pretendimeve të lartcekura dhe nga provat e bashkëngjitura në Padi, CSL dhe qytetari kanë kërkuar nga ana e Gjykatës që të aprovojë në tërësi këtë padi, ta anulojë vendimin e atakuar si dhe të aprovohet kërkesa për kategorizimin e këtij qytetari në grupin e parë të personave paraplegjik dhe tetraplegjik, ashtu që të detyrohet MFPT-ja t’ia kompensojë pensionin në mënyrë retroaktive nga data 5 janar 2022.

Pavarësisht që me padi është kërkuar që kjo çështje gjyqësore të procedohet me prioritet nga ana e gjykatave për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëpaditësit, gati një vit pas dorëzimit të padisë, nuk është pranuar asnjë vendim e as ftesë për fillimin e gjykimit të çështjes.

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *