Skip to content

Rasti i mos veprimit të organeve shtetërore në trajtimin e qenve endacakë

GLPS dhe dy qytetare ushtrojnë padi kundër Ministrisë së Bujqësisë, Agjencisë së Veterinarisë dhe Komunës së Prishtinës

Në vitet e fundit, qentë endacakë paraqesin rrezik të madh për jetën dhe sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Andaj, nevoja për adresimin e kësaj problematike kërkon trajtim serioz nga ana e organeve shtetërore sepse rreziku nga sulmet e qenve endacak cenon të drejtat dhe liritë e qytetarëve (jetën, sigurinë, integritetin trupor, shëndetin dhe lëvizjen e lirë) që mbrohen me konventa ndërkombëtare, Kushtetutën dhe legjislacion vendor.

Institucionet shtetërore, ato në nivelin qendror dhe në nivelin lokal, janë të obliguar që të zbatojnë ligjet në fuqi për trajtimin e qenve endacakë, ashtu që të mbrojnë dhe garantojnë të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Problematika dhe mos trajtimi adekuat i qenve endacakë vërtetohet edhe nga Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit, i cili evidenton disa ankesa të qytetarëve që ishin sulmuar nga këto kafshë duke përfshirë shqetësimet e tyre në lidhje me mos ndërmarrjen e masave nga ana e organeve shtetërore.

Lëndime nga sulmi i qenve endacakë kishin pësuar edhe dy qytetare të Komunës së Prishtinës, të cilat së bashku me Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) në kuadër të GLPS-së, më datë 22 qershor 2022, kanë ngritur padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm kundër Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Komunës së Prishtinës. Baza e kësaj padie ishte kompensimi i dëmit nga mos veprimi i organeve shtetërore dhe i shkeljes së të drejtave të njeriut.

Në këtë Padi, CSL dhe dy qytetaret (bashkëpaditëset) pretendojnë se nga mos veprimi i MBPZhR-së, AUV-it dhe Komunës së Prishtinës (palët e paditura) në trajtimin e qenve endacakë, paditësve dhe shumë qytetarëve po u shkelen të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si e drejta në jetë, integritet trupor, shëndet, si dhe në liri lëvizjes.

Bashkëpaditëset kanë bashkëngjitur në padi edhe prova me të cilat argumentohet fakti se dy qytetaret kanë qenë të sulmuara nga qentë endacakë dhe si shkak i lëndimeve kanë pranuar tretman mjekësor. Po ashtu, pjesë e Padisë janë edhe provat e tjera që argumentojnë se nga mungesa e menaxhimit të kontrolluar të popullimit të qenve dhe rritja e numrit të tyre në rrugët e qyteteve dhe fshatrave, shumë qytetarë janë sulmuar e ka pasur raste të tilla që si pasojë e lëndimeve të marra nga sulmi i qenve endacakë edhe e kanë humbur jetën (Rasti i 9 vjeçares në fshatin Karaqevë, komuna e Kamenicës, në vitin 2009). Në këto prova përfshihen raportimet në media, deklaratat dhe raportet mjekësore të qytetarëve të sulmuara nga qentë endacak, fotografi ku shihet një numër i madh i qenve endacakë në lagjet e Prishtinës etj.

Duke e pasur parasysh gjithë këtë situatë, bashkëpaditëset kanë kërkuar nga ana e Gjykatës që të vërtetojë se palët e paditura kanë dështuar të mbrojnë të drejtat themelore në jetë, shëndet, siguri dhe liri të lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, me mos ndërmarrjen e masave për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë. Përmes kësaj Padie, është kërkuar që këto masa të fillojnë të merren që të adresohet kjo problematikë.

Po ashtu, me padi është kërkuar nga Gjykata që të aprovohet edhe kërkesa për kompensimin e dëmit që i është shkaktuar dy qytetareve nga sulmi i qenve endacak në shumë prej 7,050 euro. Ky kompensim është kërkuar për mbulimin e shpenzimeve mjekësore dhe për të kompensuar dëmin e shkaktuar për shkak të frikës së  lartë, ankthit të vazhdueshëm dhe dhimbjeve fizike të intensitetit të lartë që ato e kanë përjetuar nga sulmi i qenve endacakë. Pavarësisht që nga dorëzimi i padisë kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë, deri më tani nga ana e Gjykatës nuk kemi pranuar asnjë vendim apo ftesë për caktim të seancës gjyqësore.

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *