Skip to content

Kundërligjshmëria e lidhjes së kontratës për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë

GLPS dhe dy organizata tjera joqeveritare dorëzojnë padi kundër Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP)

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) më datë 9 janar 2023 ka publikuar njoftimin për fillimin e procedurave të prokurimit për tenderin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë, në vlerë të përgjithshme prej 38 milionë e 30 mijë e 326 euro. Por, pasi dhënia e këtij tenderi është karakterizuar me disa parregullsi dhe shkelje ligjore, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Instituti GAP,  përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike i janë drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në këtë padi, paditësit  fillimisht kërkuan të vendoset për pezullimin e këtij procesi si dhe të anulohet vendimi i OSHP-së mbi refuzimin e ankesës në rastin e dhënies së kontratës për këtë tender.

Paditësit duke e analizuar dosjen e këtij tenderi fillimisht kishin konstatuar se vlera totale e tenderit është  për 430 mijë e 343 euro më e lartë në raport me vlerën e përcaktuar për secilën pjesë të zgjerimit të rrugës. Së dyti, edhe gjatësia e rrugës tek qëllimi i kontratës ishte 23 kilometra, ndërsa kur mblidhen gjatësitë e secilës pjesë të rrugës që pritet të zgjerohet paraqitet një gjatësi më e vogël. Pas shumë kërkesave të paditësve që të përmirësohen këto mospërputhje në tender, MMPHI i ka adresuar rekomandimet në këtë tender.

Në mes të datave 9 dhe 13 qershor 2023, janë përgatitur njoftimet për dhënien e kontratës për pjesët e këtij tenderi dhe janë publikuar në platformën e-Prokurimi. Më pas, një operator që nuk ishte përzgjedhur si përfitues nga ky tender, kishte ushtruar ankesë në OSHP më datë 15 qershor 2023. Pavarësisht se ankesa e kësaj kompanie nuk kishte marrë përgjigje nga OSHP-ja, Ministria më datë 19 qershor 2023, kundërligjshëm, ka nënshkruar kontratën me secilën nga kompanitë që e kanë fituar tenderin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë.

Tutje, pas 5 muaj e 20 ditësh jashtë afatit ligjor për trajtimin e ankesave, OSHP-ja kishte vendosur që ta refuzojë ankesën e kompanisë që nuk ishte përzgjedhur si përfituese në këtë tender, edhe pse për trajtimin e kësaj ankesë kishte afat ligjor vetëm 15 ditë. Me këtë rast, OSHP-ja ka kryer shkelje ligjore edhe me mos pezullimin e dhënies së tenderit si shkak i pranimit të ankesës nga operatori ekonomik që nuk është zgjedhur përfitues.

Duke pasur parasysh të gjitha këto rrethana dhe me qëllim të mbrojtjes së interesit të përgjithshëm publik, GLPS, INDEP dhe Instituti GAP më datë 22 dhjetor 2023 kanë ushtruar padi për konflikt administrativ dhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ. Kjo padi është dorëzuar kundër OSHP-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative.

Paditësit konsiderojnë se vendimi për refuzimin e ankesës si të pabazuar nga bordi i OSHP-së dhe lënia në fuqi e vendimit të MMPHI është në kundërshtim të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). MMPHI nënshkroi kontratat me operatorët ekonomik fitues përkundër faktit se ishin në dijeni se njëri nga operatorët ekonomik pjesëmarrës në këtë aktivitet kishte paraqitur ankesë në OSHP. Ky veprim i MMPHI është në kundërshtim me LPP-në që përcakton që dorëzimi i ankesës obligon autoritetin kontraktues që automatikisht t’a pezullojë aktivitetin e prokurimit. Edhe pse OSHP e ka identifikuar këtë shkelje, e njëjta ka lënë në fuqi kontratën me arsyetimin se OSHP duhet të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik.

Paditësit konsiderojnë që ky arsyetim është i paqëndrueshëm, madje marrja e një vendimi të tillë dëmton interesin e përgjithshëm, duke i shkaktuar dëm buxhetit shtetëror, dhe lejon që të vazhdohet një proces i kundërligjshëm.

Në fund, nga provat e bashkëngjitura në padi, i është kërkuar Gjykatës që fillimisht të vendos për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të OSHP-së e pas shqyrtimit gjyqësor të anulohet në tërësi ky vendim, ashtu që me rastin e dhënies së tenderit për zgjerim të rrugës nacionale Prishtinë-Besi-Podujevë të respektohen në tërësi dispozitat ligjore dhe procedurat që e rregullojnë prokurimin publik.

Më pas, më 10 janar 2024 Gjykata morri vendimin, më të cilin Padis është hedhur poshtë për shkak të ekzistimit të gjyqvarësisë (litispendencës), me arsyetimin se për çështjen e njëjtë ndërmjet palëve të ndryshme është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore në Gjykatën Komerciale. Duke arsyetuar se “vendosja e çështjes në këtë konflikt administrativ për të njëjta vendime të atakuara, bie në kundërshtim edhe me parimin universal juridik “ne bis in dem” dhe do të përbente procedurë duale për të njëjtën çështje.”

Kundër këtij vendimi të Gjykatës Themelore, Paditësit më 24 janar 2024 kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me pretendimet se vendimi i atakuar përfshihet në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe në zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Ndër të tjera, Paditësit argumentojnë se padia nuk mund të hedhet poshtë në rastin kur për çështjen e njëjtë palët janë të ndryshme sepse për të ekzistuar gjyqvarësia (duhet që kërkesëpadia dhe palët të jenë të njëjta. Gjithashtu, referimi i Gjykatës Themelore në parimin “ne bis in dem” është vlerësuar i gabuar për faktin se ky është parim juridik që zbatohet në procedurë penale dhe i cili mbron personat e liruar apo të dënuar me një vendim të formës së prerë për një vepër penale që të mos ndiqen dhe dënohen për të njëjtën vepër penale përsëri. Pra, ky parim nuk ndihmon procesin në procedurë të konfliktit administrativ. Bazuar në provat dhe arsyetimin që mbështetet kjo ankesë, Paditësit kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta anulojë vendimin e Gjykatës Themelore dhe që lënda të kthehet në rivendosje.

Deri më tani nga Gjykata e Apelit nuk është pranuar asnjë vendim lidhur me këtë ankesë.

8 gusht 2024  – GLPS, GAP dhe INDEP,  përmes të autorizuarit të tyre, dorëzuan në Gjykatën e Apelit kërkesë/urgjencë për përshpejtimin e shqyrtimit të ankesës, meqë nga dorëzimi i saj kishin kaluar më shumë se 6 muaj që kur kjo gjykatë nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të vlerësuar pretendimet ankimore. GLPS pret që brenda një afati të arsyeshëm nga Gjykata e Apelit të merret një vendim lidhur me ankesën e parashtruar më 24 janar 2024.