GLPS i ofroi mbështetje ligjore të punësuarës që i refuzohej e drejta e pushimit vjetor
Ligji i Punës që është i aplikueshëm në Republikën e Kosovës i obligon punëdhënësit që të punësuarve të mos ia mohojnë të drejtën e shfrytëzimit të pushimit vjetor. Por, përveç këtij lloji të pushimit, Ligji parasheh edhe pushimin e lehonisë, pushimin mjekësor, pushimi javor etj., të cilat nuk bien ndesh me njëra-tjetrën. Kjo nënkupton se në rastet kur i/e punësuara shfrytëzon njërin nga llojet e pushimit, kjo nuk do të thotë që punëdhënësi nuk mund t’ia mohojë të drejtën e shfrytëzimit të llojit tjetër të pushimit që e njeh Ligji.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) përmes Qendrës për Raste Strategjike, ka ofruar mbështetje ligjore në një rast, i cili ka të bëjë me një të punësuar e cila kishte shfrytëzuar të drejtën e pushimit të lehonisë, dhe mbi këtë bazë institucioni (Zyra e Administratës – Klinika e Pediatrisë – Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës) në mënyrë verbale ia kishte refuzuar kërkesën për shfrytëzimin e pushimit vjetor.
Duke e vlerësuar se të punësuarës në mënyrë të pabazuar po i refuzohej e drejta e shfrytëzimit të pushimit vjetor, Qendra ka dorëzuar një shkresë më datë 6 qershor 2020, duke i kërkuar institucionit që t’ia njeh këtë të drejtë pushimi qytetares dhe që të njëjtin ta shfrytëzojë gjatë muajit qershor 2022.
Qendra e ka mbështetur kërkesën në të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga Ligji i Punës dhe Rregullorja për orarin e punës dhe pushimet e zyrtarëve publikë. Ky ligj përcakton që pushimi i të punësuarit nuk konsiderohet si ndërprerje e marrëdhënies së punës, përfshirë edhe rastet pas shfrytëzimit të pushimit të lehonisë. Pra, duke marrë pushimin e lehonisë, e punësuara nuk e ndërprenë marrëdhënien efektive të punës. Rrjedhimisht, pushimi i lehonisë është komplementar me pushimin vjetor (i shtohet atij) e jo zëvendësues ndaj tij.
Pas ofrimit të ndihmës juridike falas dhe përpilimit të shkresave të nevojshme, institucioni ku e punësuara punon më datë 14 qershor 2022, ia njohu të drejtën e pushimit vjetor.
Raste të tilla të suksesshme bëjnë që Qendra të mbetet e përkushtuar në zgjidhjen e problemeve kolektive përmes rasteve individuale dhe që t’i mbrojë të drejtat e të punësuarve, të sigurisë në punë, shëndetit dhe ambientit të përshtatshëm në punë dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut përmes padive strategjike dhe mjeteve tjera ligjore.