Skip to content

Si funksionojnë në praktikë kufizimet e përdorimit të qeseve plastike?

Fatkeqësisht, në Kosovë vetëdija mjedisore ende stagnon. Sipas Pulsit Publik të UNDP-së të vitit 2023, vetëm 18% e të anketuarve e perceptojnë Kosovën si të ndikuar në mënyrë të konsiderueshme nga ndryshimet klimatike, ndërsa në një pyetje tjetër, shumica prej 91% pranojnë se kanë njohuri mesatare apo aspak njohuri rreth kërcënimeve të mundshme shëndetësore nga mjedisi. Edhe Raporti i Progresit i BE-së për vitin 2023 konsideron se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, dhe ka vetëm progres të kufizuar në këtë fushë. Raporti gjithashtu thekson se nuk është bërë asnjë përparim në lidhje me mbrojtjen e natyrës. Kjo mund të tregojë se vetëdija dhe gatishmëria e qytetarëve të Kosovës për të bërë më shumë përpjekje në mbrojtjen e mjedisit nuk është në nivelin e dëshirueshëm

Në shtator 2023, Kosova prezantoi një udhëzim të ri administrativ për vendosjen e çmimit të shitjes prej 0.05 euro për qeset plastike. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e kishte promovuar këtë iniciativë si një strategji për mbrojtjen e mjedisit dhe përafrimin e mëtejshëm me “acquis” të BE-së. Udhëzimi administrativ synon të trajtojë aspekte të ndryshme të paketimit dhe menaxhimit të mbeturinave. Objektivat e tij përfshijnë parandalimin e prodhimit të tepërt të mbeturinave të ambalazhimit, promovimin e ripërdorimit, rritjen e përpjekjeve për riciklimin, reduktimin e deponimit përfundimtar dhe lehtësimin e tranzicionit drejt një ekonomie qarkore.

Vendosja e çmimit të qeseve plastike në Kosovë erdhi në një moment të rëndësishëm, duke konsideruar nivelin jashtëzakonisht të lartë të ndotjes plastike në mjedis. Plastika, veçanërisht në formën e artikujve për një përdorim, si qeset, përbën një kërcënim të lartë për ekosistemet dhe kontribuon ndjeshëm në ndryshimet klimatike. Në nivel global, më pak se 10% e mbetjeve plastike riciklohen, ndërsa shumica përfundojnë në deponi apo mjedise natyrore. Për sa i përket qeseve plastike njëpërdorimëshe, hulumtimet tregojnë se koha mesatare e përdorimit të tyre është vetëm 15 minuta, ndërsa koha e dekompozimit fillon nga 20 vjet. Kështu, reduktimi i përdorimit të plastikës, veçanërisht i artikujve njëpërdorimësh, si qeset, paraqet një hap kritik drejt zbutjes së ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së Tokës.

Të alarmuar nga ndikimi i plastikës, 127 vende të OKB-së kanë miratuar masa të ndryshme në legjislacion për të trajtuar përdorimin e qeseve plastike. Këto masa mbulojnë të gjitha fazat e ciklit të jetës së qeseve plastike dhe përfshijnë ndalime, kufizime, taksa, pagesa dhe përgjegjësi të zgjeruar të prodhuesve të qeseve. Sipas një raporti të UNEP-it, ndalimet e plota ose kufizimet e përdorimit janë forma më e zakonshme e kontrollit për qeset e plastikës dhe kjo formë zbatohet në 91 shtete, veçanërisht në Afrikë dhe Evropë. Për më tepër, 84 shtete kufizojnë shpërndarjen me pakicë të qeseve, shpesh krahas kufizimeve të prodhimit dhe importit, ndërsa 38 vende rregullojnë trashësinë e qeseve plastike dhe 16 shtete promovojnë qeset e ripërdorshme duke i përjashtuar ato nga taksat ose duke i vënë në dispozicion falas. Këto shtete ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra në zhvillimin ekonomik, megjithatë angazhimet e tyre për të trajtuar ndotjen plastike kanë qenë të gjitha shumë të suksesshme.

Si funksionojnë këto kufizime në praktikë?

Duke u nisur nga ndalimet më të rrepta, rajoni i Afrikës Sub-Sahariane është në krye të lëvizjes globale kundër plastikës njëpërdorimëshe, me 34 vende që zbatojnë ndalimin e plotë të përdorimit të qeseve plastike. Ky ndalim në disa shtete, si Tanzania, Kenia dhe Ruanda, aplikohet edhe te turistët. Për turistët, kjo do të thotë që nuk mund të sjellin qese plastike në këto shtete dhe ata obligohen t’i lënë qeset e tyre në vendet e dedikuara në pikat kufitare. Ndërkohë për vendasit, në Ruandë, përdorimi personal i një qese plastike mund të çojë në gjoba deri në 60 dollarë, dhe në Kenia një person që përdor një qese plastike mund të dënohet edhe me burg. Këto masa kanë rezultuar në një reduktim të dukshëm të mbetjeve plastike në Kenia, ndërsa kryeqyteti i Ruandës, Kigali, është shpallur si qyteti më i pastër në Afrikë, pjesërisht për shkak të ndalimit të plastikës jo të biodegradueshme.

Duke kaluar në politika më pak strikte, përkatësisht taksat dhe pagesat për përdorimin e qeseve, Britania e Madhe kishte filluar zbatimin e një tarife prej rreth 0,06 euro për qeset plastike në supermarketet që nga viti 2015. Në vitin 2021, kjo tarifë u rrit në rreth 0,10 euro dhe u shtri në të gjitha bizneset. Kjo masë ka rezultuar në një rënie të jashtëzakonshme prej 98% në përdorimin e qeseve plastike deri në vitin 2023. Reduktim i konsiderueshëm i përdorimit të qeseve plastike i është atribuuar suksesit të kësaj politike dhe tani një person mesatar në Angli blen vetëm dy qese plastike njëpërdorimëshe në vit.

Në mënyrë të ngjashme, futja e një tarife për qeset plastikës në Afrikën e Jugut, në vitin 2003, synonte të ndikonte në sjelljen e konsumatorëve dhe të gjeneronte të ardhura për projekte të lidhura me mjedisin. Fillimisht e vendosur në 3 centë për qese plastike, taksa është rishikuar dy herë, duke u rritur në 4 centë në 2007 dhe 6 centë në 2013. Taksa ka ndikuar ndjeshëm në uljen e kërkesës së qytetarëve për qese, duke rezultuar në një ulje prej 72% deri në vitin 2014 krahasuar me kohën kur nuk kishte taksë të tillë.

Për më tepër, hulumtimet tregojnë mekanizmat e çmimeve apo taksave për qese plastike kanë qenë efektive në reduktimin e përdorimit të tyre në rajone të tjera të ndryshme, duke përfshirë Danimarkën, Irlandën, Belgjikën, Hong Kongun, Portugalinë, Botsvanën dhe Kinën, me reduktime që variojnë nga 50% në mbi 90%.

Çfarë përfshin rregullorja e Kosovës?

Qasja e Kosovës në rregullimin e qeseve plastike është relativisht më pak strikte se ajo e shteteve të lartpërmendura. Udhëzimi i ri përfshin ndalime për prodhimin, importimin dhe shitjen e qeseve plastike me doreza që variojnë nga zero deri në 25 mikronë në trashësi, si dhe qeseve plastike të oksodegradueshme (qeset plastike të dizajnuara për t’u shpërbërë më shpejt, por që janë ende të dëmshme pasi lënë pas mikroplastikë të rrezikshme). Sipas udhëzimit, qeset plastike shumë të lehta pa doreza mund t’u shpërndahen konsumatorëve pa pagesë, ndërsa ato me doreza me trashësi 25-50 mikronë duhet të shiten me një çmim minimal të detyrueshëm prej 0,05 euro, me një pjesë të dedikuar për buxhetin shtetëror. Udhëzimi ka kufizime çmimi për qeset plastike më të trasha dhe qeset e plastikës biodegraduese të kompostueshme janë të përjashtuara nga çmimet. Gjithashtu, shitësve u kërkohet të regjistrojnë çdo shitje të qeseve plastike me çmimin e mandatuar në kuponët fiskalë të lëshuar për konsumatorët. Udhëzimi ndalon vendosjen e logove apo markës tregtare në qese plastike të cilat janë me pagesë.

Sipas udhëzimit, mosrespektimi i dispozitave të tij, mund të rezultojë me masa ndëshkuese për individët dhe bizneset, në përputhje me Ligjin për Mbeturina dhe Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Mbeturina. Këto dy ligje përfshijnë gjoba nga pesë deri në 50,000 euro për individët dhe bizneset që nuk respektojnë disa dispozita për menaxhimin e mbeturinave. Për më tepër, udhëzimi parasheh sekuestrim dhe konfiskim të pajisjeve për prodhimin e ambalazheve, apo vetë ambalazheve të vendosura në treg që nuk janë në përputhje me dispozitat e tij.

Ky udhëzim është pjesërisht në përputhje me Direktivën Nr. 1994/62 të Parlamentit dhe Këshillit të BE-së për paketimin dhe mbetjet e paketimit dhe Direktivën Nr. 2019/904 të Parlamentit dhe Këshillit të BE-së për Reduktimin e Ndikimit të Disa Produkteve Plastike në Mjedis. Dallimet kryesore midis akteve kryesisht sillen rreth zbatimit të detajuar të qëllimeve të tyre për të reduktuar plastikën dhe fokusin specifik në lloje të caktuara të mbetjeve dhe instrumenteve ekonomike.

Si do të funksionojë për Kosovën?

Fatkeqësisht, në Kosovë vetëdija mjedisore ende stagnon. Sipas Pulsit Publik të UNDP-së të vitit 2023, vetëm 18% e të anketuarve e perceptojnë Kosovën si të ndikuar në mënyrë të konsiderueshme nga ndryshimet klimatike, ndërsa në një pyetje tjetër, shumica prej 91% pranojnë se kanë njohuri mesatare apo aspak njohuri rreth kërcënimeve të mundshme shëndetësore nga mjedisi. Edhe Raporti i Progresit i BE-së për vitin 2023 konsideron se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike dhe ka vetëm progres të kufizuar në këtë fushë. Raporti gjithashtu thekson se nuk është bërë asnjë përparim në lidhje me mbrojtjen e natyrës. Kjo mund të tregojë se vetëdija dhe gatishmëria e qytetarëve të Kosovës për të bërë më shumë përpjekje në mbrojtjen e mjedisit nuk është në nivelin e dëshirueshëm.

Në këtë rast, pavarësisht që udhëzimi nuk është aq strikt dhe ende ka kosto të ulët për blerjen e qeseve, udhëzimi ka potencial për të ndryshuar qëndrimet e shoqërisë për t’i bërë më të prira kah qëndrueshmëria. Nëpërmjet integrimit gradual të praktikave miqësore ndaj ambientit në rutinë, si p.sh. përdorimi i çantave të ripërdorshme, individët mund të bëhen më të ndërgjegjshëm për ndikimin e tyre mjedisor dhe kështu kanë më shumë gjasa të adoptojnë zakone të qëndrueshme në aspekte të tjera të jetës së tyre. Kjo zhvendosje drejt alternativave të ripërdorshme, përveç reduktimit të mbetjeve plastike mund të promovojë gjithashtu një kulturë të përgjegjësisë mjedisore. Kjo mund të shihet edhe tani, pasi para këtyre rregullave qytetarët pothuajse kurrë nuk merrnin qese të ripërdorshme në supermarket, dhe tani, edhe pse shumë ende blejnë qese plastike, mund të shohim shumë njerëz që sjellin qese të ripërdorshme kur shkojnë për të bërë blerje.

Në fakt, gjatë bisedave me personelin e shitjes në dy supermarkete në Gjakovë dhe në Prishtinë, u bë evidente se trendet në shitjen e qeseve plastike po bien ngadalë dhe gjithnjë e më shumë njerëz po sjellin qese të ripërdorshme çdo ditë. Edhe pse fillimisht u prit me pakënaqësi, me disa klientë që zgjodhën të mbanin sende me dorë, në vend që të paguanin për qese, njerëzit tani kanë filluar të përqafojnë zakonin e mbajtjes së çantave të ripërdorshme kur shkojnë në dyqan. “Njerëzit kanë filluar të blejnë çanta të ripërdorshme dhe t’i fusin në xhepa apo çanta para se të dalin nga shtëpia, në rast se u duhet të blejnë diçka”, ka theksuar një shitëse në një supermarket në Gjakovë . Megjithatë, në të dyja bisedat, pranohet se shitja e qeseve njëpërdorimëshe mbetet e konsiderueshme.

Kështu, edhe Kosova mund të jetë pjesë e historive të suksesit të përmendura më lart duke reduktuar përdorimin e qeseve plastike përmes përdorimit të mekanizmit të çmimeve, pasi kjo së pari do të shërbejë si mjet drejt zhvendosjes së mentalitetit drejt qëndrueshmërisë.

(Autorja është pjesë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit: Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, e themeluar nga GLPS, të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Nga: Dea Fetiu

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *